Për kë flet Sali Bollëku?
Përshëndetje! Një pjesë që e gjeta në një sajt on-line dhe më pëlqeu shumë:
“…Ndaj, ai doli e tha: “Unë jam Sali Bollëku!”. Nuk ka bërë vaki ndonjëherë që një Kryeministër të dalë papritur e pakujtuar në publik e ta quajë veten kësisoj.
Por a ka shqiptarë që i besojnë dhe i hanë këto dokrra e vetëmburrje bajate që duket se nuk i bën as edhe një anormal?
Natyrisht që ka. Por të tillët, që nga vitet ‘90 e këtej, janë gjithnjë e më të pakët. Por ama, është gabim të hamendësohet se ata shqiptarë që i gëlltisin pa i përtypur këto pallavra janë naivë, të pafuqishëm, primitivë e syleshë të pandreqshëm. Jo, ata që ushqehen me të tillë “bollëk”, me bollëkun e lugës së zbrazur, janë një kategori tjetër shoqërore që nuk ka asnjë lidhje me atë që quhet “popull”...
Madje Berisha, duke qenë në ditët e tij më të vështira, e di fort mirë që nuk ka e nuk gjen më të tillë shqiptarë të marrosur (me shumicë) që ta besojnë e të ndjekin nëpër mitingje marrëzitë e tij (si në fillimet e viteve ‘90-të), po ama ai ka rreth vetes jo pak “të gatshëm” që në ditë të vështira mund të mësyjnë Tiranën dhe selinë e qeverisë!
Madje, duhet pranuar, ata tashmë janë me banim, me prona, me ofiqe e grada në Tiranë që t’i gjenden pranë Sali Bollëkut në orët e vështira të pas-Gërdecit.
Ngjela përmendi në Kuvend se ata që mund të të “qethin” si Trebicka janë nja treqind… E ka gabim! Ata janë më shumë. Janë më shumë ata që, edhe pse Berisha “nuk u ka dhënë direkt asnjë qindarkë”, prej vitesh lundrojnë (prej tij) në bollëk, në pasuri e në fuqi të pakufizuar e të pakontrolluar!
Janë ata që zbritën për herë të parë në Tiranë dhe tash janë pronarë tokash, pallatesh, lokalesh luksoze, fabrikash, kazinosh e pub-esh...
Janë këta gjysmë-injorantë që janë bërë deputetë, komisarë, juristë, gjykatës, gjeneralë, ministra, shiksa, ambasadorë e lloj-lloj ofiqarësh bollëkistë që sot, si miza, gëlojnë e vigjilojnë nëpër të gjitha vrimat e skutat e errëta të institucioneve të varura e të pavarura…
Këtyre pra ju drejtohet Berisha, jo ne, popullit të papunë, të braktisur e të harruar nëpër zgërkat e mbijetesës!...”.