E Shtunë, 31 Tetor 2026

Si u zhduk dëshmia e vetme e veshjes ilire?!

Nga Arkivi i Shtetit zbulohet letra që dëshmon për të vetmin dokument të ekzistencës së veshjes ilire

Një dokument i zbuluar nga Arkivi Qendror i Shtetit na njeh me një të dhënë dëshmuese të rrallë se deri në vitin 1942 ka ekzistuar një pllakë monumentale si i vetmi dokument që tregonte gruan me veshje ilire, e gjendur në amfiteatrin e Durrësit. Kjo e dhënë del nga dosja nr. 848, ku Ministria e Arsimit e asaj kohe i drejtohet Ministrisë së Punëve të Brendshme në Tiranë, ku i kërkon të ketë kontroll mbi abuzimet që po bëhen në amfiteatrin e Durrësit, ku fëmijët i përdorin bustet dhe qeramikat e zbuluara për të luajtur, pa u ndaluar nga organet kompetente. Letrën po e botojmë për herë të parë të plotë, ku flitet për këtë dëshmi që mban mbishkrimin Lepidia Salvia P.l.hic sita est. *** Ministria e Arsimit Dosja Nr. 848, Viti 1942 Drejtuar: Ministrisë së Punëve të Mbrendshme, Tiranë Nga nji inspektim të banun nga organet e kësaj Ministrije në monumentat arkeologjike të Durrësit asht vue re se Kryesija e Bashkisë së Durrësit për pa mos marrë parasysh dispozitat ligjore në fuqi ka disponua mbi dokumentat arkeologjike tatjeshëm sikur me qenë pasunija private e sajë. Kështu asht mbushë kopshti i ndertuem tash së fundi për rrëzë të murit bizantin, me pjesa arkeologjike të ndryshme, gur vorri, mbishkrime etj, të kohës Romake për pa kërkue ma parë autorizimin e kësaj Ministrije. Tue qenë së nji pjesë e këtyre monumentave të cilat paraqesin një vleftë artistike e historike, mund të dëmtohen tue u ekspozue jashtë, jo vetëm nga dora e njerëzve por edhe nga konditat atmosferike, lutemi të porositet Bashkija e Durrësit që për deri në nji dispozitë të re të jeki nga vendi pllakën e vorrit të vendosun në çezmen që asht ndërtue në fillim të Bulevardit, përkundrejt hymjes së portit dhe që përfytyron nji grua me veshje ilire. Pllaka, së cilës qysh tash i kishin fillue fëmijt me e prishë tue i ngjitë syve copa zifti, mban kët mbishkrim Lepidia Salvia P.l.hic sita est dhe asht nji dokument me randësi mbasi asht nji nga të vetmet e veshun me kostum ilire. Në vend të sajë mund të vihet nji kopje allçini ose çementeje e asaj. Përfundimi të na njoftohet. Ministri Përgatiti: Klevisa Deçja

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›