E Diel, 1 Nëntor 2026

Këshilli i Europës: Greqia nuk i dënon autorët e dhunës ndaj shqiptarëve



Albert Gjoka

Të gjithë autorët e dhunës raciste ndaj shqiptarëve apo edhe emigrantëve të tjerë në Greqi nuk janë ndëshkuar sipas ligjit nga autoritetet vendase. Një konstatim i tillë është bërë nga raporti monitorues vjetor i Këshillit të Europës, i cili vazhdon të jetë tejet kritik për standardet që aplikon Athina zyrtare ndaj shtetasve të huaj. Një ndër shqetësimet kryesore është mënyra se si trajtohen shqiptarët, të cilët aktualisht përbëjnë numrin më të madh të emigrantëve që jetojnë dhe punojnë në shtetin fqinj. Sipas statistikave të raportit të ECRI-t (Komisioni Europian Kundër Racizmit dhe Intolerancës), ata janë rreth 5-7 për qind e totalit të popullsisë në Greqi. Ndër pikat që autoritetet greke kanë shënuar përparime është çështja e arsimimit. Po ashtu, me hyrjen në fuqi të direktivave të Bashkimit Europian, pronarët do të ndëshkohen me gjoba ose burg nëse do të mbajnë në punë të zezë emigrantë të huaj në Greqi. Edhe këtë vit, monitoruesit e Këshilli të Europës konstatojnë probleme të mëdha përsa u përket sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore të emigrantëve. Sipas të dhënave zyrtare, informaliteti në tregun e punës në Greqi është më i larti në Bashkimin Europian.
Kushtet e emigrantëve
Tregu i punësimit konstatohet ndër më problematikët nga ekspertët e Këshillit të Europës, të cilët e kanë kritikuar Athinën zyrtare për moszbatimin e masave të vëna në raportin e mëparshëm. “Shumica e të punësuarve janë të pakualifikuar në tregun e punës”, - thotë raporti i ECRI-it, i publikuar dje, duke vënë re me shqetësim informacionet për kushtet poshtë standardeve dhe pagat e ulëta që marrin shtetasit e huaj. Situata është më problematike në sektorin bujqësisë, në zonat rurale, ku më të diskriminuarit janë punonjësit shqiptarë, rumunë dhe bullgarë. “Disa raporte tregojnë gjithashtu se ekonomia greke ka një nga përqindjet më të larta të punëtorëve në sektorin informal në Bashkimin Europian (sipas vlerësimeve 30-50% të PBB-së), thonë monitoruesit e KE-së. Sipas tyre, “shumë emigrantë, duke përfshirë edhe shqiptarë, afrikanë, bangladeshas, pakistanezë, filipinas, egjiptianë, gjithashtu vazhdojnë të përballen me diskriminim dhe pabarazi në tregun e punës dhe nuk ka strategji afatgjatë nga autoritetet që merren me këtë problem”.
Autoritetet greke kanë informuar ECRI-n, ndër të tjera, se Ligji 3386/2005 përmban dispozita të shumta, të cilat sigurojnë që pagat e punonjësve të vendeve të treta duhet të jenë, të paktën, të barabarta me të ardhurat mujore të një punëtori të pakualifikuar vendas. Ata kanë deklaruar gjithashtu se shtetasit e vendeve të treta që banojnë në Greqi gëzojnë të njëjtat të drejta për sigurimet si dhe shtetasit grekë dhe përfitime nga institucionet e sigurisë sociale. Madje, ata shprehen se “punëdhënësit që punësojnë shtetas të vendeve të treta pa leje pune do të ndëshkohen me gjobat dhe burgim”. Një tjetër angazhim që Athina zyrtare thotë se e ka ndërmarrë, sipas Dekretit Presidencial me Nr. 220/2007, “lejon azilkërkuesit për të marrë një leje të përkohshme pune”. Por, raporti ngre shqetësimin për ushtrimin e dhunës ndaj një sindikalisteje bullgare, së cilës iu hodh acid në fytyrë për shkak se kërkoi të drejtat ligjore për emigrantët. “Më 22 dhjetor 2008, zonja Konstantina Kuneva, një shtetase bullgare, udhëheqëse e një sindikate, e cila kishte denoncuar pagat e ulëta dhe kushtet e vështira të punës në sektorin e pastrimit, ku janë të punësuara shumica e grave të emigrantëve, ishte viktimë e një sulmi me acid sulfurik”, - konstaton raporti. Sipas tij, të dhënat flasin për mangësi në hetimin e këtij rasti. Edhe vetë autoritetet greke thonë se pas përfundimit të hetimeve nuk u gjetën autorët e këtij akti të dhunshëm, por sqarojnë se zonjës Kuneva iu ofrua mbështetje nga shteti, duke i dhënë strehim familjes së saj.
Aktet raciste
Greqia është i vetmi vend i Bashkimit Europian që nuk publikon të dhëna zyrtare për rastet e akteve të dhunshme racore. Një fakt i tillë pohohet në raportin e Këshillit të Europës, sipas të cilit, ashtu si edhe më parë, edhe tani nuk ka të dhëna zyrtare për krimet e motivuara mbi baza racore në Greqi, dhe është i vështirë që të bësh një vlerësim të gjerë dhe të thellë të situatës”. Që nga publikimi i raportit të tretë të ECRI-t, një numër aktesh të tjera dhune kundër pakicave etnike janë raportuar nga mediat dhe nga aktorë të shoqërisë civile. Në vitin 2006, kjo e fundit ka raportuar incidente të rënda të dhunës raciste kundër emigrantëve dhe refugjatëve; dy romë dhe dy anëtarë të pakicave fetare. Raportet tregojnë se më 24 korrik 2007, një shqiptar u rrah për vdekje nga tre persona grekë në qytetin e Volosit. Për rastet e përzgjedhura nga vëzhguesit e Këshillit të Europës nuk ka asnjë informacion nëse janë dënuar nga Drejtësia greke autorët e këtyre akteve të dhunshme.
Rasti më serioz është ai i plagosjes së tetë emigrantëve pakistanezë në banesën e tyre, në periferi të Athinës, nga një grup individësh të armatosur. Një rast i tillë çoi në organizimin e protestave nga komunitetet e emigrantëve në Athinë në fund të vitit 2007. “ECRI nuk ka asnjë informacion mbi masat e marra kundër të dyshuarve, edhe pse policia deklaroi se ishte kryer një hetim”, - pohon raporti. Burimet flasin për nivele të larta të raportuara për krimet e urrejtjes ndaj emigrantëve në Greqi gjatë vitit 2007. “16,4 për qind e të intervistuarve në një anketë deklaruan se kishin qenë viktima të këtij lloj krimi, të motivuar në baza racore”, - thotë raporti.
Progres në arsimim
Ndër pikat që raportohet progres nga vëzhguesit e Këshillit të Europës janë hapat e ndërmarrë nga Athina zyrtare për arsimimin e fëmijëve të emigrantëve. Përveç shkollave të hapura enkas për ta, autoritetet vendase po i integrojnë fëmijët e shtetasve të huaj edhe në jetën arsimore të fëmijëve grekë. Nga 35 klasa pritje dhe 41 klasa mbështetëse që kanë qenë në vitet 2005-2009, tani ato kanë arritur në mbi 320 klasa pritje dhe një numër shumë më të madh klasash të tjera, ku bashkë me fëmijët grekë mësojnë edhe të huajt. Në kuadrin e fazës së tretë të projektit me titull "Edukimi i emigrantëve të riatdhesuar”, i cili merret me grupe të nxënësve në shkollat e mesme, po synohet nxitja e integrimit të fëmijëve, duke i shpërndarë nëpër shkollat e gjithë vendit”, - informojnë pranë KE-së zyrtarët grekë.

Box 1 STATISTIKAT
Shqiptarët arrijnë 5-7 për qind të popullsisë së Greqisë

Numri i shqiptarëve që kanë emigruar në Greqi ka arritur në nivele të larta, dhe sot komuniteti i tyre përbën 5-7 për qind të popullsisë së vendit. Një statistikë e tillë është dhënë nga raporti monitorues i Këshillit të Europës. Autoritetet greke informuan ECRI-n se Greqia ka nënshkruar një marrëveshje ripranimi me Shqipërinë, gjë që e bën më të thjeshtë kthimin në vendin e tyre të të gjithë personave që jetojnë ilegalisht në territorin grek. Të njëjtin problem ka pasur Athina zyrtare edhe me Turqinë, por ka firmosur të njëjtën marrëveshje edhe me Athinën zyrtare. Burimet zyrtare informojnë KE-në se kanë rikthyer në territorin turk 193 emigrantë të paligjshëm gjatë 6-mujorit të parë të vitit 2008. Ndërkaq, numri në total i personave të riatdhesuar gjatë 18 muajve të fundit ka arritur në 58 602 persona, të cilët ishin vendosur në qendrat e paraburgimit.

PIKAT E KRITIKUESHME TË RAPORTIT

- Emigrantët nuk trajnohen sipas tregut të punës
- Të huajt punojnë në kushte poshtë standardeve
- Marrin paga të ulëta, sidomos në sektorin e bujqësisë
- Një pjesë e madhe punojnë në punë informale
- Nuk gëzojnë trajtim social si shtetasit grekë
- Nuk janë vënë para ligjit dhunuesit e emigrantëve

STATISTIKA

30-50 për qind është tregu informal i emigrantëve në Greqi
332 klasa për mësimin e fëmijëve të emigrantëve
4437 nxënës janë integruar në shkollat greke
16.4% e të huajve të anketuar pohojnë aktet raciste
58.602 persona ilegalë u riatdhesuan për 18 muajt e fundit

16 Shtator 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›