E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha shpejton rrëzimin e vet

Shpesh është thënë se, ndërsa neurotikët nuk e bëjnë veten të lumtur, ata me personalitet të çrregulluar nuk i lënë të tjerët të jenë të lumtur. Kjo sintezë përvojash dhe hulumtimesh është vërtetuar mes nesh edhe gjatë viteve të fundit, kur në krye të pushtetit qëndron një njeri, i cili i shmanget përballjes me realitetin dhe i pengon bashkëqytetarët të mësojnë të vërtetën, për të zgjedhur me vullnet të lirë rrugën e së ardhmes.
Produkti më ogurzi i këtij pengimi të vazhdueshëm ka marrë prej rreth 18 muajsh rresht formën e një ngërçi të rëndë politik, që ndërkohë u ka zënë frymën ekonomisë dhe institucioneve të vendit, me çka u paraqitën amplituda të theksuara shqetësueshëm: rritje e nivelit të papunësisë, ulje e treguesit të të ardhurave, shkurtim i trajektores së investimeve, ngushtim i sferës së prodhimeve, refuzim i statusit të vendit kandidat për në Bashkimin Europian...
Dhe, megjithëqë kur njerëzit kërkojnë t’i shmangen ndonjë pengese zakonisht e gjejnë shpëtimin te ndonjë ‘rrugicë’ më e shpejtë, për ne as kjo e fundit nuk qenka fort e lehtë. Sepse, me kategorinë e katërt për liberalizimin e vizave në ‘Zonën Shengen’, që iu akordua së fundmi Shqipërisë, shtetasit e saj po e ndjejnë, po e kuptojnë dhe po e provojnë se, më së shumti në Europë nuk shkohet për të fituar, por për të harxhuar, se kur nuk i ke as ato monedha që nevojiten në Kontinentin e vjetër për ta vizituar, do të të duhet të kthehesh mbrapsht në tokën tënde, me rrëshqitjen e së cilës për t’u përballuar.
Prandaj, pardje shumëkush vendosi ta shporrë gjumin për të ndjekur seancën plenare të parashikuar si e fundit e këtij sesioni parlamentar. Mbajti sytë hapur deri sa nata ia la vendin agimit, por që debatet e zgjatura nuk ia lanë vendin konsensusit. Përse ndodhi kështu? Nuk është e drejtë të lexosh a të dëgjosh vetëm përmbledhjen ose epilogun e një drame, por nëse kjo përmbledhje apo epilog përbën esencën e saj, atëherë edhe në pak kohë mund të kuptosh që gënjeshtra nuk tregon rrugën e duhur.
Ishte po ai, protagonisti Berisha, i cili ndonëse në fillim të krizës, për ta shuar shpejt atë tentoi mashtrimin, duke i ofruar opozitës kryesimin dhe shumicën e anëtarëve në komisionin hetimor për transparencën e zgjedhjeve të 28 qershorit të vitit të kaluar, tani haptazi nuk pranon kërkesën e opozitës me shprehje të një cinizmi brutal: “Maxhoranca është e hapur të bashkëpunojë me opozitën dhe t’i japë asaj shumicën në komisionin hetimor. Por, hetimi për zgjedhjet nuk mund të bëhet pa fakte e prova...Më thoni, a ekziston një kërkesë që në çdo nen të kërkojë hetim, hetim, hetim dhe në asnjë vend pa iu referuar fakteve?” – sokëllinte ai. E njëjta logjikë refuzuese, sikurse edhe ajo e përdorur gjatë gjithë kohës, qysh atëherë kur e kuptoi që kundërshtarët politikë nuk binin në kurthet e tij. Se ku e bazon protagonisti Berisha monologun e tij, kjo mund të shpjegohet vetëm me prirjen e sundimtarit që mendon se, kur i bie dyshemesë me thundër dhe tryezës me grusht paska gjithmonë të drejtë! Por, edhe dëgjuesi më i pavëmendshëm, në mënyrë të vetvetishme do të ngrinte vetullat dhe ulte buzët, sepse dihet fare mirë që edhe hetimi penal fillon e zhvillohet mbi bazën e dyshimeve të arsyeshme. Sa për provat dhe faktet, si ato të Ruzhdijes, fjalën e thotë gjyqi dhe përpara tij duhet të përgjigjet ai që i prodhoi dhe i konsumoi ato!
Është përsëri po ai, protagonisti Berisha, i cili vijon të deklarojë se, nuk mund të pranojë propozimin e opozitës që ky hetim të bëhet në shkelje të ligjeve, vendimeve të gjykatave dhe Kushtetutës së vendit. Ndërkohë që, e gjithë kriza nisi prej shkeljeve që u bëri ai ligjeve dhe Kushtetutës. Mjafton të kujtohet nëpërkëmbja që iu bë nga imponimet e tij nenit 138 të Kodit Zgjedhor, zbatimi i të cilit do të garantonte transparencën, qoftë edhe pjesërisht, pa lejuar të acarohej më tej situata. Mjafton, gjithashtu të përmendet që zhvillimi i diskutimeve për ngritjen e komisionit hetimor në seancën plenare ishte vendosur në fillim nga Byroja e Kuvendit dhe prandaj, nuk mund t’i nënshtrohej përpara seancës diskutimeve në komisionin për Çështjet Ligjore.
Në fund të fundit, kërkesa për ngritjen e komisionit hetimor mbi transparencën e zgjedhjeve u hartua nga opozita, pas lëshimeve të njëpasnjëshme të saj nën frymën e rezolutës së Parlamentit Europian, madje edhe të propozimit të vetë Berishës pak muaj më parë. Kjo është edhe një nga arsyet, që i bën të pabesueshme pretendimet e Berishës dhe mbështetësve të tij. Ashtu sikurse mund të shpjegojë edhe faktin, kur menjëherë pasi përfaqësuesit e maxhorancës në Komisionin për Çështjet Ligjore shfaqën në mbledhjen e këtij Komisioni të datës 20 dhjetor kundërshtime rreth kërkesës së opozitës, Zëvendësndihmësi i Sekretarit të Departamentit të Shtetit shprehu zyrtarisht preokupimin e SHBA-së për gjendjen e destabilitetit që mbretëronte këtu. E veçanta e kësaj deklarate rreth shqetësimit të përsëritur të aleatit më të madh strategjik të vendit tonë ndaj Shqipërisë, ishte kërkesa ultimative për t’u arritur në seancën plenare të pas tri ditëve konsensusi për ngritjen e komisionit hetimor, sepse – siç u shpreh Kauntriman – mos-hetimi i procesit zgjedhor të vjetshëm do të rrezikonte zhvillimin e zgjedhjeve të ardhshme. Në të kundërt, SHBA-ja do të ndihmonte dhe ndikonte që të arrihej ky kompromis.
Me situatën e krijuar deri në mëngjesin e djeshëm dhe duke gjykuar ‘arsyetimet’ e përdorura në seancën plenare maratonë, shtohen shumë pikëpyetje për vazhdimin e debatit, përgjigjet e të cilave nuk lënë të shpresohet shumë për zgjidhjen e krizës të hënën e fundit të dhjetorit dhe të krejt vitit. Sidoqoftë, ajo që i bashkon të gjitha përgjigjet ka të bëjë me mundësinë e largimit së shpejti të Sali Berishës, apo rrëzimin së afërmi të qeverisë së tij. Rrugët që do të gjenden për marrjen e kësaj mase nuk mund të saktësohen në këto radhë. Por, e rëndësishme është që të theksohet se, përfundimi i gjithë kësaj drame të gjatë do të çlironte tërë popullin dhe do t’i hapte vendit rrugët e vërteta drejt së ardhmes. Ndërkohë, ndoshta nuk do të ishte pa vend të thuhej që fanepsja e kësaj rruge mund t’i shërbente edhe penguesit të saj. Sepse, siç shprehet mjekja e njohur amerikane, Hilde Bruh në parathënien e librit të saj “Duke mësuar psikoterapinë”: “Nëse disa dëshirojnë të shërohen, do të duhej që ata patjetër, herët a vonë, të kuptojnë që tërësia e jetës së njeriut të moshuar është një zinxhir i zgjidhjeve dhe i vendimeve të tij. Nëse nuk e arrijnë me kohë këtë, tërë jetën ata do të jenë pre e jetës”.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›