E Shtunë, 31 Tetor 2026

OKB thotë se bota nuk e ka harruar Haitin

Sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki Moon, bëri një vizitë tjetër në Haiti - e dyta që kur një tërmet i fuqishëm goditi këtë vend dy muaj më parë.

Ai e ka përshkruar tashmë operacionin e ndihmës në Haiti si një nga sfidat më të mëdha me të cilat është përballur organizata e tij.

Rreth 200 mijë vetë gjetën vdekjen dhe mendohet se një milion të tjerë kanë mbetur pa shtëpi. Por çfarë është bërë në Haiti për t'i kapërcyer vështirësitë, ndërsa ende mijëra vetë mbeten pa strehë dhe stina e shirave po afrohet.

Zoti Ban premtoi që të punojë për ruajtjen e vazhdimësisë së dërgimit të fondeve për rimëkëmben dhe rindërtimin e Haitit.

Ai tha se bashkësia ndërkombëtare ka qenë shumë bamirëse dhe se rrallë në histori ka pasur një derdhje të tillë të mbështetjes dhe solidaritetit.

"Kërkesa jonë e përsëritur për ndihma prej 1,4 miliard dollarësh ka marrë tani një financim në masën 49 për qind. Sfida jonë është që të ruajmë frymën e solidaritetit edhe gjatë konferencës së ardhshme të donatorëve dhe më tej", Ban.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›