Universiteti i Tiranës përcakton procedurat për legalizimin e dokumenteve
Jonida Tashi
Universiteti i Tiranës përcakton procedurat që duhet të ndjekin të gjithë të diplomuarit pranë tij ose studentët aktualë për të kryer legalizimin e dokumenteve. Kështu, kujt prej të interesuarve që i nevojitet një dokument i legalizuar nga Universiteti i Tiranës (UT), për punësim, studime të mëtejshme jashtë vendit, ose motive të tjera, duhet të dorëzojë në Drejtorinë e Komunikimit pranë këtij institucioni dokumentin që kërkon të legalizojë. Burime zyrtare nga Universiteti i Tiranës, bëjnë të ditur se për të legalizuar dokumentet pranë këtij institucioni, për brenda territorit të vendit ndiqet procedura e mëposhtme.
Procedura
Pikësëpari që një dokument të marrë vulën e njohjes nga Universiteti i Tiranës, duhet të jenë të lëshuara nga njëri prej tetë fakulteteve në varësi të tij që janë: Fakulteti Ekonomik, Fakulteti Juridik, Fakulteti Histori-Filologji, Fakulteti Gjuhëve të Huaja, Fakulteti i Shkencave Sociale, Fakulteti i Mjekësisë, Fakulteti i Infermierisë, Fakulteti i Shkencave Sociale. Dokumentet që verifikohen janë për legalizimin janë: Diplomë; Listë notash; Program mësimor; Vërtetime; Mbrojte gjuhe pranë Fakultetit të Gjuhëve të Huaja; Diplomë specializimi; Listë notash specializim etj. Për të kryer legalizimin e njërit prej dokumenteve të mësipërme, të interesuarit duhet të bëjnë një pagesë prej 400 lekësh pranë Bankës Kredins (Lënda konfirmim dokumentesh për Rektoratin me Nr.Llogarie 589007). Drejtoria e Komunikimit në Universitetin e Tiranës sqaron se procedura e legalizimit të dokumenteve zgjat 12 ditë. Pas kalimit të këtij harku kohor, personat që kanë kërkuar të legalizojnë dokumente në Universitetin e Tiranës, duhet të paraqiten po në Drejtorinë e Komunikimit për të bërë tërheqjen e tyre.
Jashtë vendit
Të tjera kushte kanë vendosur drejtuesit e universitetit më të madh në vend për nga numri i studentëve, për legalizimin e dokumenteve jashtë territorit të Shqipërisë. Kështu, ndryshe nga procedura që ndiqet për legalizimin e dokumenteve brenda vendit, për jashtë kufijve të tij, personi i interesuar nuk mund t’i drejtohet personalisht Universitetit të Tiranës, por vetëm nëpërmjet një institucioni zyrtar. Konkretisht, specialistët e Drejtorisë së Komunikimit në UT shpjegojnë se nuk i kanë dërguar asnjëherë dokumente institucioneve jashtë vendit me kërkesën e të interesuarve, por vetëm atëherë kur vihen në lëvizje me kërkesë zyrtare nga vetë institucioni. Sipas Drejtorisë së Komunikimit, institucionit që ka dërguar kërkesën për konfirmim, i dërgohet një shkresë ku vërtetohet ose jo origjinaliteti i dokumentacionit, e cila nuk shoqërohet me asnjë dokumentacion shtesë. Ashtu si edhe për legalizimin brenda vendit, edhe për dokumentet që kërkohen të legalizohen nga jashtë duhet kryer një pagesë pranë Bankës Kredins prej 30 euro në numrin e llogarisë 589007 (Lënda konfirmim dokumentesh për Rektoratin). Për shkak të hapësirës gjeografike, procedura e legalizimit të
dokumenteve nga jashtë territorit zgjatë më shumë se brenda tij, afro një muaj.
Procedura për legalizim dokumentacioni
Konfirmim dokumentesh për Rektoratin e UT-së
Brenda territorit të Republikës së Shqipërisë
Për të legalizuar dokumentet pranë këtij institucioni duhet ndjekur kjo procedurë:
Dokumentet duhet të jenë të lëshuara nga fakultetet e Universitetit të Tiranës (Fakulteti Ekonomik, Fakulteti Juridik, Fakulteti Histori-Filologji, Fakulteti Gjuhëve të Huaja, Fakulteti i Shkencave Sociale, Fakulteti i Mjekësisë, Fakulteti i Infermierisë, Fakulteti i Shkencave Sociale)
Dokumentet që verifikohen janë:
Diplomë
Listë notash
Program mësimor
Vërtetime
Mbrojte gjuhe pranë Fakultetit të Gjuhëve të Huaja
Diplomë specializim
Listë notash specializim etj.
Pagesë prej 400 lekësh pranë Bankës Kredins: Lënda Konfirmim dokumentesh për Rektoratin me Nr.Llogarie 589007
Procedura zgjat 12 ditë
Dokumentet dorëzohen pranë Drejtorisë së Komunikimit në UT
Konfirmim dokumentesh për Rektoratin e UT-së
Jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë
Duhet kryer një pagesë pranë Bankës Kredins prej 30 euro në Nr.Llogarie 589007 (Lënda konfirmim dokumentesh për Rektoratin)
Procedura zgjat një muaj
Insitucionit që ka dërguar kërkesën për konfirmim, i dërgohet një shkresë ku vërtetohet ose jo origjinaliteti i dokumentacionit. Kjo shkresë nuk shoqërohet me asnjë dokumentacion shtesë
Asnjëherë nuk i dërgohen dokumente institucioneve jashtë vendit me kërkesën e të interesuarve, por vetëm atëherë kur vetë institucioni bën kërkesë zyrtare
Mosnjohja e diplomës
Të sapodiplomuarit: “Do të hedhim në gjyq MASH-in, ose do të futemi në grevë”
Gati 2 mijë të sapodiplomuar në vend, që nuk i’u njihet diploma kanë marrë një vendim paraprak për zgjidhjen e problemit të tyre. Sipas tyre, janë nxjerrë dy alternativa, të hedhin në gjyq Ministrinë e Arsimit, që është rruga ligjore, ose të futen në grevë urie që është një reagim social ekstrem. Studentët, të cilët prej tri ditësh kanë qëndruar përpara dikasterit të Arsimit për të marrë një përgjigje nga ky institucion, deklarojnë se njërën prej dy alternativave të mësipërme do ta zbatojnë. Të paktën afro 1500 studentëve të diplomuar gjatë vitit akademik 2008-2009 në fakultetet juridike në vend, nuk iu njihet diploma, edhe pse janë arsimuar në universitete publike. Por, pjesë e nismës së studentëve të sapodiplomuar nuk janë i janë bashkuar vetëm ata që kanë mbaruar Fakultetin Juridik në kryeqytet, por edhe studentët e Universitetit të Vlorës dhe Shkodrës. Edhe pse kanë përfunduar studimet e larta në të njëjtën degë, Juridik, studentët e Universitetit të Vlorës, nuk janë trajtuar njësoj si ata të Tiranës. Në diplomën e këtyre të fundit, nuk është specifikuar titulli “Jurist”, por thjesht emërtimi, që kanë mbaruar shkollën e lartë për Drejtësi. Pavarësisht problemit të mësipërm, për të dyja palët tani ka dalë një problem edhe më i madh që është i mospasjes së një diplome të vlefshme për tregun e punës, madje as për të vazhduar studimet pasuniversitare. Megjithë kërkesat e vazhdueshme të studentëve për zgjidhjen e problemit, Ministria e Arsimit nuk i ka dhënë ende një zgjidhje këtij ngërçi. Për këtë çështje, drejtuesit e Arsimit fajësojnë fakultetet, që nuk i kanë regjistruar studentët sipas cikleve të studimit. Ndërsa nga ana e tyre, fakultetet pretendojnë, se i kanë kryer të gjitha detyrimet ligjore. Deri tani, kjo lojë ndërinstitucionale i ka dhënë efektet e saj të para negative, duke lënë kështu me një diplomë të pavlerë në xhep, çdo të sapodiplomuar për Juridik.
16 Shtator 2009