E Diel, 1 Nëntor 2026

Dështimi i mashtrimeve

Në aparencë, vendimi i Komisionit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (KZAP), për anulimin e zgjedhjeve në tri qytete, të raundit të dytë, është një vendim shpresëdhënës, që më në fund u jep frymë të gjithëve, që në jetën e tyre shanset i shohin tek e drejta. Kjo frymëmarrje e lehtësuar pavarësisht nëse është bërë pikërisht për t’i shpëtuar humbjes mëtuesit e tri fitoreve, PDK-ja, apo të paktën dy fitoreve LDK-ja, në Prizren dhe Gjilan, është një dritë, me plotë kuptimin që shihet në fund të tunelit, pasi krijon një perspektivë të re për të gjitha proceset në Kosovë. Shansin e drejtësisë e jep ky vendim, sepse merret nga një trup gjykatësish, të cilët deri më tani kanë qenë në kulm të shigjetimit, gjykatës, si institucionit më jokredibil në vend, si në hulumtimet e jashtme, ashtu edhe nga institucioni i pavarur, Agjencia Antikorrupsion. Nuk dihet se nga e morën guximin, dhe kjo çështje nuk është objekt i hulumtimit të këtij shkrimi, por është me rëndësi që ata u dhanë fund dyshimeve të opinionit se një shans i tillë nuk ekziston. Pavarësisht se nëse ata sërish janë nën urdhra të politikës, ata e mundën politikën e sipërfaqshme, apo më drejtpërdrejtë atë zyrtare. Politikën, e cila tha se sovrani foli, apo se Kosova me zgjedhje është një model për perëndimin! Ishte karizma e një trupi gjykues apo shtysa e fortë e nëndheshme, këtë ndoshta kurrë nuk do ta kuptojmë saktë. Por, ne nuk mund të mos e përkrahim imazhin që kjo trupë krijoi, duke e shkundur politikën zyrtare nga fuqia e saj skllavëruese, duke e goditur atë dhe duke i dhënë besë e guxim qytetarit. Se sovrani, nëse ‘foli’, vota e tij, u abuzua, kështu dëshmoi vendimi i KZAP-it. Pra, kështu foli drejtësia.Por, thirrja e këtyre autoriteteve të drejtësisë, kryetarit të KZAP-it, Tahir Rrecajt, se në zgjedhjet e ardhshme në këto tri qytete, të ketë më shumë vëzhgues, më shumë polic, dhe më shumë korrektësi, është shqetësuese për situatën politike në të cilën jetojmë. Fakti se KZAP-i u ka dhënë mbështetje 70 ankesave të partive për 116 qendra të votimit në zgjedhjet vetëm për tri qytete është po ashtu shqetësues. “Në vendimin e së shtunës të Komisionit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa përmendet se për Prizrenin, KZAP-i ka pranuar ankesa në lidhje me, parregullsitë serioze dhe mashtrim zgjedhor të qëllimshëm për 34 nga 60 qendra të votimit. Ankesa të njëjta kanë arritur në KZAP për 21 nga 31 qendra të votimit në Gjilan, ndërsa po ankesa të njëjta janë pranuar për 15 nga 25 qendra të votimit të komunës së Lipjanit”. Këto të dhëna dëshmojnë, se vota e qytetarëve në masën 60.34 për qind, ka qenë e damkosur, e abuzuar ose të paktën, siç thuhet në drejtësi, ka ngjall, “dyshimin e bazuar” për keqpërdorim. Dhe në të njëjtën kohë kjo është bërë nga dy partitë që drejtojnë të gjitha institucionet shtetërore të vendit. Dhe ajo që është më e keqja, ka raste, në të cilat vota është blerë, dhe për herë të parë ka ndodhur, që tash edhe në votime, keqpërdorimi i tillë ka tejkaluar dallimin etnik, armiqësinë dhe mospajtimin e shqiptarëve me serbët. Votues shqiptarë kanë votuar për serbët, të paktën kjo ka ndodhë në vendbanime të përziera në fshatra të Gjilanit, të cilët nuk kanë dalë në votimet për balotazh. Nuk dihet nëse këtyre votuesve, apo komisionarëve do t’iu kërkohen mbrapsht paratë, apo votuesit, ‘do t’i garantojnë’ partisë, se sërish do t’ia japin votën. Por, vendimi i KZAP-it është moment ndryshimi i ‘kursit’ të drejtësisë, është një shpresë se në fund të tunelit, është shpërfaqur nëse jo një dritë, një mjegullnajë në zhvendosje nga fuqia e dritës, ndriçimin e plotë të së cilës nuk duket se do ta ndjejmë edhe për shumë vjet.“Bota Sot”...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›