A është lënë pas diktatura!?
Visar Zhiti është një nga shkrimtarët shqiptarë më në zë në ditët e sotme. Dhe kjo vjen jo vetëm nga fakti se ai tanimë ka një krijimtari artistike të bollshme e të begatë, si vëllime me poezi, tregime, romane, studime etj., por mbi të gjitha, sepse ai gjithmonë dhe kurdoherë ka ardhur dhe vjen tek lexuesi me vepra të tilla si romani i tij më i fundit Në kohën e britmës, ku lexuesi përjeton të gjitha stinët shpirtërore. Acarin e dramave shoqërore e njerëzore. Trishtimet e padrejtësitë që, pa ndërprerje, ndjekin fatin e njeriut. Dashurinë për gjithçka të mirë, të bukur, të virtytshme, që, për ironi të fatit, ashtu siç na e përshkruan autori në jetën e personazheve në gjithë zhvillimin e romanit, janë të rrethuar e të sulmuar nga absurdi dhe çmenduria e kohës, që gërryen e shkatërron, që burgos e pushkaton, që mundon e varfëron, e zhgënjen në mënyrë të pamëshirshme edhe kur ata, si në apokalipset biblike, vërshojnë drejt perëndimit, drejt botës së lirë e të ëndërruar, për të cilën dhe janë sakrifikuar, duke menduar se absurdin, të djeshmen e egër të diktaturës me të gjitha pasojat e saj, po e linin pas. Por, ajo sërishmi i ndjek këmba-këmbës. Natyrisht në forma të ndryshme, më të reja e më të kamufluara. Kjo gjë shkakton një dhimbje të madhe.
Shkrimtari Visar Zhiti nga pikëpamja artistike vërteton, ashtu si dhe në veprat e tij të tjera, se poezia me prozën, kur i japin njëra-tjetrës, përzier dhe me koncepte filozofike e ide të mëdha, - me tokën dhe nëntokën fare vetjake e të veçantë, plot nerv e potencial fjale e fraze, - nxjerrin një vepër të rëndësishme, që e pranon lexuesi, kritika letrare e shoqëria si të veten.
Ky roman ka një kompozicion e arkitekturë moderne, ngjarje dhe histori të botës reale dhe produktit të saj sureal, mbushur me emocione. Në romanin Në kohën e britmës ka disa linja zhvillimi. Por, njëra sundon. Është saga e të burgosurve të ndërgjegjes pas burgut, kur diktatura e rënë ende avitet me kthetrat e saj dhe demokracie ende e pangritur fuqishëm, është e brishtë, dëshirë. Dhe jetët ngjajnë të prishura në mënyrë, të asfiksuara.
Kjo linjë rrjedh tronditshëm në vepër. Për realizimin e kësaj ideje, si subjekt romani, shërbejnë disa letra enigmatike që i lexon vazhdimisht njëri nga personazhet, Petriti.
Në to bëhet fjalë për vëllain e tij, Gjergjin e zhdukur (një ish-i burgosur i ndërgjegjes) bashkë me Afërditën, pianisten interesante, e dashura e një ish-të burgosuri tjetër, Evgjenit. Dhe përzihen shpirtrat e të vdekurve me të gjallët. Kjo të fut në një botë sureale, gati mitologjike, e të bëhet sikur përpara syve ke Konstandinin dhe Doruntinën. Kali është zëvendësuar me një motoçikletë. Kurse mortja a ploja e luftës shfaqen me furgonin e policisë sekrete, që të çon në harrime tani, të zhduk apo me anijen Katrin e Radës, me të cilën fundosesh nën dallgët e mortjes.
Ka një udhëtim të personazheve, mjaft tronditës. Udhëtim i shoqëruar nga simbole domethënës në funksion të idesë së veprës, por mbi të gjitha të emocionit artistik si: britma, balta, shiu dhe hijet Këto simbole i ndesh në të gjithë kapitujt, si mjegull trishtimi e lajtmotiv shoqërues i mjediseve dhe gjendjeve shpirtërore të personazheve.
Sa vjen dhe tensioni i rrëfimit të letrave enigmatike rritet. Karakteristikë kjo e stilit të autorit. Zhiti një rëndësi të veçantë i kushton kombinimit të udhëtimit fizik me atë të udhëtimit së brendshmi të ndjenjave dhe shpirtit. Zbërthimit të gjithçkaje deri në hollësi, nëpërmjet dialogëve e monologëve, ku mjeshtërisht analizohen dukuri nga ato më të mëdhatë e deri te ato më të voglat. Nëpërmjet tyre, me një lëvizje të ngjashme si ajo e Hënës kur futet në eklips apo kur del nga eklipsi, nxjerr në pah, dalëngadalë, revoltën e shoqërisë sonë ndaj gjithë të këqijave dhe amoraliteteve të djeshme dhe të sotme dhe bën thirrje e kërkon vendosjen e baraspeshimeve të së drejtës, të morales dhe sociales, ku të gjitha këto e virtyte të tjera që shpalosen, të kenë mundësi ta shëndoshin shoqërinë tonë, ashtu si limfa shëndosh bimën.
Pa frikë, kjo është vepra më e mirë e Visar Zhitit, duke e vendosur përfundimisht autorin në aristokracinë e prozës shqiptare. Lexuesi do të gjejë personazhe dhe ngjarje të paharrueshëm që do ti kalcifikohen në kujtesë përgjithmonë. Të tillë janë udhëtimi i protagonistëve, i Gjergjit me Afërditën, që skuptohet në është imagjinar apo real, për në shtëpinë e një plaku të urtë, i zbritur nga Kosova, edhe ky një ish-i burgosur, që bashkëvuajtësit e thërrasin Profeti.
Dhe skena në pjesën e dytë të romanit është një mbrëmje me emigrantë shqiptarë në një si vilë në Milano, ku merr pjesë dhe një diplomat shqiptar, dje komisar burgu, ku si mjete pune kishte prangat dhe kallashin. Sot imazhin dhe sjelljen në një shtet të huaj. I veshur shik. Me kostum, kollare e veturë CD. Dje, torturonte të burgosurit e ushtronte luftën e klasave mizorisht. Sot duhet të bëjë komunikimin e vendit tonë me botën, lidhjet, por ai më mirë bën kontrabandën. Dje, thoshte Rroftë Partia. Sot thotë Rroftë Demokracia. Personazh nëpërmjet të cilit demaskohet ajo çka ai mbart, që pengon ecurinë përpara të shoqërisë drejt Evropës së ëndrrave. Romani kryen misionin e tij dëshmues. Në të pasqyrohen marramendshëm marrëdhëniet e shtetit me qytetarët e tij, në diktaturë dhe pas saj, në demokraci. Ngjashmëritë dhe ndryshimet, përsëritjet dhe demaskimet, pa atë skematizmin dhe cektësinë, si në mjaft vepra që dalin tani, të ashtuquajtura antidiktaturë, që shpesh i shkruajnë ata që bënë prodiktaturë. Kjo vepër për nga hapësira i ngjan një deti të pafund e madhështor. Për nga koha, i ngjan ditës mbas furtunës, kur gjërat ende skanë shkuar nëpër vendet e tyre e ndjesitë janë pezull.
Në një emision televiziv, intelektuali dhe përkthyesi i njohur, bashkëvuajtësi ynë, Amik Kasoruho, duke iu kundërvënë një mendimi të Rexhep Qoses se në Shqipëri nuk ka shkrimtar të nivelit evropian, argumentoi se ne kemi shkrimtarë të tillë dhe krahas Ismail Kadaresë, përmendi dhe Visar Zhitin etj. Dhe studiuesi e profesori Gëzim Alpion, në Universitetin e Birmingemit, shkruan se Zhiti radhitet ndër klasikët e letërsisë bashkëkohore shqiptare ai mund të krahasohet denjësisht me autorë si Kafka etj.
Me libra si të Visar Zhitit nuk humbet koha, por fitohet, fitohet dhe kuptimi i kohës e i jetës.
Astrit Xhaferi