E Diel, 1 Nëntor 2026

Finlanda e qetësisë, shokimi i dytë nga masakrat në shkolla

SHËNIM I REDAKTORIT: Shënimi i mëposhtëm na është dërguar në adresat e Kontakt nga lexuese Miranda Kuqi, e cila jeton në Oslo të Norvegjisë. Ajo përshkruan një ngjarje të rëndë që ka shokuar dje jo vetëm vendet nordike, por gjithë Europën. Bëhet fjalë për një masakër në një shkollë, ku kanë vdekur të paktën 11 studentë, përfshirë autorin e krimit, që ka vrarë veten. Ky është rasti i dytë në Finlandën e qetë, brenda pak muajsh. Fakti që i bashkon të dy rastet, është që autorët e këtyre masakrave i paralajmërojnë krimet e tyre me anë të videove të dhunshme në internet.

Finlanda e rekordeve për mungesë krimesh, është tronditur sërish brenda pak muajve nga një masakër me armë në një nga shkollat e qyteteve të saj të mëdha. 11 të rinj, janë vrarë dje nga një bashkëmoshatar i tyre, nxënës i së njëjtës shkollë me viktimat.

Ngjarja ka ndodhur në Kolegjin e Kauhajokit dhe killeri është një 22-vjeçar që e kishte paralajmëruar masakrën në një video në YouTube disa ditë më parë.

Madje agjentët e policisë, pas publikimit të videos, e kishin ndaluar dhe marrë në pyetje, por pa mundur t’i zbulonin dhe t’i sekuestronin pistoletën e tij, kalibër 22, me të cilën dje hapi zjarr në shkollë.

Ky është rasti i dytë që të rinj autorë masakrash në Finlandë paralajmërojnë krimin në internet. Vitin e kaluar një 18 vjeçar finlandez ka vrarë të paktën 9 shokë të tij, në një shkollë në qytetin Tuusula. Sipas videos që vetë autori ka hedhur në YouTube, duket që ai ishte i apasionuar pas armëve dhe kishte sjellje violente. Ishte admirues i Hitlerit dhe Stalinit dhe përdorte një pseudonim që përkthehet “Shpirti i furtunës”. E përkufizonte veten diku si “ekzistencialist cinik”, diku tjetër si “humanist antihuman”, pak më tutje si “darvinist antisocial” dhe si “idealist realist”.

Quhej Pekka-Eric Auvinen, dhe faqja e tij e internetit në YouTube ishte hapur tre javë para masakrës, pas një tentative të dështuar të administratorëve të rrjetit për të ndërhyrë në të.

Faqja është ndarë në katër seksione: shoqëri, jetë, religjion, filozofi. Ajo është e mbushur plot me mesazhe apokaliptike, si: "Po mbërrijnë revolucionet, qeveritë do rrëzohen, idiokracia e mazhorancave do zëvendësohet me liri dhe drejtësi”.

Pak më tej, në faqen e vrasësit në internet, shkruhej: "Sa më shpejt t’i vijë fundi racës njerëzore, aq më mirë është: askush nuk duhet të mbetet i gjallë, nuk duhet të kemi mëshirë për këtë racë që është fekalja e Tokës”.

Policia ka thënë që “djali vinte nga një familje e mirë”. Është zbuluar se armën e krimit ai e ka blerë në 19 tetor të vitit të kaluar. Në krahasim me vendet e tjera në Europë, në Finlandë është më e lehtë të gjesh një armë. Por krismat dhe vrasjet atje janë shumë të rralla: Para dy rasteve të njëpasnjëshme këto dy vitet e fundit, rasti i mëparshëm, shënohej në 1989 kur një 14 vjeçar, hapi zjarr kundër dy nxënësve që e tallnin, duke i lënë ata të vrarë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›