E Shtunë, 31 Tetor 2026

A duhet të protestojnë drejtuesit sindikalistë për pronat e sindikatave?



Koçi TAHIRI*

Duke marrë shkas nga reagimet e dy drejtuesve, të dy formacione më të mëdha në vend, ato të Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Shqipërisë (B.S.P.Sh), dhe Konfederatës së Sindikatave të Shqipërisë (K.S.Sh) mendova të hedh sytë nga veprimtaria sindikale e këtyre dy sindikatave. Dua të informoj opinionin publik se edhe unë në të kaluarën kam qenë një nga drejtuesit kryesorë të Sindikatave, në fillimet e proceseve demokratike të viteve '90-91 (Kryetar i Sindikatave të Pavarura të Bujqësisë të Republikës). Duke iu referuar së shkuarës mendoj se ne në atë kohë kemi bërë gabime, e ndoshta edhe faje, për sa i përket drejtimit të asaj lëvizjeje, po kjo për atë kohë dhe mund të na falej pasi ishim pa eksperiencën përkatëse për të drejtuar një lëvizje të atyre përmasave që u shfaq në ato vite.
Dua të ndalem në aspektin e shfuqizimit të dekretit të Presidentit të asaj kohe Sali Berisha, me Nr 204 të datës 05. 06.1992 “Për pasurinë e Sindikatave”. Kjo pasuri me dekret u nda në 50 për qind për B.S.P.Sh, 40 për qind për Konfederatën dhe pjesën tjetër e merrnin ato sindikata që ishin njohur juridikisht para kësaj date të tilla si; Sindikata e Minatorëve të Shqipërisë me 5 për qind, Lidhja Autonome e Naftës me 0,3 për qind, si dhe Lidhja e Përgjithshme e Punonjësve të Shqipërisë me 0,2 për qind, (e cila për fatin e saj të keq, sot e kësaj dite, nuk e mori dot këtë pjesë që i takonte sipas dekretit të Presidentit të Republikës). Megjithëse ky vendim i Presidentit u duk i drejtë, krerët e këtyre sindikatave filluan, secili sipas mënyrës së vet, të abuzonin me pronat, që ishin djersa e qindra mijëra punëtorëve të periudhës komuniste. Kështu që këto prona u dhanë apo ju shitën palëve të treta, si të tilla mund të përmendim Kampin e Punëtorëve në Ksamil, atë të Qafë Shtamës, dhe në të shumtën e rasteve këtyre shtëpive të pushimit ju ndryshua dhe destinacioni për të cilat ishin ngritur. Nuk munguan rastet kur pronat u lanë në mëshirë të fatit, e këtu mund të përmendim 7 godinat e Qafë Shtamës, që janë rrafshuar deri në themele. Sigurisht për këto shpërdorime, ndaj kësaj pasurie kombëtare është folur shumë, si nga sindikalistë të ndershëm, po ashtu e nga drejtues të tjerë sindikatash, të cilët u shkëputën nga këto formacione sindikale aty nga vitet 1992-1993. Për këto veprime është folur në mediat vizive, apo është shkruar në shtypin e kohës, po për fat të keq nuk u mor asnjë masë ndaj abuzuesve.
Më pas deputeti i Partisë Demokratike Azem Hajdari, i kërkoi Presidentit të Republikës, që të rikthente ligjin mbi pronat e Sindikatave, pasi ato po tjetërsoheshin, e pse jo dhe po shkatërroheshin. Këtë kërkesë në mënyrë të vazhdueshme e kanë bërë edhe Unioni i Sindikatave të Shqipërisë, ku bënin pjesë 8 formacione sindikale; Bashkësia e Sindikatave të Shqipërisë, Lidhja e Bujqve Privatë, Ushqimit, Turizmit, dhe Tregtisë të Shqipërisë, të cilat në shkresat e tyre që nga viti 1993 e deri në këto momente nuk kanë reshtur së kërkuari shfuqizimin e dekretit të Presidentit. Kërkesa iu është drejtuar Presidentëve; Sali Berisha, Rexhep Meidani, e Alfred Moisiu, apo dhe kryetarëve të Parlamentit; Pjetër Arbenori, Skënder Gjinushi, kryeministrave; Aleksandër Meksi, Fatos Nano, etj., të cilët për hir të së vërtetës kanë dërguar ekspertë për të kontrolluar abuzimet e bëra. Për fat të keq këto kontrolle kanë ngelur vetëm konstatime në letër. Mendoj se këto kontrolle janë bërë në kuadër të presioneve, ndaj krerëve të këtyre sindikatave, që ata të mos ishin këmbëngulës në kërkesat e tyre, ndryshe s’ka si të shpjegohet fakti se me gjithë kontrollet e herë pas hershme ishin konstatuar shkelje të rënda në administrimin e pasurive këta drejtues sindikatash asnjëherë nuk u ndëshkuan. Pra me pak fjalë mendoj se dhënia në pronësi të kësaj pasurie, në adresë të sindikatave, ishte një proces që ndihmoi në dobësimin e fuqisë lëvizëse të sindikalizmit në Shqipëri. Këto sindikata dhe në mënyrë të veçantë drejtuesit e tyre, ranë në rehati, pra mendoj se heqja nga pronësia, nga këto formacione sindikale, do ta forconte lëvizjen sindikaliste në Shqipëri, pasi ato deri më sot kanë qenë më shumë në role pasive, apo servile ndaj qeverive sesa në rolin aktiv në mbrojtjen e të drejtave sindikaliste në vend. Gjithashtu mendoj se për të dalë përgjegjësia e këtyre abuzimeve apo shkatërrimeve të kësaj pasurie të përbashkët duhet që qeveria nëpërmjet kontrollit shtetëror të bëjë verifikimet, dhe abuzuesit të dalin para gjyqit, pra drejtuesit e këtyre sindikatave nuk ka pse të shqetësohen kur e ndjejnë veten të pastër. Gjithashtu, mendoj se duke hyre shteti në këtë mes si pronar do të dalin abuzimet e bëra gjatë këtyre 17 viteve. Po ashtu mendoj se duke qene se shteti ka pjesën e tij në këto prona, ky veprim do të bëjë që këto prona të rikuperohen duke u vënë në efiçencë. Pra pretendimet e këtyre drejtuesve mendoj se u ka ikur koha. Vërtet këto prona kanë qenë të punëtorëve, por kur ky destinacion tjetërsohet, atëherë shteti duhet të ndërhyje, pra ngelet që vendimi i qeverisë të zbatohet dhe në rast se këto prona janë shitur apo janë tjetërsuar, shkaktarët duhet të dalin para ligjit. Gjithashtu mendoj se në qofte se ka ndonjë keq dashje nga ana e qeverisë, ajo shumë shpejt do të evidentohet në të ardhmen.
Mendoj se kurrsesi drejtuesit e këtyre sindikatave nuk kanë të drejtë të revoltohen, duke u hequr sikur atyre u vjen keq për sindikalistët, pasi ata interesat e tyre i kanë marrë nëpërkëmbë shumë kohë më parë.

*Kryetar i Sindikatave të Bujqësisë së Shqipërisë.

16 Shtator 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›