Atësia e fëmijës, PD: Dyshimet, në procesverbalin e Ramës
PD-ja përmes zëdhënëses Erla Mëhilli zbardhi dje pjesën tjetër të sagmës që Edvin Rama i ka bërë familjes së tij. Bëhet fjalë për procesverbalin e mbajtur në procesin gjyqësor të divorcit të kryetarit të PS-së, Edvin Rama, me bashkëshorten e tij të parë. Mëhilli vuri në dukje: “Shtypi na njohu me akuzat monstruoze që ky zotëri ka bërë në adresë të ish-bashkëshortes së tij dhe të atit të tij”. Ajo lexoi para gazetarëve një pjesë tjetër të procesverbalit origjinal të publikuar. “I pandehuri pretendon se ai nuk lind fëmijë për arsye mjekësore dhe nuk ka pranuar të quhet fëmija i tij. Megjithatë, i pandehuri nuk ka pranuar ekzaminime laboratorike, kështu që çështja e atësisë së fëmijës nuk është në dyshim. Paditësja thotë se ai e ka akuzuar se gjatë verës së kaluar ka shkuar me pushime në Vlorë e vetme, e shoqëruar nga prindërit e tij, Kristaqi dhe Aneta. Kjo kohë, sipas tij (pra, Edvin Ramës), koençidon me periudhën e shtatzënisë”. Gjykata ka marrë si provë edhe grupin e gjakut të të birit, i cili rezulton që të ketë pasur të njëjtin grup gjaku me atë të Ramës, por edhe kjo provë e sjellë nga gjykata nuk e ka bindur Ramën që të pranojë atësinë e fëmijës. E gjitha kjo, sipas procesverbalit të mbajtur në gjykatë”, - tha më tej Mëhilli. “Qytetarë dhe qytetare, ja pra kush është Edvin Rama, përbindëshi i vlerave familjare. Këto fakte të rënda nuk janë sajesa të PD-së, por janë e vërteta lakuriqe dhe e shëmtuar, protagonisti i vetëm i së cilës është Edvin Kristaq Rama, kryetari aktual i Partisë Socialiste, i njohur sot ndryshe me emrin Edi Rama, për të cilat nuk ka gjethe fiku as papagaj e lakej që ai mund të përdorë për t’i mbuluar ato. Ky njeri nuk mund të ketë më shumë për zemër votën e lirë të shqiptarëve, vizat e shqiptarëve, integrimin e shqiptarëve, të ardhmen evropiane të shqiptarëve, të ardhmen e fëmijëve të shqiptarëve më shumë se ç’ka pasur për zemër fatin e fëmijës së tij, nderin e babait dhe familjes së tij”, - përfundoi znj. Mëhilli.