A është Erjon Braçe, 20 përqindësh i mafies?
Ndodh që në natën e 11 prillit të vitit 2004, prokuroria italiane është në gjurmën e njerëzve të Bandës së Lushnjës. Në orën 22.53 të kësaj nate, në numrin 338/8837418, në përdorim të Alxhi Nallbanit, i quajtur Xhili, policia italiane kap një telefonatë drejt numrit turk 0090/5442172483, në përdorim të Alfred Shkurtit, përndryshe Aldo Bare, ku ky i fundit pyet nipin e tij, Alxhi, nëse i ka përfunduar "punët". Alxhi përgjigjet se ka bërë "diskutimet", dhe vazhdonte duke sqaruar se do të qëndronte në Itali edhe për dy ose tre ditë të tjera.
Mirëpo këtu ka një problem: në “diskutimet” ose pazaret e mafies përfliten emra e mbiemra të së Majtës shqiptare, të cilët kishin pushtet për të dhënë leje dhe tendera. Aldo Bare në këtë bisedë telefonike flet për nevojën për të “siguruar” garën e tenderit për ndërtimin e autostradës Fier-Lushnje. Dhe për këtë punë kishin pasur fjalë me një eksponent të lartë socialist, bile ky i fundit ishte dhe gazetar i Zërit të Popullit. Në bisedë përmendet shpesh emri i Erjon Braçes, deputet dhe eksponenti socialist që në atë kohë drejtonte dhe gazetën "Zëri i Popullit", në komunikimin me pjesëtarë të organizatës së dyshuar kriminale, kishte deklaruar se gara e tenderit do të fitohej nga disa sipërmarrës të njohur nga ai. Njeriu që lidhte Aldo Baren dhe Erjon Braçen ishte Renardo Nallbani, shkurt Nardi, i cili në telefonata thoshte shpesh se kishte folur me Braçen, për tenderin e rrugës.
Sidoqoftë nga këto telefonata del se nënkryetari i Grupit parlamentar të PS, Erion Braçe, konsiderohet si një nga njerëzit e besuar të bandës kriminale të Aldo Bares dhe si një sekser i kësaj bande. Grupi kriminal me të paktën 20 anëtarë, disa prej të cilëve po gjykohen në Tiranë dhe të tjerë në Torino të Italisë, akuzohet se ka kryer një seri vrasjesh dhe krimesh të tjera të rënda gjatë dekadës së kaluar, kryesisht në Lushnje dhe Tiranë. Bare është arrestuar në Turqi, dhe është ekstraduar në Shqipëri.
Përtej kësaj, Erjon Braçe ka hesape të tjera për të larë. Pa dyshim CD-ja me video ku mafiozi ballkanik, Daut Kadriovski akuzon hapur fare Edi Ramën dhe Erjon Braçen se janë përfshirë në përdorim dhe në trafik droge, por jo vetëm kaq, por kanë marrë pjesë dhe në dy vrasje. Sipas tij, një grua që mban emrin Vera është vrarë nga këta dy persona në Tiranë, ndërsa viktima e dytë e dyshes Rama-Braçe sipas Kadriovskit është një mashkull, i cili është hedhur nga ballkoni i katit të gjashtë të një ndërtese në kryeqytetin maqedon, Shkup.
Socialistët i ka zënë një hall i madh. Prandaj kërkojnë mbrojtjen e shtetit shqiptar që t’i shpëtojë nga hakmarrja e mafies. Eksponentë të malavitës shqiptare, ballkanike dhe asaj europiane sa herë arrestohen dëftejnë për lidhjet e tyre me eksponentë të Partisë Socialiste, por edhe në këtë rast shtetit shqiptar i lind nevoja të ofrojë sa të mundet ndihmë për djemtë e tij plangprishës.