E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tenderët, probleme me përcaktimin e vlerës dhe të fituesit

 E. Senja

Zhvillimi i prokurimeve publike nëpërmjet internetit ka përmirësuar ndjeshëm procedurat, por nuk ka arritur të shmangë ende një serë problemesh të hasura edhe më parë siç janë mangësitë në vlerësimin e ofertave, shkelja e afateve ligjore në lajmërimin e tenderit, etj. Avokati i Prokurimeve, Altin Qoshja raportoi dje mbi veprimtarinë vjetore të institucionit të tij duke theksuar se gjatë një viti, kanë hasur në 491 ankesa, për 314 prej të cilave është hapur hetim.

Për sa i përket problematikave, Qoshja tha se prokurimet publike vijojnë të kenë probleme me afatet e lajmërimit të tenderit. Në mjaft raste, institucionet lajmërojnë me vonesë për zhvillimin e një tenderi duke iu hequr të drejtën e pjesëmarrjes disa operatorëve, të cilët nuk kanë mundur të mësojnë për tenderin në fjalë. Krahas kësaj, vërehet se institucionet kanë mangësi edhe në përcaktimin e kritereve kualifikuese apo shqyrtimit të ofertave duke bërë që të fitojnë operator ekonomikë që nuk kanë mundësi më pas për të përfunduar projektin.

Problemet me tenderët janë pasqyruar edhe në raportet e KLSH-së. Mësohet se nga 689 procedura prokurimi të kontrolluara nga Kontrolli i Lartë i Shtetit në vitin 2011, në 497 prej tyre janë kapur shkelje në drejtime të ndryshme, të cilat fillojnë nga llogaritja e vlerës së kontratës gabim, mosrespektimi i kufijve monetar, përgatitja gabim e dokumenteve, etj. Numri më i madh i shkeljeve është hasur në drejtim të përgatitjes së dokumenteve të tenderit, plot 387 të tilla, të cilat përbëjnë edhe rreth 78 për qind të numrit total.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›