Bashkia, rikonstruksion 50 rrugëve në Tiranë

Drejtori i Shërbimeve, Taulant Zeneli
Përfundojnë brenda muajit. Drejtori: Investimi jashtë fondeve të buxhetit.
Zeneli: Vidhen kapakët e pusetave, shkak për aksidente.
Janë 50 segmente të amortizuara që brenda muajit do të rehabilitohen në Tiranë. Bashkia ka përfunduar me identifikimin e akseve më problematike. Drejtori i Përgjithshëm i Menaxhimit të Shërbimeve, Taulant Zeneli, gjatë një prononcimi për shtyp evidentoi dhe një tjetër problem. Sipas tij, vjedhja e kapakëve të pusetave ndodh vazhdimisht duke u bërë shkas për aksidente. Dua të theksoj një problem që është hasur gjatë kësaj periudhe të humbjes së kapakëve të pusetave, që përbën shqetësim për transportin, për mjetet motorike apo edhe për këmbësorët që çojnë në aksidente. Duam tu bëjmë një apel qytetarëve të njoftojnë kur ato mungojnë, tha Zeneli. Aktualisht ka përfunduar identifikimi i të gjitha segmenteve rrugore që paraqesin problem dhe ndërhyrja do të fillojë menjëherë në ato rrugë ku amortizimi është më i madh, për të vijuar më pas në të gjitha rrugët që kanë probleme. Sot, Bashkia e Tiranës ka përfunduar inspektimin dhe vlerësimin për të gjitha problematikat që ka infrastruktura rrugore në gjithë territorin e qytetit të Tiranës. Për këtë arsye, nga stafi i Bashkisë është bërë një plan veprimi për të siguruar rehabilitimin dhe mirëmbajtjen për një periudhë 1-mujore. Kjo ndodh pikërisht tani, për shkak të kushteve atmosferike të motit, të cilat aktualisht tani na sigurojnë që të bëhet në cilësi dhe në kohë, tha Zeneli. Sipas tij, kjo nuk ka të bëjë me investimet që janë parashikuar në buxhetin e vitit 2012 të Bashkisë së Tiranës, projektet të cilat janë në finalizim e sipër dhe zbatimi i tyre do të fillojë nga fundi i prillit ose në fillim të majit. Ndërkohë, në buxhetin e 2012-s Bashkia ka planifikuar ndërtimin e 65 mijë metrave katrorë rrugë, nga të cilat 50 % të reja. Është parashikuar rikonstruksioni i 153 mijë metrave katrorë të rrugëve ekzistuese, rikonstruksioni i afro 80 mijë metra katrorë trotuaresh, si dhe ndërtimin e dy urave në qytet. Një investim tjetër që do të nisë vitin e ardhshëm, ku Bashkia do të luajë rol kryesor në planifikim buxhetor, ndonëse më modest në krahasim me rolin buxhetor që do të luajë qeveria, është segmenti i Unazës së Re nga qendra Kristal te Teknolo-gjikja. Ky segment do të bashkohet me Unazën e Re, që është ndërtuar prej kohësh dhe ndërtimin me dy nivele të rrethrrotullimit të Doganës.
Bulevardi i Tiranës
Më datë 8 mars do të zhvillohet konkursi ndërkombëtar për bulevardin e Tiranës. Në garë do të jenë 7 nga 20 studiot më të mira arkitekturore të botës. Ato do të prezantojnë 7 maketet e tyre për projektin e bulevardit të ri të Tiranës, nga Stacioni i Trenit deri te Parku i Paskuqanit dhe të lumit të Tiranës, si dhe rikonfigurimin urban të 14 km katrorë, 1/5 të Tiranës. Ky konkurs duhet të shikohet me mendje të hapur nga kushdo që beson te energjia dhe optimizmi i qytetit të Tiranës, pavarësisht nëse jeton në Tiranë apo jo dhe duhet të besojë se Bashkia e Tiranës do ti konsiderojë të gjithë ata partnerë potencialë për zhvillimin e kësaj ndërmarrjeje historike, ka deklaruar pak ditë më parë kryebashkiaku Basha.
Lista e rrugëve ku do të ndërhyhet
Rruga Konferenca e Pezës
Rruga Llazi Miho
Rruga Kavajës
Rruga Isuf Elezi dhe Frang Bardhi
Rruga Ibrahim Rugova (te ura Taivan)
Rruga Ndre Mjeda
Rruga Ibraim Pash Bushatlliu (vazhdimi i Don Boskos)
Rruga Naim Frashëri
Rruga Pjetër Bogdani
Rruga Nikolla Tupe
Rruga Brigada 8
Rruga Perlat Rexhepi
Rruga Adem Jashari
Rruga Taxhedin Baholli
Rruga Ali Kelmendi (mungojnë kapakë pusetash shiu)
Rruga Bedri Karapici
Rruga e Qelqit
Rruga Hamdi Pepo
Rruga Zyber Zeneli
Rruga Hysni Gerbolli
Rruga Vëllezërit Manastirlliu
Rruga Shyqeri Berxolli
Rruga Hajdar Hidi
Rruga Mihal Duri
Rruga Gjon Muzaka
Rruga Him Kolli
Rruga Mujo Ulqinaku
Rruga Islam Alla
Rruga Bogdani
Rruga Selitë, rrugë të dëmtuara
Rruga stacioni i autobusit te Libri Universitar
Rruga Beqir Rusi (Prapa shkollës Emin Duraku)
Rruga Donika Kastrioti
Rruga sheshi te stadiumi Selman Stermasi
Rruga Gjin Bue Shpata
Rruga Tish Dahija
Rruga Milto Tutulani
Rruga Lidhja e Prizrenit
Rruga Frosina Plaku
Rruga Arjanitët (Mbrapa Cirkut)
Rruga Sulejman Pasha (Mbrapa Cirkut)
Rruga Hamdi Cenojmeri
Rruga Petraq Leka
Rruga sheshi Italia