A është zgjedhja e Flamur Nokës një ogur i zi për zgjedhjet? (VIDEO)
Nuk mund të mohohet se përzgjedhjen e Flamur Nokës në krye të Ministrisë së Brendshme kryeministri Sali Berisha e ka bërë duke pasur në mendje zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Noka, sekretar organizativ në PD është një ekspert i manovrave të ndyra elektorale. Vjet në maj, tre ditë përpara zgjedhjeve, gazeta TemA publikoi një video, që e sjell edhe sot, ku shihet se si anëtarët e propozuar nga Partia Demokratike në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve raportojnë përpara Flamurit si anëtarë të forumeve të PD-së dhe jo si komisionerë të një institucioni të pavarur kushtetues. Jo vetëm marrin vendime të ndikuara politikisht, siç vërejti dhe raporti i OSBE-ODIHR-it, por anëtarët e këtij komisioni arrijnë pikën kulminante të servilizmit politik duke i raportuar partisë që i propozoi dhe duke u bërë vegël të kësaj partie. Njëri prej tyre komunikon direkt me Flamur Nokën. Hysen Osmanaj, anëtar i KQZ-së i shkruan sms Nokës: Z.Flamur! Po të keni komisionerë gati, trajnuesit e KQZ-së i kemi gati që sot pasdite, edhe nesër gjithë ditën (në orën 16.00 jo, se kanë trajnim me ata të numërimit të votave). Vetëm të PD, ku të doni ju. Suksese!.
Nga ky tekst kuptohen qartë dy gjëra, e para se si një anëtar i një institucioni, që sipas ligjit, duhet të ishte i pavarur i raporton direkt një zyrtari të partisë në pushtet dhe e dyta se si ky institucion vihet në shërbim të kësaj partie duke bërë trajnimet e komisionerëve demokratë në mënyrë preferenciale.
Berisha duket shumë i vendosur për të mbajtur fort Arben Ristanin në krye të KQZ, ndërkohë që raporti i ODIHR për zgjedhjet e 8 majit e damkosi rëndë punën e këtij institucioni, duke kërkuar ndryshimin e tij. Edhe SHBA e BE kanë kërkuar ndryshimin e formulës së përbërjes së KQZ. Para pak ditësh ambasadori i SHBA tha se KQZ na zhgënjeu sërish, duke nënkuptuar sjelljen e saj kriminale me mandatin e Tiranës.