E Shtunë, 31 Tetor 2026

A i ben detyrat shteti?

Kushdo ka ndjekur ne media zhurmen e madhe te shkaktuar per ndotjen e mjedisit me pasoje dhe demtimin e shendetit publik. Me ne fund u zhduk dhe dyshimi per ekzistencen e nje ligji ne mbrojte te mjedisit. Inspektore mjedisi dhe ata ne pushtetin vendor, te zbritur edhe aty, vleresuan rendesine e ketij aksioni, sidomos ne ish-bllok. Saje tyre, tashme, per te gjithe eshte me se e qarte, se mbrojtja e mjedisit perben nje nevoje te domosdoshme per te arritur zhvillim ekonomik shoqeror te shendetshem e afatgjate dhe cilesi te larte jetese per sot dhe per te ardhmen. Vlen pra te pergezohet nisma e organeve shteterore pergjegjese, te cilet do bejne qe blloku te mos bezdiset me nga zhurmat. Per cudi, keto dite kemi pare nje pushtet qendror dhe vendor qe nuk perton te punoje as naten, e qe nuk lodhet duke konstatuar kundravajtje. Gjobe per tejkalim te nivelit te zhurmes, gjobe per mospajisje te aktiviteteve me leje 24 oreshe. Kam qene prezente ne nje nga aksionet e fundit, ku u mbyllen dhe u gjobiten mbi 30 lokale ne bllok. Nje zallamahi e vertete! Trafiku u bllokua dhe njerezit qe zbraznin lokalet e kaluan vertete nivelin kufi te zhurmes, te parashikuar ne ligj. Zbarkuan; fugoni i policise bashkiake, i tere efektivi i komisariatit me ne krye shefin e komisariatit, si dhe inspektor te ARM-se. Nje shtet i organizuar. Po nuk duhet te harrojme, qe eshte po ky shtet, qe per kapjen e nje te superkerkuari nisi vetem 4 police, qe sot jane deshmoret e kombit. Po te isha nje person i huaj, sapo ardhur ne Shqiperi, do e besoja kete lufte ne te miren e perbashket. Po une jam banore e Tiranes, kam lindur dhe jam rritur ne Tirane. Pa kam qene dhe per 8 vite banore e bllokut. Me mjafton te hap thjesht dritaren e shtepise, per te kuptuar deri ne c'mase zbatohet ligji.

Dhe ja, perballe pallatit ku une banoj, eshte ndertuar nje godine pa leje ndertimi. Per arsye qe nuk mund ti di, ne vend te pusetes se shkarkimit te ujerave te zeza, ka nje grope septike, e cila eshte burim semundjesh, duke demtuar ne vazhdimesi shendetin publik. Po ne krahe te apartamentit tim, po ndertohet nje pallat ne kundershtim me te tera ligjet e urbanistikes. Nuk ka respektuar distancen e lejuar, nuk ka rrethuar sheshin e punimeve, si pasoje ndricimi natyral eshte penguar thuajse i teri, dhe germimet pa kriter ndotin ajrin duke u bere kercenim per shendetin e komunitetit.

Ligjerisht ekziston parimi i parandalimit, i cili shmang ndikimet e demshme te nje veprimtarie ne nje mjedis, sikunder ekziston parimi: "ndotesi paguan". Nese zbret me poshte zones sime te banimit, pallatet ngrihen si gure shahu, pa hapesira te gjelbra apo vende parkimi... Po cili organ shteteror e ka per detyre te administroje e te parandaloje keto veprime? Percaktuar ne ligj: jane organet e qeverisjes vendore qe perfaqesojne strukturen me te rendesishme shteterore per administrimin dhe mbrojtjen e mjedisit qe kane ne juridiksion, duke zbatuar pergjegjesite, te drejtat e detyrat qe u jep ligji. Dhe ne mbrojtje te mjedisit, ato kane per detyre, te realizojne zbatimin e ligjeve per mbrojtjen e tij, te hartojne plane vendore per mbrojtjen e mjedisit dhe planet e rregullimit te territorit, te percaktojne vendet e grumbullimit e te perpunimit te mbeturinave prodhuese dhe jetesore, ne perputhje me kriteret mjedisore dhe me planet e zhvillimit, te ruajne zonat e gjelbra ne qendrat qytetare dhe rreth tyre, si dhe te disiplinojne transportin dhe ndertimet ne mjediset qytetare. Ne fushen e infrastruktures dhe te sherbimeve publike detyre paresore mbetet, furnizimi me uje te pijshem, funksionimi i sistemit te kanalizimeve te ujerave te bardha dhe i ujerave te zeza. Atehere, per se qeverisja vendore nuk i ben detyrat e veta?

Duke iu kthyer ligjit te mjedisit, dhe aksionit te inspektoreve, duhet kuptuar qe rrezikshmeri per shendetin dhe mjedisin paraqet cdo zhurme, qe tejkalon nivelin kufi. Ne te takon te ecesh rrugeve te qytetit, shoqerohesh nga nje simfoni e tere zhurmash, ajo e gjeneratoreve, e zhurmes se trafikut rrugor, e tregjeve te ndertuara rendom afer shesheve te pallateve, te cilat ne menyre te pashmangshme demtojne shendetin. Ky fenomen, ka shume vite qe ndodh, por asnje strukture pergjegjese nuk ka levizur gishtin per te ndryshuar situaten, duke e bere marredhenien doze-efekt nga me te qendrueshmet e kesaj shoqerie. Po organi pergjegjes per mbrojtjen e mjedisit nga zhurmat, cili eshte? I njejti ligj percakton Ministrine e Mjedisit si organ qendror pergjegjes ne percaktimin e niveleve kufi dhe zbatimit te masave mbrojtese, si dhe ministrine e shendetesise, dhe ato te linjes. Ministria e Mjedisit, eshte realizuesja, drejtuesja, organizuesja dhe permbushja me me peshe e detyrimeve ligjore ndaj publikut. Atehere perse Ministria nuk nis, e para, te beje detyrat e veta?

Qe prej vitit 1998, Shqiperia eshte anetare e Konventes se Aarhusit e vleresuar si me e rendesishmja ne fushen e mjedisit. Si dokument juridik nderkombetar, Konventa perfaqeson nje teresi te drejtash, detyrimesh, rregullash e procedurash te detyrueshme per zbatim per shtetet qe e nenshkruajne dhe e ratifikojne, ndaj dhe legjislacioni yne ka perafrime te dukshme me legjislacionin komunitar per ceshtjet e mjedisit. Fale ketij anetaresimi dhe detyrimit per tu plotesuar ne syte e nderkombetareve, kuadri ligjor i mjedisit eshte bere me i plote. Por zbatimi i ligjit, eshte kthyer ne nje detyre te veshtire. Jo rralle, Ministri i Mjedisit, fajeson pushtetin vendor per mos hartimin e nje plani rregullues te territorit, i cili do rriste shanset e nje permiresimi te ndjeshem mjedisor. E jo rralle, pushteti vendor akuzon qendrorin per nderhyrje ne autonomine e tij. Por kur flitet per mbeshtetje ne venien e gjobave, dhe per me shume ne fund viti kur arkat e tyre jane bosh, pushtetet i harrojne konfliktet mes tyre, dhe papritur i ndesh ne rruget e bllokut. Po a eshte e drejte qe publiku te jete deshmitar vetem ne momentet kur shteti gjobit? Te gjitheve po na ngulitet gabim ideja qe, forca e nje shteti jane gjobat. Dhe qe cdo ligj fillon e mbaron me sanksionet. Eshte vertete deshperuese, pasi kjo do vinte ne pikepyetje aftesine e nje shteti, per te siguruar harmonizimin e zhvillimit ekonomik e shoqeror dhe permiresimin e cilesise se jetes. E mbi te gjitha, do vinte ne dyshim, ne shteti di te bej detyrat e veta.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›