Zv/kryeministri Meta: Qeveria plotësisht e angazhuar në liberalizimin e vizave Shqipëri-BE

“Viti 2010 do njihet si viti i lëvizjes së lirë për të gjithë qytetarët shqiptarë”Zv/kryeministri dhe ministri i Jashtëm Ilir Meta thekson edhe njëherë si domosdoshmëri të qeverisë “Berisha” heqjen e vizave për të gjithë qytetarët shqiptarë brenda vitit të parë të mandatit të dytë. Kryediplomati shqiptar, gjatë një takimi të zhvilluar me Komitetin Drejtues Kombëtar të LSI dhe Lëvizjen Rinore për Integrim, shprehu zotimin solemn të ekzekutivit shqiptar për të plotësuar çdo angazhim që lidhet me liberalizimin e vizave për qytetarët. Ai theksoi se sfidat kryesore që ka aktualisht vendi si liberalizimi i vizave, pyetësori i BE dhe gjithë axhenda e integrimit Europian kërkojnë një dialog gjithëpërfshirës. “Unë besoj se është shumë e rëndësishme për ne sot pas 28 qershorit, si një forcë qeverisëse, që t’i ofrojmë një të ardhme sa më të sigurt vendit dhe në radhë të parë rinisë shqiptare. Ndaj garancia më e mirë për këtë të ardhme është vet ecuria e proceseve integruese, është vet fakti që brenda pak muajve aplikimi i Shqipërisë për në Bashkimin Europian u miratua dhe u kalua nga ministrat e jashtëm të Bashkimit Europian drejt Komisionit Europian dhe vetëm pak ditë më parë Shqipërisë ju paraqit pyetësori i Komisionit Europian, që përbën edhe momentin më të rëndësishëm në raport me të ardhmen evropiane të vendit dhe që është një ushtrim jashtëzakonisht i rëndësishëm në drejtim të demonstrimit të kapaciteteve tona kombëtare, administrative dhe të vizionit tonë lidhur me anëtarësimin Europian dhe të gjitha reformat që duhen realizuar për të përmbyllur këtë proces. Njëkohësisht gjatë këtyre muajve mund të them se është realizuar një progres i jashtëzakonshëm në drejtim të plotësimit të gjithë kërkesave, udhërrëfyesit të Komisionit Europian dhe procesit të liberalizmit të vizave. Në rast se 2009 do të mbahet mend si viti i NATO-s, 2010-ta do njihet si viti i lëvizjes së lirë të gjithë qytetarëve shqiptarë dhe padyshim dhe të rinisë shqiptare”, u shpreh zv/kryeministri dhe ministri i Jashtëm, Ilir Meta. Sipas tij, të gjithë aktorët politike dhe social të shoqërisë duhet të bëhen pjesë e këtyre reformave integruese të vendit. Duke u ndalur në çështjet konkrete të rinisë, kryetari i LSI-së, Z. Ilir Meta theksoi se LRI në pozicionin e ri që ndodhet duhet të jetë pjesë e zgjidhjes së probleme të të rinjve dhe ti jap nxitje dialogut për përmirësimin e arsimit, kulturës, sportit dhe integrimit europian të vendit. “Angazhimi i të gjithë neve në qeveri dhe jashtë qeverisë, i gjithë forcave politike edhe i forumeve rinore sikurse është Lëvizja Rinore për Integrim, i shoqërisë civile, i grupeve të interesit duhet të jetë në radhë të parë plotësimi detyrimeve tona me përgjegjësitë që kërkon ky moment i ri ndaj vendit”, ka deklaruar në kryetari i LSI-së, Ilir Meta në lidhje me reformat integruese. Në takimin e LRI-së, kryetarja e këtij forumi, Erisa Xhixho, u ndal në projektet konkrete dhe që do të zhvillojë ky forum. Ajo theksoi se ristrukturimi i LRI-së në të gjithë vendin do të zhvillohet njëkohësisht me organizimin e debateve të hapura dhe takimeve për problematikat ka sot rinia shqiptare. “Ne që sot fillojmë një punë intensive dhe të organizuar që në zgjedhjet e ardhshme lokale Lëvizja Socialiste për Integrim të arrij një fitore bindëse”, u shpreh Kryetarja e LRI-së, Erisa Xhixho....