Mitingu, dëshmi për “tavarish Stalin” dhe “hazretin Lenin”
“Rusia today” transmetonte në 21 dhjetor emisione nga Gjeorgjia dhe mes të tjerave jepeshin pamje nga pushkatimet masive të Stalinit dhe gulagët e shumtë që ai krijoi. Nostalgjikët nuk thoshin kushedi se cfarë. Dukeshin të dërrmuar. Më shumë se të lodhur. I kishte mundur kapitalizmi. Nëse nuk bëhemi pak folklorikë, por pa bërë hash po e themi. Për çudi atje në vendlindjen e tij nuk ishte asgjë për të përkujtuar diktatorin prandaj shfaqja e filmave ku vriteshin njerëzit mbetej rrënqethëse. Diktatori kishte humbur ndërkaq edhe në vendlindjen e vet. Bustet ishin ashtu sikurse në Tiranën tonë deri në vitet ‘90. Përtej atyre, përtej hapësirave të kalitura nga mjegullat, dëbora, ngrica e acari, në Tiranën tonë më 21 dhjetor mbahej një protestë përpara Kuvendit të Shqipërisë. Kush ishin ata dhe c’kërkonin më 21 dhjetor, përpara godinës së përfaqësuesve të popullit? Ata ishin pasardhës të etërve që ngritën me aq mundim dhe mbajtën me sakrifica diktaturën më të egër. Ata ishin stërnipërit, kushërinjtë apo vetë anëtarë të KQ-së. Ishin atje si në ditën e parë kur qanin për së gjalli ikjen e Stalinit. Kur dëgjoja zhurmat e tyre dëgjoja edhe ritmet e vargjeve që dikur shkruanin e mbushnin artin me: të rroj sa malet/sa populli vetë/emri i Stalinit/që na mbush me jetë/Hurra,hurra.hurra. çfarë kërkonin në ditën e ardhjes në jetë të një diktatori? Ata kërkonin hirin dhe hijen e tij, të zhdukur ndërkaq shyqyr Zotit të botëve. M’u kujtua një vajtojcë labe diku në anët tona. Kishte vdekur Stalini dhe ato ditë mbahej zi nga diktatori i këtij vendi. Një bujk shkon duke qarë dhe i thotë vajtojcës: Mëmo, vdiq Stalini. Mëma e shkretë, që nuk e dinte kush ishte diktatori, e qau me ligje, kështu: “Derëzeza o Stalin, shok i gazepit tim”. çfarë kërkonin përpara parlamentit? Gojët duan të thonë se ata qanin nën zë ikjen e diktatorit. Nuk kishte atje vajtojcë, por kishte të tjerë që u ishte dhimbsur diktatori rus, prandaj nën buzë e qanin: Derëzeza o Stalin, shok i gazepit tim... Ata kërkonin ngritjen e “tavarish Stalinit”, riardhjen në jetë të tij. Nuk e dinin atje ne vendlindjen e tij se këtu në këtë vend ballkanik ka ende nostalgjikë të “tavarish Stalinit” dhe “hazret Leninit”, të cilët jo pa qëllim zgjodhën 21 dhjetorin si ditë proteste ndërsa në thelb ishte përkujtimi i ditëardhjes në jetë të “tavarish Stalinit”. Erdhën dhe u mbluadhën më 21 dhjetor kur viti ka 360 ditë të tjera. Kjo ishte dita e Stalinit. Njihet aq më shumë në këtë vend që ka jetuar për 50 vjet me hijen dhe bustet e tij. Hileja për të protestuar më 21 dhjetor shqyrtohet thjeshtë sipas logjikës time. Një rrugë e dy punë. Bëjnë përpjekje për t’i ndalur dorën Europës për vizat, ndërkaq së dyti përkujtojnë ditëardhjen në jetë të “tavarish Stalinit”. Bustet e tij ishin në Tiranë, në Kuçovë, nëpër kooperativa e ferma bujqësore, portretet e tavarish Stalinit ishin në çdo zyrë shqiptare dhe libri i diktatorit për “tavarish Stalinin” ishte në çdo librari. Kjo nostalgji për diktatorin i shtyu edvinistët, që në mbrëmje të ditës së emrit të tij, të mblidheshin çuditërisht atje tek tempulli i përfaqësuesve të popullit për të përkujtuar në heshtje, por edhe me zë, ditëardhjen e “tavarish Stalin” ....