E Diel, 1 Nëntor 2026

Mbërrin në Presidencë propozimi për riemërimin e Sali Berishës si Kryeministër për mandatin e ardhshëm

Kërkesa e PD-së dhe e koalicionit fitues shënon hapin e parë drejt mandatit të dytë qeverisë TIRANE – Mbërrin në presidencë, propozimi i Grupit Parlamentar të PD-ës, për emrin e Sali Berishës si Kryeministër edhe për mandatin e ardhshëm qeverisë së mazhorancës. Pas seancës së mbrëmshme, ku deputetë u betuan, sipas burimeve nga Partia Demokratike, mësohet se nëpërmjet një shkrese zyrtare, në emër të koalicionit fitues të zgjedhjeve të 28 qershorit 2009, i është kërkuar Presidentit të Republikës të emërojë Sali Berishën, si Kryeministër të Shqipërisë. Kjo kërkesë shënon edhe hapin e parë drejt mandatit të dytë të Sali Berishës si kryeministër. Pas këtij propozimi, Presidenti i Republikës, në zbatim edhe të nenit 96 të Kushtetutës, emëron Kryeministrin me propozim të partisë ose koalicionit të partive, që ka shumicën e vendeve në Kuvend. Kryeministri i emëruar nga presidenti i republikës, sipas nenit 97 të Kushtetutës së republikës, i paraqet për miratim Kuvendit brenda 10 ditëve, programin politik të Këshillit të Ministrave së bashku me përbërjen e tij. Kryeministri Sali Berisha, Kryetari i PD-së, u konfirmua në 28 qershor 2009 si fitues i zgjedhjeve të përgjithshme. Me 68 mandatet e fituara nga PD-ja dhe dy mandatet e partive aleate PDI dhe PR, PD-së iu bashkëngjit në koalicionin qeverisë LSI, kryetari i së cilës Ilir Meta, pranoi ftesën e Sali Berishës, për bashkëqeverisje. Prej ditësh ky koalicion është zyrtarizuar, sipas të cilit LSI përfaqësohet në qeverinë e re, me postin e zëvendëskryeministrit si dhe të ministrave të Jashtëm, të Energjetikës dhe të Shëndetësisë. Po kështu, sipas marrëveshjes, LSI do të përfaqësohet në nivelet e tjera të qeverisjes në masën e 20 për qindëshit të vendeve. Marrëveshje kryetari i PD-së, Sali Berisha ka nënshkruar edhe me kreun e PR-së, Fatmir Mediu, i cili pritet të ketë Ministri i Mjedisit. Ndërkohë pritet që në ditët e ardhshme, Kryetari i PD-së, të nënshkruajë marrëveshje edhe me krerët e partive të tjera, aleate në zgjedhje.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›