E Shtunë, 31 Tetor 2026

Goditjet në kokë, zbulohet pajisja e re për skanimin e trurit



Goditjet në tru janë shkaktari i tretë kryesor i vdekjes së njerëzve si dhe shkaktari kryesor i cili shkakton paaftësitë tek adoleshentët. Për rreth 4.5 milionë të vdekur me goditje janë raportuar në vitin 1990, kurse në vitin 2020 parashikohet të ketë rreth 7.7 milion të vdekur nga goditjet në tru. Por lajmet e mira janë që mjekimet ekzistojnë dhe zvogëlojnë mjaft mirë dëmet që shkaktohen nga goditjet në tru. Në rastet e lëndimeve në kokë, njeriu ka vetëm një alternativë, që është vizita në spital për të përcaktuar shkallën e dëmit. Por tani, me zhvillimin e një pajisjeje portative për skanimin e trurit, kjo praktikë mund të ndryshojë, dhe madje në shumë raste mund të parandalojë edhe vdekje. Aktorja britanike, Natasha Richardson ndodhej në kulmin e saj si në jetë edhe në karrierë. Ajo ishte bijë e aktores së njohur Venesa Redgrave, dhe bashkëshorte e aktorit me prejardhje irlandeze Liam Neeson. Por, në moshën 45-vjeçare, Natasha vdiq nga një lëndim në tru, pas rrëzimit gjatë ecjes me ski. Majkëll Singer, shef i Qendrës BrainSkope, pjesë e kompanisë America on Line thotë se një pajisje skanimi për të cilën po punon kjo firmë, mund t’i kishte shpëtuar jetën aktores, sepse do të kishte përcaktuar menjëherë shkallën e lëndimit në tru.
Diagnostikimi
Aparate për skanimin e trurit sot mund të gjenden vetëm nëpër spitale. Ato janë të kushtueshme dhe kërkojnë teknikë të specializuar për përdorim. Por, Singer thotë se pajisja e firmës BrainScope, e cila është ende në zhvillim e sipër, do të jetë portative, do të punojë me bateri dhe është shumë e thjeshtë për t’u përdorur. Qendra për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve përllogarit se 1,4 milionë njerëz pësojnë çdo vit lëndime traumatike në tru. Por ky numër mund të jetë edhe më i lartë, sepse shumë lëndime në tru kalojnë pa u diktuar dhe padiagnostikuar. Ndërsa, doktor Dan Kohen thotë se numri i saktë i lëndimeve traumatike në tru është vështirë të përcaktohet. Shumë njerëz pësojnë goditje a tronditje në kokë, ndjejnë trullosje për pak çaste, por kurrë nuk shikojnë tek mjeku për diagnostikim. Doktor Kohen, ish mjek në Pentagon, tani punon si këshilltar shëndeti. Ai thotë se diagnostikimi sa më i shpejtë i goditjeve në tru ka shumë rëndësi, sepse tronditje sado e vogël mund të bëhet shkak për dëmtim afatgjatë të trurit. Doktor Kohen thotë se 20 për qind e ushtarëve amerikanë në Irak e Afganistan kthehen nga lufta me shkallë të ndryshme lëndimesh në tru. Ata shpesh nuk u kushtojnë rëndësi lëndimeve të lehta, më shumë për çështje kohe, sepse për një diagnostikim duhet shkuar në spital, dhe për këtë mund të duhet të shkëputesh nga puna që bën.
Pajisja
Tani për tani nuk ka pajisje tjetër për skanimin e trurit, veçse aparateve të mëdhenj të instaluara nëpër spitale, dhe në terren, provat për të vlerësuar shkallën e lëndimeve në kokë janë si të thuash, primitive. Pacientit i kërkohet të numërojë gishat e dorës dhe vetëm kaq. Doktor Kohen thotë se është ende herët të flitet mbi vlerat e pajisjes së re që po zhvillon firma BrainSkop, por kërkimet duken shpresëdhënëse. Ai e krahason pajisjen e re portative të skanimit të trurit me ato që përdoren nga ekipet mjekësore të ndihmës së shpejtë, që cilat vendosen në gjoksin e pacientit për të përcaktuar shkallën e rrezikut të ndonjë goditjeje të mundshme në zemër. Ndërkohë, ekspertët pranë firmës BrainSkop vazhdojnë provat. Pajisja e tyre do t’i paraqitet për shqyrtim administratës së ushqimeve dhe barnave brenda një viti. Vdekja kohët e fundit e senator Ted Kenedit i ka bërë shumë njerëz më të vetëdijshëm rreth kancerit në tru, veçanërisht atij malinj të quajtur glioma, i cili morri jetën e senatorit. Gliomat malinje janë llojet më të shpeshta të kancerit në tru. Pak pacientë mbijetojnë, 18 muaj pas diagnostikimit me këtë lloj kanceri.
Kanceri
Doktor Xhon Sampson, i Universitetit “Duke” thotë se arsyeja e një prognoze të tillë është se në kancerin në tru luajnë rol shumë lloje qelizash. Për shembull, një qelizë reagon ndaj kimioterapisë; një tjetër ndaj rrezeve, por qeliza e tretë nuk reagon ndaj asnjë lloj trajtimi. Kjo e bën kancerin në tru, mjaft të vështirë për t’u trajtuar e jo më pastaj për t’u kuruar. Kohët e fundit, shkencëtarët pranë Universitetit Duke kanë filluar provat për një vaksinë e cila mund të ndihmojë sistemin imunitar të trupit, të godasë qelizat e kancerit në tru. Provat e deritanishme klinike kanë treguar se pacientët po mbijetojnë dy herë më gjatë sesa parashikohej. Madje ka pacientë që duke marrë një vaksinë në muaj kanë mundur të mbijetojnë 5 vjet me kancer në tru. Eksperimente po bëhen edhe me barna që bllokojnë furnizimin me gjak të qelizave kanceroze dhe si rrjedhim tumoret zvogëlohen deri në 60 për qind. Shumë mjekë thonë se përdorimi i kombinuar i disa mënyrave trajtimesh menjëherë pas diagnostikimit do të jetë ndoshta metoda më e mirë për të luftuar kancerin në tru.

Goditjet në tru, llojet dhe pasojat

Për të kapur në kohë goditjet në tru, ju duhet t’i njihni simptomat e një goditjeje në tru dhe të arrini në spital në mënyrë të shpejtë. Marrja e mjekimit brenda 60 minutave mund parandaloj paaftësitë. Një goditje, ndonjëherë quhet një “sulm në tru” ndodh kur rrjedhja e gjakut në tru është ndërprerë. Kur një sulm ndodh, qelizat në një hapësirë të trurit menjëherë fillojnë të vdesin, sepse ndalojnë së marri oksigjen (O2) dhe lëndë tjera ushqyese me të cilat qelizave u duhet të funksionojnë. Përveç goditjeve aksidentale, ekzistojnë dy lloje të goditjeve në tru në, nga të cilat sulmi nuk vjen nga jashtë, por nga brenda organizmit. E para, quhet goditja ishemike, e cila shkaktohet nga një lëmsh gjaku i cili e bllokon apo i vë “tapë” një ene të gjakut apo arterie në tru. Rreth 80 për qind e të gjitha rasteve me goditje në tru janë ishemike. Goditja e dytë, e njohur si goditja hemorragjike, shkaktohet nga një enë e gjakut në tru që e çan enën dhe gjaku rrjedh në tru. Rreth 20 për qind e goditjeve në tru janë hemorragjike. Edhe pse goditjet në tru janë një sëmundje vetëm e trurit, mund të ndikojnë edhe në tërë trupin. Efektet e një sulmi apo goditje sillen nga ato më të lehtat deri tek ato më të fortat dhe mund të përfshijnë paraliza, probleme me të menduar, probleme me të folur dhe probleme emocionale. Pacientët gjithashtu mund ndiejnë dhembje apo mpirje pas një sulmi në tru. Për këtë është e rëndësishme njohja e shenjave të goditjes në tru, sepse sulmi e dëmton trurin, dhe ju ndoshta as që nuk e vëreni që keni pasur sulm. Tek dikush tjetër sulmi dallohet qartë, duket i pavetëdijshëm apo i hutuar. Viktimat e sulmeve kanë rastin më të mirë se nëse dikush ndodhet afër tyre mund t’i dalloj qartë simptomat dhe vepron shpejtë. Goditja në tru është një emergjencë mjekësore. Çdo minutë llogaritet kur dikush ka një sulm në tru. Rrjedhja afatgjate në tru është ndërprerje e trurit, dëmi është më i madh. Mjekimi i menjëhershëm mund t’i ruaj jetët e njerëzve dhe rrit mundësitë për shërim të suksesshëm. Goditjet ishemike, janë llojet më të shpeshta të goditjeve, që mund të mjekohen me barin e quajtur t-PA, i cili e shpërbën lëmshin e gjakut i cili e ka bllokuar rrjedhjen e gjakut në tru. Dritarja e mundësisë së fillimit të mjekimit të pacientëve me goditje është 3 orë, por llogaritur këtu edhe marrjen e mjekimit, pacientët duhet që të arrijnë në spital brenda 60 minutave.

Simptomat e goditjeve në tru
Simptomat e sulmeve janë të qarta sepse ndodhin shpejtë:
Mpirje apo ligështi e papritur e fytyrës, krahut apo këmbës (veçanërisht në njërën anë të trupit)
Huti e papritur, të folur të turbullt apo kuptim se nuk flet fjalim të qartë
Shikim i paqartë dhe i papritur në njërin apo në të dy sytë
Ecje e çrregullt dhe e papritur, marramendje, humbje e ekuilibrit apo e drejtpeshimit
Dhimbje koke të forta dhe të ashpra pa ndonjë shkak të njohur

Faktorët e rrezikut
Shtypja e lartë e gjakut
Sëmundjet e zemrës
Duhani
Diabeti
Sasia e lartë e kolesterolit

16 Shtator 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›