E Shtunë, 31 Tetor 2026

Universitetet, dalin 517 vendet e para bosh nga faza e parë e pranimeve



Jonida Tashi

Mbeten 517 vende të paplotësuara deri tani nga faza e parë e pranimeve në universitete, shifër kjo disa herë me ulët krahasuar me vitet e mëparshme. Nga 38 mijë maturantë që nisin garën për të fituar një të drejtë studimi gjatë këtij viti akademik, deri tani kanë rezultuar fitues vetëm 19 185 prej tyre. Ndërkohë që kuotat e vëna në dispozicion nga qeveria, për vitin e ri akademik 2009-2010 janë 19 702. Nëpërmjet një veprimi të thjesht matematikor, duke zbritur nga numri i përgjithshëm i kuotave të pranimit ato të fituara në fazën e parë, rezulton që aktualisht në universitetet publike të vendin kanë mbetur të paplotësuara 517 kuota, që automatikisht do të kalojnë për plotësim në fazën e dytë të pranimeve. Para nisjes së kësaj faze, Ministria e Arsimit do të publikojë zyrtarisht listën përfundimtare të fituesve të parë të universiteteve, e cila sipas afateve të deklaruara, do të dalë në datën 25 shtator. Pas kësaj, specialistët e Agjencisë së Pranimit në Universitete (APRIAL), do të publikojnë vendet e mbetura bosh në secilën prej 217 degëve të fakulteteve.
Pranimet
Sipas të dhënave të përpunuara nga specialistët e Agjencisë së Pranimit në Universitete (APRIAL), këtë vit universitetet do të kenë një prurje më cilësore se sa një vit më parë. Argumenti i dhënë nga drejtori i APRIAL-it, Federik Shalsi, për këtë çështje është se fituesit e fundit për çdo degë kanë diferencë të madhe pikësh krahasuar me fituesit e fundit në listat e vitit të shkuar. Po ashtu, të dhënat përpunuara nga Agjencia e Pranimit të studentëve tregojnë se, 43 për qind e maturantëve janë shpallur fitues në preferencën e parë, të dytë dhe të tretë. Por ky lajm i mirë për studentët fitues si dhe universitetet që do t’i presin ata, nuk do të jetë i tillë për mijëra maturantë të tjerë që nuk kanë arritur të fitojnë të drejtën e studimit që në fazën e parë. Duke qenë se pothuajse 50 për qind e kandidatëve për student janë shpallur fitues në degët e preferuara, vështirësohet mundësia që jofituesit të hyjnë në universitet nga spostimi i listave.
Spostimet
Pas shpalljes së fituesve të parë të universiteteve, specialistët e arsimit kanë nisur kalkulimet e para se sa të tjerë do të pranohen në fazën e dytë. Përveç 517 kuotave të konfirmuara të paplotësuara, rreth 3 mijë kuota të tjera do të dalin nga lista e parë e fituesve të universiteteve. Këtu bëhet fjalë për të gjithë ata maturantë, të cilët kanë aplikuar për të vijuar studimet e larta në Itali, por që për arsye se u nevojitet regjistrimi në një nga universitetet në vend janë listuar në emrat e fituesve të fazës së parë. Përveç këtyre, nga listat e fituesve të fazës së parë do të largohen edhe mjaft fitues të tjerë, të cilëve e drejta e studimit u ka dalë edhe në disa fakultete të tjera. Në këtë pikë, secili prej tyre, duhet të përzgjedh dhe të regjistrohet vetëm në njërin prej fakulteteve që është shpallur fitues. Po ashtu, ekzistojnë edhe mjaft degë, sidomos në universitetet e rretheve, në të cilat kuotat e pranimit nuk plotësohen që me fituesit e fazës së parë, dhe në këto raste, në varësi të kuotave të akorduara bëhet spostimi i listës drejt maturantëve që gjenden poshtë kufirit të pranimit, deri në plotësimin e numrit të duhur.

Faza e dytë, si do të ndryshojë baza e të dhënave

Nga mosregjistrimi i maturantëve që kanë aplikuar për studime jashtë shtetit, i atyre që nuk duan të vazhdojnë studimet e larta, i atyre që duan të vazhdojnë studimet në universitete private, baza e të dhënave do të ndryshojë në fazën e dytë. Me rifutjen e programit në punë, mjaft maturantë që nuk ishin shpallur fitues në fazën e parë mund të shpallen fitues në fazën e dytë edhe në preferencat e tyre të para. Po ashtu, maturantë të shpallur fitues në fazën e parë, mund të mbeten fitues në po atë preferencë ose mund të ngjiten në preferenca më të sipërme. Kuptohet që fituesit e shpallur në preferencën e tyre të parë, nuk ndryshojnë pozicion. Specialistët e APRIAL-it, pas marrjes së vendeve të mbetura vakante nga faza e parë do të përcaktojnë listën e fituesve të fazës së dytë, sipas rendit zbritës të pikëve dhe kufirit të pranimeve për çdo degë. Nëse sërish do të rezultojnë vende të lira do të hartohet lista e radhës me fituesit e universiteteve, deri sa këta të fundit, të plotësojnë numrin e kuotave të vëna në dispozicion nga qeveria. Një vit më parë, fituesit e universiteteve u përcaktuan në katër faza të njëpasnjëshme, që nisën në fillim të muajit shtator dhe përfunduan në dhjetor. Duke qenë se kanë humbur shansin e parë për të vijuar studimet maturantët duhet të tregohen tepër të kujdesshëm për të fituar universitetin në fazën e dytë. Kjo do të thotë se pas shpalljes së vendeve bosh nga Ministria e Arsimit, secili prej tyre duhet të aplikojë për ato degë që ka grumbulluar më shumë pikë, qofshin këto edhe në universitetet e rretheve. Në të kundërt, nëse të gjithë maturantët do të “këmbëngulin” vetëm për të vijuar studimet e larta në universitetet e Tiranës, ekziston mundësia të mbeten edhe një vit pa shkollë.

Të dhëna për kuotat
517 kuota të paplotësuara kanë mbetur në universitete nga faza e parë e pranimit
3000 vende të lira pritet të dalin nga maturantët që kanë aplikuar për studime jashtë vendit
19 185 maturantë janë shpallur fitues në fazën e parë të pranimeve në universitete
19 702 është numri total i kuotave të pranimit që qeveria ka vënë në dispozicion për këtë vit
9257 studentë të rinj do të pranojnë universitetet e Tiranës vitin e ri akademik
43 për qind e maturantëve janë shpallur fitues në preferencën e parë, të dytë dhe të tretë
25 shtator është data e përcaktuar për të shpallur listën përfundimtare të fituesve

Viti i ri shkollor
Gjimnazet, mësim deri në orën 8 për nga fluksi i nxënësve

Fluksi i nxënësve në gjimnaze dhe klasat e tejmbushura me mbi 40 veta, duket se do të vazhdojnë të jenë të pranishme edhe për vitin e ri shkollor në kryeqytet. Sipas drejtuesve të këtyre shkollave, e vetmja zgjidhje është mësimi me turne, i cili pritet të përfundojë rreth orës tetë të mbrëmjes. Fakti i mbipopullimit të klasave bëhet i ditur edhe nga drejtoresha e gjimnazit “Partizani”, Luljeta Basha, e cila thotë se ka një dyndje të nxënësve nga rrethet, dhe deri tani janë krijuar rreth 11 klasa të dhjeta ose 450 nxënës. “Fluksi i madh është i madh. Ne kemi nxjerr mësim dhe pasdite, sepse nuk përballohet me ambiente”,- thotë drejtoresha e “Partizanit”. Por një tjetër problem që vihet re në këtë gjimnaz, është se prurjet e reja të nxënësve janë të një niveli të ulët arsimor nga shkollat 9-vjeçare.

16 Shtator 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›