A e di politika kush janë armiqtë e saj realë?
Nëse shtrojmë pyetjen se si qeverisemi në ditët tona, përgjigja do të ishte se qeverisemi “prej shteteve të cilat zotërojnë pushtet për të ndikuar në jetët tona. Ato na mbrojnë jo vetëm nga sulmet kundër jetës dhe pasurisë sonë, por gjithashtu na disiplinojnë në mënyra të panumërta duke i dhënë formë mënyrës se si duhet të fitojmë jetesën…” - (David Miller, “Filozofia politike”, faqe 31).
E ka shteti ynë këtë fuqi? Janë autoritete politike pushtetarët tanë? Nga ana formale shtetin e kemi, madje që nga viti 1912. Po ky shtet me këto pushtete në përbërjen e tij, ka krijuar kontradikta me shoqërinë civile e me përbërësit e saj. Segmente të veçanta të shtetit, kontradiktën e kanë thelluar aq shumë me grupe të veçanta të interesit apo edhe me grupe të veçanta të shoqërisë në tërësi, që, në mjaft raste e kanë kthyer në konfliktuale. Le të sjellim në kujtesë 1997-ën. Nga mosfunksionimi i shtetit e nga rënia e tij, u “pre” në mes jeta e mbi 4000 të rinjve e të rejave; deti përpiu një anije të tërë me gra e fëmijë, se shtetit iu verbuan sytë e iu shurdhuan veshët për të parë e për të dëgjuar qytetarët e tij të varfër e të papunë; miliarda lekë të qytetarëve të groposura nga shoqëritë piramidale; rrëmbimi i djersës së popullit nga individë pa identitet e pa moral…Dhe po ta vazhdojmë ndër vite kemi qindra e mijëra jetë të sapo nisura të ngujuar nën trysninë e egër të vetëgjyqësisë; fëmijë, gra e të moshuar të vrarë nga vala goditëse e Gërdecit…
Konfliktet, antagonizmat mes segmenteve të caktuara të shtetit me qytetarët e vet ekzistojnë realisht, ato janë pasojë e mos ndërtimit të “urave”, të mosvënies në lëvizje të debateve e dialogëve konstruktivë e në mosarritjen e një konsensusi të gjerë, siç u arrit praktikisht në seancën e fundit të këtij Parlamenti.
Segmente të veçanta të politikës kanë rënë në kontradiktë me qytetarin, se ajo (politika) ende nuk po kupton si duhet se në demokraci, armiq të vërtetë janë varfëria, papunësia, krimi i organizuar, nepotizmi, vetëgjyqësia…me të cilët në praktikë toleranca duhet të jetë zero. Politika nuk po kupton se pasoja e varfërisë e kërcënimi i urisë vjen edhe nga lënia e tokave djerrë e nga mosdëgjimi i zhurmës së traktorëve dhe e makinave bujqësore edhe në Myzeqe, që është hambari i Shqipërisë.