LDK - politikë e humanizëm
Në përvjetorin e themelimit të Lidhjes Demokratike të KosovësLDK ka njëzet vjet. është parti që lidh fundin e një shekulli të robërisë dhe fillimin e një shekulli të lirisë. E nisur nga intelektualët me në ballë Dr. Ibrahim Rugovën, lëvizja u shndërrua në strukturë të fuqishme politike e demokratike, për ta bërë legal e legjitim vullnetin popullor për Kosovën e pavarur e demokratike. LDK u vu në themele të shtetformimit të Kosovës. Trinomi liri-pavarësi-demokraci, i thjeshtëzuar në formë sllogani, mbeti baza fundamentale e programit të LDK-së që nga fillimi deri më sot. Ashtu dhe dy misionet e saj të mëdha. I pari, të fitohet liria mbi robërinë në Kosovë. I dyti, të krijohen lidhjet politike me Evropën e Amerikën, për t’i çelur udhët e zhvillimit evropian të Kosovës. LDK u vu në themel të raporteve me botën demokratike. Në njëzet vjet punë (e mision), duke kaluar nëpër ndodhjet dramatike, në të cilat përmblidhen peshët e vullnetet e shekujve, LDK ka përjetuar sprova të rënda e të dhembshme, madje duke flijuar disa nga misionarët e saj më të mëdhenj, të prirë nga kryemisionari, Dr.Ibrahim Rugova. LDK u vu në bazë të ndërtimit të Kosovës edhe me kushtin e flijimit. Ishte ky që priu në vepër lëvizjen politike të përgjegjësisë e jo të detyrimit; promovoi votën e lirë si instrument të ngritjes së institucioneve; instaloi institucionalizmin si bazë të shtetit të Kosovës. LDK u bë parti e të drejtave të njeriut dhe e të drejtave të kombit. Duke qenë parti e traditës dhe e modernitetit, LDK do të ndryshojë në bazë të nevojave të kohës e të vendit, sado që përgjithmonë preambulë e saj do të mbetet politika rugoviane dhe ai vetë kryetar nderi i përhershëm i saj. Hyrja e të rinjve në strukturat e LDK-së, me dijen dhe energjinë e tyre, pritet si domosdo për marrëveshjen e brezave, për politikën evropiane të saj e të Kosovës. Mosha njëzetvjeçare e bën LDK-në parti me histori të jashtëzakonshme në Kosovë dhe në botën shqiptare, duke u matur në situata të jashtëzakonshhme sociale, politike e historike, me provën për t’i zgjidhur këto situata në dobi të njeriut e të vendit. Në Kosovën e pavarur (që ka qenë nyja themelore e programit të saj), LDK-ja forcon programin e vet fundamental: të dijes e të konkurrencës për të zbuluar vlerat; të tolerancës, për të krijuar kontratën shoqërore dhe filozofinë e zhvillimit për kontratën e madhe të Kosovës evropiane. LDK u bë parti që lidh brezat për një qëllim. Pa LDK-në është vështirë të ketë Kosovë demokratike dhe evropiane. Kjo është esencë që buron nga jeta e brezave që plaken, e brezave që piqen dhe e brezave që rriten, për të krijuar harmoninë e vendit, përkundrejt ambicieve që mund të përfundojnë në egërsi. Një politikë e shoqëruar me humanizëm është veçori e veprimit demokratik të LDK-së, ashtu siç ishte karakteristikë e krijuesit e drejtuesit të saj përjetë, Dr. Ibrahim Rugovës. LDK-në e kanë lindur nevojat e Kosovës dhe kjo do të jetojë e lidhur me to....