E Shtunë, 31 Tetor 2026

A është i sigurtë ushqimi në Fast-Food?

Xhek Preçetaj

Mure të pastërta, por duart e punonjësve pa dorashka! Ku është higjena këtu?!

Shekulli bëri një vëzhgim në pika të ndryshme të Fast-Food-ve në Tiranë, për të parë gjendjen e tyre dhe njerëzit që i zgjedhin ato. Një vëzhgim i cili nxori në pah një problem kryesor: higjenën…

Higjena? Pa doreza, me duar të pasigurta …

Duhet theksuar që higjena nuk është vetëm në muret e lyera apo në tavolinat e fshira nga një leckë e lagur, e cila përdoret pa u dizinfektuar gjatë gjithë muajit. Një prej parimeve kryesore për të kuptuar nivelin e pastërtisë në një shërbim si ai i ushqimeve të shpejta, është dhe perdorimi ose jo i dorezave nga ana e punonjësve. Ne konstatuam se thuajse të gjitha Fast-Food-et kanë punonjës të cilët nuk përdorin doreza.

Nuk është aspak higjenike të shohësh punonjëset të përgatisin ushqimin tënd pa përdorur doreza. Në njërin nga Fast-Food-et, për shembull, punonjësja, me duart të cilat përgatiste ushqimet, njëkohësisht fshinte edhe tavolinat e ndryshme me një leckë e cila nuk ishte edhe aq e pastër. Mikrobet ishin lehtësisht të transmetueshme nga duart e punonjëseve tek buka dhe më pas tek klientët. Gjithashtu një tjetër problem me higjenën lidhet edhe me larjen e pjatave. Mund ta konstatoni lehtësisht edhe me sy të lirë se në çfarë mënyre sipërfaqësore lahen pjatat e pastaj fshihen nga një facoletë e thatë. Gjithashtu një tjetër problem mbetet edhe tualeti. Duhet të ndihesh me fat nëse gjen në tualete të tilla brenda dyqanit fast food sapun apo peshqirë të pastër.
Megjithatë duhet përmendur fakti se ka edhe Fast-Food-e të tjera që këto probleme higjenike, nuk i shfaqin, por ato janë shumë të pakta në morinë e madhe të Fast-Food-eve të Tiranës.

Rinia, larg ushqimit të shtëpisë

Ata që zgjedhin për tu ushqyer në një fast-food, janë kryesisht të rinjtë. Janë ata klientët më të rregullt të fast-food-eve. Nëse vëren mirë, fast-food-et janë përhapur më shumë në pikat ku qëndrojnë më shumë të rinjtë, pranë ish-Bllokut, apo në afërsi të shkollave të mesme apo fakulteteve të universitetit, si dhe buzë rrugëve kryesore ku kalojnë shumë të rinj. Këta të rinj, preferojnë të zgjedhin sanduiçët apo donerat, përpara gatimeve të amvisave në shtëpi. Një tjetër kategori që preferon ushqimet e fast-food-eve, janë edhe punonjësit. Me vetëm 60 lekë mund të ushqehesh me një tost dhe ëprgjithësisht, vajzat e kanë mëse të mjaftueshëm këtë sasi ushqimi.

Ritmi i rrëmbyer i kohës që kalon me një shpejtësi të habitshme i bën shqiptarët të priren drejt ushqimeve jashtë shtëpisë, ushqimeve kryesisht të shpejta ndonëse ato përmbajnë shumë materiale konservues, shumë kripë, yndyrna dhe lëndë të tjera të rrezikshme për shëndetin. Përveç fast-food-eve pëlqehen së tepërmi kreperitë të cilat po përhapen gjithnjë e më shumë buzë rrugëve të kryeqytetit, qebaptoret dhe mbi të gjitha piceritë.

Sufllaqe Vs Hamburger

Hamburgeri duket se nuk dominon më shijet e shqiptarëve. Punonjës në fast-food tregojnë se tashmë klientët preferojnë më shumë të konsumojnë sufllaqe ose doner në vend të hamburgerit. Nëse kërkon që të provosh shijen e një hamburgeri të mirë, atëherë mos pretendo ta gjesh atë tek fast-food-et në Tiranë, vetëm në dy apo tre pika të caktuara që vërtet e kanë me merak përgatitjen e një hamburgeri tradicional.

Sufllaqja, nga ana tjetër mbetet ushqim kryesor, për shkak se kushton pak dhe njerëzit besojnë se me të ngopen më shumë. Gjithashtu një tjetër ushqim i preferuar është edhe doneri, një sufllaqe jo me pite por me bukë. Sufllaqia vjen si ushqim nga Turqia. Një nga ushqimet më të famshme turke Doner Kebab përkon pikërisht me sufllaqen që njohin shqiptarët. Doner Kebab, ka përmasa më të mëdha se një doner normal në Shqipëri, por lloji i ushqimit dhe përgatitja e tij është thuajse e njëjtë. Gjithashtu nëpër fast-food-e mund të gjesh edhe Hot-Dog dhe Sanduiç. Por tendenca më e fundit për ushqimet është fokusuar në piceritë. Tashmë shumë fast-food-e kanë filluar të fusin nëpër lokalet e tyre edhe shërbime picerie. Si pica, kalcone (një tip pice e mbyllur) dhe sanduiç pica. Çmimet për këto ushqime varjojnë nga 60 lekë që kushton një tost (bukë sanduiçi, djath dhe sallam, dhe salcat), deri në 250 lekë që kushton një sufllaqe e hapur në pjatë.

Vaji kancerogjen ?!

Pak kohë më parë Drejtoria e Shëndetit Publik ka bërë kontrolle higjenike nëpër ambientet ku tregtohen ushqime fast-food në Tiranë. Pas këtyre kontrolleve u konstatua se vaji që përdorej për të skuqur kishte probleme shqetësuese. Me fjalë të tjera, përveç rrezikut të obezitetit, fast-food-i na shton edhe rrezikun e kancerit, sidomos për shkak të përdorimit të vajit. Sipas kontrolleve të ushtruara nga Drejtoria e Higjenës së Tiranës ka rezultuar se nëpër fast-food vaji për skuqje përdoret më shumë se normat e lejuara. Vaji përbëhet nga disa produkte polare, të cilat nga skuqja e herëpashershme transformohen në elementë kancerogjene. Në rast se vaji ka një ngarkesë pune të madhe, që është përdorur në shumë raste, padyshim që mund të ndërrohet edhe çdo ditë. Humbet vetitë fiziko-kimike dhe vlerat ushqyese dhe dëmton shëndetin e konsumatorëve, – deklaroi Mëhill Gecaj, kreu i Drejtorisë së Shëndetit Publik për Tiranës. Sipas tij këshilla vlen edhe për familjarët se çdo lloj vaji ka një temperaturë të caktuar të skuqjes dhe ajo nuk duhet të tejkalohet.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›