A është anarkist Edi Rama?
Për t’i dhënë një përgjigje të besueshme pyetjes, mbase do të duhej t’i bënim një pasqyrim paksa të hollësishëm dukurisë së anarkisë.Anarkia është rregulli pa pushtet. Pierr-Jozhef Prudoni (mesi i sh. XIX) është njëri ndër teoricienët. Fjala e ka etimologjinë në greqishten e vjetër: an arhí ~ pa qeverí. Përdoret edhe termi akrací (fr.). Sipas mendimit fillestar të anarkistëve, doktrina parashikon shpërbërjen e Shtetit. Kuptohet se rregulli dhe mungesa e shtetit nuk shkojnë bashkë. Prandaj anarkia, që dihet se të çon në kaos, nuk mund të jetë në harmoni me rregullin. Për shkak të këtyre kundërthënieve, shkrimtari anarkist Jozef Dezhak përdori termin libertarizëm (liri e pakufizueshme) për fjalën anarkí. Megjithatë, të gjithë janë të një mendjeje për shkatërrimin e Shtetit. Prandaj, pavarësisht se kjo teori është thurur në emër të lirisë, ajo është utopike. Sepse liria e pakufizuar mund të cenojë lirinë e tjetrit e të çon në një dhunë të pakontrollueshme, domethënë në një kaos që nuk respekton asnjë ligj. Komunizmi si doktrinë u provua se jo vetëm që nuk iu kundërvu vetëm dhunës së klasës borgjeze, por, në të vërtetë, në emër të diktaturës së proletariatit, e ushtroi dhunën pushtetare kundër cilitdo që pandehej se ishte kundër shtetit socialist. Diktaturat më të rënda kundër njerëzimit ishin totalitarizmi i kuq dhe ai racist (komunizmi dhe nazifashizmi).Historikisht, anarkizmi qé jetëshkurtër, ndërsa të dy diktaturat që sapo përmendëm patën një jetëgjatësi relative, që shkaktuan mjerime të pafundme dhe katastrofë ekonomike. Ekonomia e centralizuar, e gjitha në duart e hekurta të shtetit, u demonstrua e dështuar. Që në lashtësi, historiani Polibi e shpreh anarkinë si një zvetënim të demokracisë dhe e quan si “një çrregullim dhe një triumf të instinkteve brutale”. Në luftën civile në Spanjë, përveç stalinistëve nuk munguan edhe trockistët, që ranë në konflikt midis tyre. Por ajo që u quajt e papranueshme qé edhe ndërhyrja e anarkistëve. Stalini refuzoi prerazi që t’u jepte armë anarkistëve. Francisko Franko, duke u mbështetur edhe tek Italia e te Gjermania, e shmangu rrezikun komunist nga Spanja (1938).Doemos që anarkizmi, si mendim politik, do të mbetej pa të pritme. Anarkia është e dëmshme si për diktaturat, ashtu edhe për demokracitë. Nga të dy sistemet, ai totalitar dhe ai demokratik, kuptohet se epërsinë e ka sistemi demokratik. Ky respekton të drejtat e njeriut dhe, nga ana tjetër, ka epërsi ekonomike ndaj regjimeve diktatoriale, siç e ka provuar kompeticioni ekonomik që e gjunjëzoi diktaturën më të madhe në botë, diktaturën staliniste.Nga sa pamë më lart, mund të nxirret përfundimi se dhuna, konspiracionet dhe atentatet janë tipare të së majtës, jo të së djathtës. Ndonëse marksizmi nuk e pranon dhunën individuale, kjo mbetet vetëm në teori. Në të vërtetë vrasjet përmes atentateve kanë qenë dukuri të zakonshme të formacioneve guerrilje terroriste gjatë viteve të L.II.Botërore në vendin tonë. Gjyqet partizane kishin tagrin e dënimeve me vdekje. Janë ekzekutuar edhe partizane për thyerje të moralit partizan (!) (Ramize Gjebrea, e të tjera). 17 nëntori i vitit 1944, hyn në festat e përzishme. Në vigjiljen e kësaj feste, rrugët e Tiranës u mbushën me të vrarë pa gjyq, për të ngjallur panik. 22 shkurti i vitit 1951, me një pretekst banal, u bë shkaku që të merren nga shtëpia dhe të ekzekutohen pa gjyq më shumë se 20 veta, në afërsi të Urës së Beshirit.Demokracia nuk vret pa gjyq. Tanimë është ndaluar dënimi me vdekje në BE dhe vetëm në pak shtete të SHBA-ve nuk është abroguar dënimi me vdekje. Po përmendim disa prej anarkistëve terroristë që nuk janë dënuar me vdekje: Xhovani Pasanante: atentat kundër Umberto I Savoja. Dënim i përjetshëm (17.11.1878); Pietro Açiarito, më 22.4.1897, sërish një atentat i dështuar kundër Umberto I Savojës: dënim i përjetshëm. Luixhi Lukeni më 19.09.1898 vrau në Gjeneve perandoreshën Elisabeta të Bavierës (Sisin): U dënua me burgim të përjetshëm. Gaetano Breshi, më 29 07. 1900 vrau në Monza U.I të Savojës. U dënua me burgim të përjetshëm (vrasjen e Sisit këto ditë po e shohim në një film në TV. Ka mbetur pjesa e tretë pa u dhënë endé).* * *Tani, duke u mbështetur në çka thamë më sipër, mund t’i përgjigjemi pyetjes nëse është natyrë anarkiste E. Rama.Mund të shihet personaliteti i E. Ramës, që në moshë të mitur. Natyrë rebele, pasojë e një kompleksi të inferioritetit, në dyzimin se ishte bllokmen, por jo i çmuar sa mëtonte; ishte lojtar në basketboll, por mediokër; mendonte se kishte talent në pikturë, por kurrë nuk spikati. Mituria e tij mpleksej me sjellje që e shmangnin nga normaliteti. Në kalim të viteve, qëndrimi prej aventurieri ishte shqetësues për prindërit; i biri arriti gjersa ta akuzonte të atin në mënyrë të tillë, sa psikiatrit mund ta çmonin këtë “enfant gâté”, si jashtë ekuilibrit mendor. Gjyqi i divorcit nxori në njohje të gjerë personin e çekuilibrurar, egoist, ekscentrik. Meqë kjo privatësi, tashmë, doli sërish në faqet e shtypit dhe në emisionet e mediave, qëkur Mero hyri në intimitetin e të divorcuarit gjer në ekspozimin e një personi të pandjeshëm dhe aspak familjar. Dhe për shkak të një provokimi thuajse të përditshëm kundër familjes së kryetarit të ekzekutivit, erdhi një çast që zotit Berisha iu shter durimi dhe iu përgjigj mjeteve propagandistike të z. Rama, me faktet skandaloze që kishte si barrë mbi kurriz kryetari i bashkisë dhe kreu (i kontestuar édhe nga të vetët) i PS-së. Po ato mjete që përmendëm, patën një mbrojtje të njëanshme ndaj E. Ramës, në emër të privacy- së së tij, duke mos bërë atë tërmet mediatik ndaj iniciuesit të botimit të procesit të divorcit në “Temën” e Meros, nga vetë drejtuesi i kësaj gazete.Kur themi për një person se “nuk është i shtruar”, kjo nuk thuhet për mirë. është, afërsisht, sikur t’i thuash është “i dhunshëm”. Janë karakteristika të një anarkisti. Madje personazhi ynë përflitet se u është nënshtruar edhe vizitave mjekësore në psikiatrí. Propaganda e majtizmit tonë të skajshëm, për të dëmtuar PD-në, thotë se edhe Berisha është i sëmurë mendor. Kërkon balancime të panatyrshme. Një doktor i nivelit të doktor Berishës dhe i sëmundjeve delikate që kanë të bëjnë me zemrën, me akuzat absurde që shpifin, - vetëm për kompensim inatçinjsh, - do të përpilonte diagnoza të gabuara në pamjen kardio-vaskulare. Për këtë nuk janë të bindur as vetë zanatçinjtë që e sajojnë. Sepse besimi në kompetencën mjekësore të doktorit ishte absolut!Duke vazhduar më tej, kur E. Rama e kaloi rubikonin nga ekstremizmi antienverist, në skajin tjetër të marrjes përsipër me zell të përçartur detyrën anakronike të ekzaltimit të figurës së diktatorit Enver Hoxha, u bë vërtet i rrezikshëm për fatet e demokracisë shqiptare. Së pari, u bë diktator në PS. Lëvizjes për Mendimin Ndryshe, ia vuri kufijtë te thana: “O me ne, ose kundër nesh!”. Ky qëndrim enverist duket se pati efekt, brenda radhëve. Kjo lëvizje, që e analizoi drejt humbjen zgjedhore të personalizuesit zgjedhor Edvin Rama, u tremb nga agresiviteti i kryetarit mandatprerë, siç thoshin dikur anëtarët e kësaj lëvizjeje. Askush nuk guxon të hyjë në parlament, “për disiplinë partie”, ndonëse janë shprehur kundër këtij vendimi vetjak. Në të vërtetë këtyre u rrinte mbi kokë, si shpata e Damokleut, rreziku i përjashtimit nga partia. Gazetarët nuk guxonin t’i bënin intervista, pa u fyer rëndë në dinjitetin e tyre nga i intervistuari. Mbledhjet në seanca të mbyllura hermetikisht, u bënë të zakonshme. Këtë farë demokracie na ofroi ky kritikues i ashpër i rendit demokratik!Si opozitar, kërkon të bindë opinionin publik se ka shumicën, me ato protesta rrugësh, gjithmonë e në rreshkje. Iluzionet ia rrëzoi përfundimisht ai manifestimi madhështor në të cilin 500.000 veta u shtrinë, ku mbante e s’mbante sheshi, jo me lista, jo me inkuadrime, jo me roja që të mbanin shënim íkësit, jo me joshje ashiqare bakshishesh...Përfundimisht, ato parullat “ose na hap kutitë, ose largohu edhe vetë” janë një mosnjohje e qëllimtë e organeve të mandatuara për zgjedhje të lira e të ndershme. Kërkon ta vërë kryeministrin para një paligjshmërie. Se kutitë e votimit nuk janë asfare në kompetencën e tij që t’i hapë ose t’i mbyllë. Megjatë fanatikët nuk e kuptojnë absurditetin që ta marrin pushtetin në tryezë, pavarësisht se kryetari e mbulon këtë me dëshirën “e mirë” që ta kenë “mend për tjetër herë”! ç’e do se e përgënjeshtron Ngjela, me ato afatet, që zënë njëri-tjetrin, se qeverisja bie për tri ditë, pastaj për shtatë ditë, e tanimë nuk dihet për sa ditë!Kjo gjendje kaotike është krijuar me synim që kryetari i çmandatuar të mbajë karrigen. Dhe kaosi është anarki! Gjendjen e vuan Shqipëria. Por kjo nuk i intereson E. Ramës!...