E Shtunë, 31 Tetor 2026

Një ngjarje në janarin e 1992 në një odë malësori

SHËNIM I REDAKTORIT: Historia e mëposhtme na është dërguar për rubrikën Kontakt nga z.Hamdi Dega, lexues që jeton në Nju Jork në SHBA. Shënimi rrëfen një eksperiencë personale të z.Dega, në vitin e largët 1992.

Redaksia e Kontakt falënderon lexuesit për prurjet e përditshme, dhe lutet ta mirëkuptoni që nuk mundet të botojë materiale të gjata. Bashkëngjitur shkrimit, keni shënimin e rubrikës Kontakt së si mund të shkruani në faqet e saj.

Fakti dhe jo pallavrat, janë shtylla e çdo komenti apo analize. E fakte ka plot! Po ju përmend vetëm një ngjarje të jetuar dhe një realitet legjendar për çdo malësor e shqiptar. Jam duke shkruar një novelë, e cila do të botohet së shpejti, për besën. Ishin prindërit e mi, vëllai dhe familja ime që i shpëtuan fytyrën dhe jetën z.Fatos Nano, në Janarin e vitit 1992.

Nuk e bëmë as për mjekrën e Marksit apo Nanos dhe as për syzet e Leninit apo Fatosit... E bëmë për hir të kultit të mikpritjes dhe besës së malësorit.

"Fatos Nano, - iu drejtua babai im i nderuar, juristi Ramë Dega, liderit të opozitës shqiptare në atë ditë të vështirë,- sot që je mik në shtëpinë time, e duke hangër bukën e kësaj sofre malësore, jeta dhe fytyra jote vlen më shume se jeta e tre djemve e tri vajzave, se jeta e krejt familje sime dhe i fundit që mund të preket, qoftë edhe një fije floku, sot nga këta horra që po lehin jashtë, je ti... Mos harro: kjo këtu brenda e jo horrat besëprerë përjashta, është fytyra e vërtetë e Malësisë së Gjakovës...".

Ishte mençuria e trimëria e këtij malësori që sapo kishte festuar 73-vjetorin, e djalit të tij 32 vjeçar, Agimit, e bashkëshortes së tij trime nga Corrushi, Fatbardha, e kushërinjve tanë, Avniut dhe Fatmirit, që parandaluan jo vetëm prerjen në besë të mikut, por edhe një kasaphanë e gjakderdhje që do të kishte sjellë pasoja të pariparueshme!

Nuk iu prek asnjë qime floku, duke lartuar jo emrin e familjes sonë, por, së pari, monumentin e kultin e mikpritjes së Malësisë së Gjakovës dhe asaj shqiptare në përgjithësi! Nder e lavdi, mikpritjes malësore dhe besës shqiptare!

E, megjithatë, pasi kapërceu lumin pa u lagur fare, Fatos Nano harroi t’u ente qoftë edhe një telefonate babait dhe nenës sime, Xhemile Hoxhë Berishës, që me dru zjarri në dorë e një koleksion sëmundjesh në trup, bënte roje tek dera e shtëpisë për të mos u prekur miku i shtëpisë! Ata nuk prisnin as dekorata e as shpërblim për çfarë bënë, por duke qenë të dy të sëmurë e me dy fëmijë të vegjël të vëllait në shtëpinë që e la në gjendje lufte, çdo fjalë e dashur, u dukej thesar!

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›