E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjejnë njëri-tjetrin

Vojisllav Koshtunica

Bashkohen ultranacionalistët serbë. Voisllav Koshtunica do të bëjë koalicion me Tomisllav Nikoliç

Ish-kryeministri serb Voisllav Koshtunica dhe lideri i radikalëve, Tomisllav Nikoliç, kanë vendosur të bashkojnë forcat për të krijuar një qeveri të re. E përditshmja serbe “Blic” raportoi dje, se dy liderët kanë rënë dakord në princip për të bashkëpunuar, me qëllim krijimin e një koalicioni të ri. “Blic” citon burime të paidentifikuara, të cilat thonë se Koshtunica vendosi të njoftojë rrëzimin e qeverisë së tij dhe të thërrasë zgjedhjet e parakohshme, vetëm pasi Nikoliç i shprehu gatishmërinë e tij për të krijuar një koalicion qeveritar me bllokun e tij ultranacionalist. Sipas gazetës, Koshtunica dhe Nikoliç zhvilluan bisedime të fshehta të enjten dhe të premten, ndërsa të shtunën kryeministri njoftoi se qeveria aktuale nuk mund të funksiononte më. “Blic” shkruan se më i përfolur ishte lideri i partisë “Serbia e Re”, Velimir Iliç, i cili e bëri mjaft të qartë se do të ishte e palogjikshme krijimi i një qeverie me të njëjtat forca politike si më parë. Por në një intervistë për radio B92, nënkryetari i Partisë Radikale Serbe mohoi të ketë rënë dakord me Koshtunicën për krijimin e një koalicioni pas zgjedhjeve parlamentare që pritet të mbahen në maj. “Nuk kam dëgjuar prej tij dhe as nuk kam folur me të. Kemi pasur vetëm një bisedë të shkurtër përpara konferencës për shtyp të shtunën, ku ai shpjegoi se çfarë do të bënte dhe asgjë më shumë”, - është shprehur lideri ultranacionalist. Sipas tij, nuk do të jetë nevoja e krijimit të një koalicioni mes Partisë Radikale dhe asaj të Koshtunicës, pasi që të dyja do të fitojnë më vete. Ndërkohë, agjencia e lajmeve B92 raportoi dje, se presidenti Boris Tadiç do të shpërndajë parlamentin serb në 13 mars, pra nesër dhe do të thërrasë zgjedhjet e parakohshme. Lajmi u konfirmua edhe nga zyra e shtypit të presidentit serb Boris Tadiç, për agjencinë e lajmeve “Beta’. Qeveria propozoi dy ditë më parë që zgjedhjet të mbahen në 11 maj, kur janë planifikuar të mbahen dhe zgjedhjet lokale, ndaj pritet që Tadiç të plotësojë kërkesën e kabinetit

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›