A duhet pranuar modeli i ri politik i opozitës?!
Pasi në 4 vitet e fundit nuk u gjet dot as edhe një njeri që të arrijë të shpjegojë saktësisht se ç’ishte “politika e re” e propozuar nga Edi Rama, tani gjendemi përballë pyetjes së dytë. Çfarë po kërkon Edi Rama nëpërmjet bojkotit dhe protestave? E më tej, a ka lidhje pyetja e parë me të dytën dhe rrjedhimisht edhe përgjigjet?
Një herë thuhet se kërkohet hapja e kutive. Një herë tjetër zgjedhje të parakohshme. E më pas rrëzimi me forcë i qeverisë. Me sa duket, gjetja e përgjigjes nuk është e lehtë përderisa edhe vetë Majko nuk po kupton se ç’po ndodh, kur i pyetur nga Blendi Fevziu nëse kishte dijeni për opsionin e “rrëzimit me forcë të qeverisë”, u përgjigj i prerë se “nuk ishte e vërtetë”. Tek e fundit as vetë kryetari i Majkos nuk e di se ç’kërkon të arrijë me bojkot dhe protesta, por në fund të fundit e gjithë kjo zhurmë e ka një logjikë ku mbështetet. Mospranimin e kundërshtarit në pushtet. Për Ramën ka vetëm një alternativë. Të qeverisë vetëm ai, jo vetëm konkretisht. Jo vetëm konkretisht, do të thotë se së pari ai këtë betejë të të qeverisurit vetëm ai e nisi me mohimin e Fatos Nanos dhe 2 mandateve të PS-së në vitet 1997-2005. Vite këto që më pas të marra së bashku me kusurin e 1992-1997, ai i arkivoi në koshin e “politikës së vjetër”. Pra, duke nisur të mohojë historikisht aktorët e tjerë politikë përveç vetes, tashmë i ka ardhur radha qeverisjes aktuale që të largohet nga pushteti me çdo lloj arsyeje apo mjeti, që nga ato verbale e deri tek përdorimi i forcës. I armatosur rëndë me një fjalor propagandistik që do ta kishte zili edhe Goebels-i apo si një personazh i ri i Quentin Tarantino-s tek filmi “Inglourious Bastards” i quajtur Frederich Zoeller, një snajper nazist të cilit Goebels i kushton një film, pasi kishte vrarë qindra ushtarë aleatë në tri ditë, Rama ka katër vjet që shan, fyen, nxin këdo që i del përpara. Sali Berishën, Ilir Metën, Faton Nanon, Ben Blushin, Arben Malajn dhe cilindo gazetar apo diplomat që i cënon sadopak ambicien e tij për të ardhur në pushtet. Ky modus operanti i dhunshëm verbalisht dhe autoritarist proceduralisht, është rruga që Rama ka zgjedhur për t’iu imponuar të gjithëve. Ai nuk njeh as vullnetin e votuesve, as numërimin e votave, as KQZ-në, as Kolegjin Zgjedhor, as faktorin ndërkombëtar. Ai nuk njeh asgjë, përveç vullnetit për pushtet. E thënë ndryshe, kërkon t’i imponohet shoqërisë dhe mbi të gjitha sistemit politik dhe institucional me çdo kusht. Por, kjo rrugë kërkon disa sakrifica nga ana e shoqërisë, që fillojnë me vënien në dyshim të sistemit.
Shqipëria në këto 19 vite ka ecur në rrugën e transformimit në një shoqëri të lirë, të bazuar tek zgjedhja e lirë dhe garantimi i saj nëpërmjet ligjit dhe institucioneve. Kjo rrugë nuk ka qenë e lehtë, por zoti Rama sa herë që sistemi u është nënshtruar provave për t’u ngritur e konsoliduar si i tillë, o është marrë me instalacione, ose ka qenë për ekspozita jashtë vendit, ose tregonte barcaleta rrugëve të Parisit. E për këtë nuk mund të fajësosh as Partinë Demokratike, as Partinë Socialiste, as ndërkombëtarët, shoqërinë civile dhe tërë aktorët që janë përfshirë në këtë nismë të madhe dhe të shtrirë në kohë përgjatë 19 viteve të pluralizmi. Dhe momenti më kulmor i shkrimit së kontratës së madhe ishte hartimi dhe miratimi i Kushtetutës, moment historik që koincidoi me punën e parë të Ramës si ministër Kulture, të merrej me “brekët” e të ndjerës Violeta Manushi. Pra, ky politikan që nuk ka asnjë lidhje në karrierën e tij me ngritjen e institucioneve dhe ligjin, e ka të pamundur të kuptojë se ç’terren institucional dhe ligjor operon. I tërë sistemi i duket një lodër, me të cilën një herë mund të luajë e më pas ta shkatërrojë si një fëmijë i llastuar. Gjithçka varet nga interesat e tij drejt pushtetit. Nga njëra anë nxit prokurorinë për të hetuar ministra e nga ana tjetër e quan Gjykatën e Lartë “bandë horrash”. Akuzon pa pushim për korrupsion qeverinë dhe shkon në komision hetimor me megafon si tellalli i “Koncert në vitin ‘36”.
Shembujt e mësipërm vlejnë për të kuptuar kontradiktat e brendshme që prodhon ky politikan, që nuk ka respekt as për Kushtetutën, as për ligjin, as për komisionet hetimore, as për KQZ-në, as për Këshillin Bashkiak, as statutin e partisë së tij e as për asgjë. Edi Rama njeh vetëm një subjekt. Veten e tij dhe pushtetin personal. Që nga ky moment nuk ka më rëndësi se ç’kërkon ai të arrijë me bojkotin dhe protestat. Ose më mirë, se si të arrijë atë që do, ardhjen në pushtet. Metoda nuk ka vlerë, qëllimi po. Por kryetari i PS-së harron që republika kushtetuese është një koncept që merret me qëllimin e saj dhe mjetet njëkohësisht. Ndërsa qëllimi është zgjerimi i hapësirës së lirisë, mjetet janë kushtetuese dhe institucionale. Nëse ai është njeriu i duhur për këtë qëllim madhor, nuk është një çështje që e vendos vetë ai, por zgjedhjet. Parlamenti, gjykatat, qeveria janë pushtete që ushqehen nga procedura dhe jo propaganda, dhe zgjedhjet janë pikënisja e procedurës. Ndarja dhe kontrolli reciprok i këtyre segmenteve të publikes shmang pikërisht vullnetet arbitrare të individëve, konkretisht vullnetin e Ramës. Përballë individit dhe ligjit, shqiptarët kanë zgjedhur të dytin. Garantimi i lirisë ka qenë një proces i gjatë dhe i mundimshëm dhe mbase do të vazhdojë të korrigjohet, por gjithnjë brenda logjikës të së mirës të përbashkët. Modeli i Ramës nuk përputhet me modelin e lirisë, ndaj ose do të ndryshojë modeli i tij, ose duhet të ndryshojë sistemi politik. Kjo nuk është një përplasje mes mazhorancës dhe opozitës, por një përplasje mes Ramës dhe sistemit. Fatkeqësisht, Shqipëria duhet të tejkalojë edhe këtë sfidë, rëndësi ka që rrethanat historike aktuale e përjashtojnë një fitore të individit.