A e di Rama cili është çmimi i bojkotit?

Bojkoti rrezikon të ngadalësojë ritmin e integrimit të vendit në BE dhe të bllokojë miratimin e reformave që kërkojnë një konsensus të gjerë parlamentar. Shoqërimi i bojkotit
me kërcënime kineze për protesta synon ta përfshijë vendin në hartën e vendeve potencialisht të destabilizuara, por ky do të ishte një çmim shumë i lartë, që s’mund të përballohet nga skrupujt e një demokracie ende të pakonsoliduar si demokracia shqiptare. Ky është një çmim shumë i lartë për një shoqëri të etur për t’u integruar në Perëndim. Pyetja është: Po vetë Rama, a e di se sa e ka çmimin e bojkotit? Edvini e zyrtarizoi dje se s’ka ndërmend të ndalet në aksionin e tij për të bojkotuar të gjitha institucionet e shtetit shqiptar, bile ai përshkallëzoi linjën, teksa shpërndau “kasnecët” parlamentarë në terren, për të testuar mundësitë e nisjes së protestave... As deklarimet e ndërkombëtarëve, as vlerësimi unanim i KQZ-së, as partnerët e tij politikë në të majtë e as opinioni publik nuk e ndalin Edvinin në marrinë e tij politike. Ai ka dëgjuar “zëra nga lart” dhe duket i vendosur për t’i shkuar deri në fund aksionin politik të bojkotimit. Tashmë është konsumuar seanca e dytë e Kuvendit dhe është rasti për të bërë një prognozë se ku na çon kjo lëvizje politike. Çmimi i bojkotit është parasëgjithash dhe padyshim një kosto e rëndë për kursin e reformave që ka ndërmarrë vendi. Një listë e gjatë projektligjesh që janë detyrime të marrëveshjs ad interim të Shqipërisë me Bashkimin Evropian kërkojnë një shumicë të cilësuar – mundësisht një konsensus të gjerë parlamentar – dhe ky quoruum do të mungojë në parlament. Prej këndej, ritmi i integrimit të Shqipërisë në BE do të ngadalësohet. Harta e rrugës që garanton heqjen e vizave për shtetasit shqiptarë që do të duan të udhëtojnë në listën e vendeve “Shengen” afërsisht do të shihet me sy të vëngër nga burokratë të Brukselit, të cilët do të duan që në oborrin e pasëm të Evropës të mos ketë në shekullin 21 handicap-e të tilla, si ky bojkoti i Edvinit. Përralla me protesta (edhe më optimistët majtistë e dinë, se Edvini s’mbledh dot kurrë njerëz, sa për të mos u turpëruar në Sheshin “Skëndërbej”) synon artikulimin e tezave që kanë të bëjnë me ripërfshirjen e Shqipërisë në hartën e vendeve me potencial destabilizimi. Kërcënimet pa bukë synojnë t’u thonë ndërkombëtarëve se në Shqipëri ekziston një opozitë e cila vë në pikëpyetje gjithçka, vë në pikëpyetje institucionet, e cila nuk bashkëpunon për reformat... Prite kur shprehjet me gjysëm zëri të Ditmir Sulejman Bushatit se s’ka çna duhet mendimi i Evropës, se ne e dimë vetë se ku pikon “çatia e Shqipërisë”, të shndërrohen në qendrimin zyrtar të Edvinit, se ndoshta Shqipëria s’ka pse ta ketë prioritet anëtarësimin e shpejtë në BE, se vendi mund të mendohet edhe njëherë për orientimin drejt Perëndimit, e se ndoshta konfigurime gjeostrategjike me orientim lindor, mesdhetar apo neutral mund të rimerren në konsideratë. Kontestime të kësaj natyre po shfaqen si pjesë e aksionit politik të Edvinit për të mbetur në krye të Partisë Socialiste, për të rikthyer trustin e lejeve të ndërtimit në Bashkinë e Tiranës e ndoshta edhe për të pretenduar më tej daljen nga statusi i kufomës politike ku ka rënë dhe shndërrimin në ortak të pushtetit ekzekutiv... Por kjo hartë rruge e aksionit të ylberistëve të Edvinit po e shton koston tonë. Çmimi i bojkotit po reflekton një çmim shumë i lartë, i cili s’ka pse të paguhet, veç për shkak të skrupujve politikë, që ndoshta po na rriten më shumë sesa shtati i demokracisë shqiptare. Skrupuj të kësaj natyre mund të respektohen edhe pak kohë, por më tej çmimi i bojkotit do të shndërrohej në një çmim që na cenon lirinë, do të shndërrohej në një çmim gjaku. Kjo pjesë e ekuacionit politik tashmë është e lexueshme prej të gjithëve, megjithatë, specialistët e politikës dinë të lexojnë edhe çmimin që ka bojkoti për fatin personal të Edvinit... Është një çmim që duhet ta lexojë edhe vetë kryetari mandatprerë i PS-së dhe kryetari me korrespondencë i Bashkisë së Tiranës...