E Shtunë, 31 Tetor 2026

A i duhen filozofët kohës moderne ?...



Gëzim TUSHI

Shkolla dhe formimi i filozofëve të rinj…

Jo vetëm për motive profesionale, por edhe për ca motive shumë më të thella sociale, nuk më duket se në shoqërinë tonë kemi qëndrime normale, koherente për të vlerësuar dobinë e filozofisë dhe rolin e filozofit në kohën tonë. Është e natyrshme që në kohë të deformimeve të rënda merkantiliste, të rendjes së shthurur pas materialitetit vulgar dhe plotësimit pa kriter të dëshirave biologjike eksentrike, është e vështirë të flasësh për vlerat që kanë “idetë e përgjithshme rregullatore”, dhe për njerëz që kanë ide dhe shqetësime sociale për të sotmen dhe të nesërmen e shoqërisë. Kjo situatë kaotike ka bërë që tani, në shoqërinë tonë, të duket sikur filozofia është e “tepërt”. Ajo gradualisht është duke u zhvendosur; qoftë si shkencë apo si profesion. Ajo është margjinalizuar padrejtësisht për shkak të mentalitet mediokër në skaj të shoqërisë. Ndërsa filozofët tanë, me përjashtime të rralla, ose janë mbyllur pas dyerve të kabineteve dhe mureve të universiteteve, duke u marrë me filozofi në mënyrë skolareske dhe didaktike, ose e ndjejnë veten të pafuqishëm që të zënë vendin që u takon, por jo si dhuratë, por me meritën e shfaqjes së ideve dhe orientimeve të dobishme filozofike për orientimin e shoqërinë, stabilitetin e njeriut dhe jetës publike në Shqipëri, të cilat, sot, si asnjëherë më parë, janë çorientuar; lëvizin në mënyrë kaotike dhe për pasojë, më shumë se kurrë kanë nevojë për ide dhe orientim të qartë filozofik dhe social.
Unë besoj se çështja e vlerës së mendimit filozofik dhe roli i filozofëve në shoqërinë tonë duhet parë në një aspekt më të gjerë. Së pari, puna duhet parë aty ku formohen dhe përgatiten ata. Sipas meje, situata që zhvillohet në këtë sferë tregon qartë atë që koha kërkon. Sipas mendimit tim, duhet një ridimensionim i aksit dhe kahjes së njohurive që marrin studentët që në auditorët e fakultetit. Kjo do të thotë që, pa mohuar vlerën e njohurive të grumbulluara historikisht, në historinë e mendimit filozofik dhe pa shmangur autorët fondamentalë dhe idetë e përfaqësuesve më omnipotentë të të gjithë rrymave të mendimit filozofik, duhet që kurrikulat, lëndët dhe leksionet në auditore të orientohen më qartë, me aks tendencioz, drejt trajtimit të problemeve filozofike që shtron jeta dhe që njeriu duhet t’i zgjidhë sot, në kohën moderne. Sigurisht, unë nuk them që filozofët të bëhen politikanë dhe futen në hullitë e mendimit të sotëm politik, por, ata nuk mund të jenë fare të abstraguar nga problemet e “botës së jetës”; as të fluturojnë filozofikisht mbi të, duke mos qenë fare të lidhur me ngjarjet e jetës shoqërore dhe politike të kohës së tyre.
Studentët kanë nevojë për të mësuar artin e abstragimit dhe të përdorimit të meditimeve të thella filozofike, por, sidomos për ato që janë analoge me të vërtetat e jetës bashkëkohore shqiptare dhe përtej saj. Sipas mendimit tim, më duket se është e nevojshme që krahas problemeve bazale të teorive filozofike klasike, të rrymave dhe drejtimeve tradicionale bazë të saj, duhen bërë përpjekje për të “tematizuar” dhe “problematizuar” më shumë njohuritë që ata marrin në universitet. Me fjalë të tjera, njohuritë shkencore të fushës së filozofisë duhen bërë më aktive, më të disponueshme, të lidhura me jetën dhe të përdorshme me kollajllëk nga studentët tanë që në hapat e formimit akademik. Kjo do të thotë që akoma duhen bërë rivlerësime në raportet e koncepteve të filozofisë tradicionale, të cilat kanë vlerë kur nuk teprohet me to duhet t’i lënë më shumë vend dhe hapësirë koncepteve dhe teorive të filozofisë bashkëkohore. Me sa duket, ato kanë marrë shumë peshë në frymëzimin e qytetërimit liberal të kohës sonë. Këtë ide e ka sqaruar fare qartë Mishel Fuko, i cili ka kritikuar me të drejtë idenë se filozofët në të kaluarën kanë qenë të prirur që të prodhojnë të vërtetën filozofike të “shkëputur nga kushtet dhe rrethanat në të cilat ajo ngjizet” (Muhamedin Kullashi, Pushteti dhe dija tek Mishl Foucault”, faqe 27)
Koha është e tillë që të përgatisim studentët që më shumë sesa të mendojmë për kuintensencat e filozofit sipas “arketipit të pastër”, të mbyllur në meditime shterpe apo në labirintet e mendimit spekulativ (që nuk duhen mohuar kur është fjala për formimin shkencore të studentëve), ne duhet të mendojmë për të përgatitur filozofë që “flasin” me kohën e tyre dhe janë njerëz me mendje të hapur dhe të aftë që të ligjërojnë me shoqërinë e tyre dhe tonën.
Unë e di që do ketë ndonjë që do ta kuptojë të cunguar idenë time, ose qëllimisht, do përpiqet ta deformojë atë. Ndaj më duhet të sqaroj ata por dhe studentët, se gjithnjë ka një rrezik eminent në përgatitjen e filozofëve të rinj të kohës moderne, në të cilën nuk është e lehtë të ndahet qëndrimi i njëanshëm midis “filozofit” të kulluar, teoricienit, lektorit të auditorit akademik, nga “filozofit profesionist” që i duhet shoqërisë në betejën për të “gjetur kuptimin” e gjithë kësaj problematike të madhe konceptuale që ka jeta jonë. Sipas mendimit tim, koha kërkon që t’i përgjigjemi më shpejt kërkesave të saj në mënyrë që të mos e deformojmë formimin profesional të studentëve, që ata në jetë të mos jenë defektozë. Nëse formimi i tyre nuk është kompatibël, përballë kërkesave të jetës sociale konkrete dhe epifenomenale, vlera e formimit është e cenuar. Pa shmangur fare nevojën për “akademizëm” dhe “elitarizëm”, që është prirje organike për filozofët në çdo kohë, besoj se në kohën tonë është e nevojshme që të përcaktojmë qëllime më konkrete të përgatitjes. Natyrisht, pa ngatërruar dhe duke vendosur më qartë “kufirin” e nevojshëm të njohurive që dallojnë filozofin profesionist nga moralisti popullarizues. Këtë gjë ata që kanë nevojë ta kuptojnë më gjerë, është e nevojshme të lexojnë edhe njëherë filozofin e shquar britanik, Bertrand Rasell, i cili e ka sqaruar për bukuri këtë çështje.
Ndërkaq, që të realizojmë këto sfida që jeta i bën formimit të filozofëve tanë, ne duhet të mendojmë pak më tutje duke shkuar përtej mureve të Fakultetit dhe përmbajtjes së kutikulave, sepse studentët që po përgatiten sot janë njerëz që do mendojnë dhe “filozofojnë” nëpër shoqërinë tonë, në “epokën e Shengenit” dhe integrimit europian, dhe fare afër, edhe në Shqipërinë e globalizuar. Jeta moderne do të ketë tjetër ritëm konceptual, filozofik, social dhe moral. Kapja dhe interpretimi konceptual i këtij ritmi, është sa çështje sociale, po aq edhe problem që duhet kuptuar dhe interpretuar filozofikisht.
Në këtë kontekst, besoj se një rregullim më i mirë i problemeve dhe i raporteve brenda procesit mësimor, jo vetëm është i nevojshëm por tani po bëhet akoma më i domosdoshëm. Kjo do të thotë se në qëllimet tona të formimit akademik të studentëve tanë, duhet të mendojmë më shumë për të ndryshuar disa gjëra të rutinës së transmetimit tradicional të dijeve dhe mendimit filozofik historik, duke krijuar tek ata struktura më kompakte të konceptimit më të lirë të profesionit të tyre, duke i mbrojtur nga dogmatizmi teorik dhe të menduarit skolastik, që i bën shpesh ata të pazotë për të qenë filozofikisht sfidantë dhe teorikisht kompetentë përballë me sfidat reale të “botës së jetës” së vërtetë, me sfidat e konceptimit të qytetërimit, me ndryshimet e thella morale të shoqërisë tonë moderne. Pa këtë aftësi kompatibiliteti sa teorik po aq edhe social, kam dyshim se mund të realizojmë misionin tonë akademik, dhe ca më pak që ai t’u shërbejmë formimit të filozofëve të rinj, jo aq për të gjetur ata tregun e tyre të punës, por për të gjetur shoqëria jonë filozofët që do përpunojnë koncepte, do bëjnë analiza dhe do formulojnë ide që i duhen kohës, njeriut dhe shoqërisë shqiptare sot. Nuk është kaq e lehtë të gjesh atë që duhet duke kërkuar në rrugë të gabuar, apo pa gjetur atë se nga duhet ecur për ta bërë atë që duhet. Por sidoqoftë duhet të mendojmë që të gjejmë zgjidhje për të ndryshuar shumë gjëra, që edhe pse duken sikur funksionojnë normalisht nëpër aulat e fakultetit, nuk e kanë efektivitetin e duhur në formimin më adekuat të filozofëve të rinj shqiptarë. Unë besoj se sado të kemi pretendime për trajtime fondamentale ontologjike apo për kontribute shkencore konceptuale në fushën e mendimit të kulluar filozofik, apo të teorive filozofike, nuk i kemi mundësitë, shanset dhe kapacitetet për të pasur një performancë të tillë elitare dhe selektive.
Pa mohuar të drejtën e askujt që të aspirojë që të bëhet “guru” në filozofinë shqiptare, monark në mendimin filozofik, unë mendoj se kemi nevojë që në mënyrë më pragmatiste të mendojmë për ato sfida që duhet të përballojnë filozofët e rinj në jetën tonë, duke i përgatitur në mënyrë sa më komplementare me mendimin e përparuar filozofik, që buron nga sfidat e kohës dhe të jetës sonë moderne, e cila siç po duket, ka dhe në të ardhmen do të ketë akoma më shumë një pafundësi me dilema, shqetësime, ankthe sociale, paqartësi ideore dhe probleme të thella, tronditjeve shpirtërore dhe “tërmeteve sociale” që e kanë bërë shoqërinë shqiptare dhe jetën e njeriut tonë që të lëvizë gjithnjë e më shumë në një terren konceptualo-filozofik të “rrëshqitshëm”. Mendimi teorik dhe ndërhyrjet inkrementaliste të veprimtarisë së filozofëve tanë të rinj dhe të vjetër, duhet konsideruar si mundësi me vlerë të madhe që të ndikohet në stabilizimin konceptual dhe ekzistencial të shoqërisë dhe njerëzve tanë, duke i ndihmuar ata që të gjejnë ekuilibrat ontologjike dhe të mbrohen nga tronditjet e thella të çoroditjeve mendore që po sjell moderniteti social në shoqërinë shqiptare.
Po, a ka zgjidhje problemi që shtruam? Po, me siguri që ka dhe mund të gjenden po qe se vritet më shumë mendja dhe largohemi nga ngurtësitë e njëanshme dhe të panevojshme doktrinarisë në formimin e studentëve tanë; nëse rregullojmë raportet e formimit midis “lëndës historiciste” dhe mendimit elokuent të çështjeve që trajtohen në filozofinë bashkëkohore dhe që i nevojiten kohës dhe shoqërisë tonë. Çështja është që formimi i mendimit filozofik i studentëve duhet t’i ndihmojë dhe jo të bëhet pengesë për rrugën e tyre të depërtimit drejt problemeve të shoqërisë dhe qenies moderne të njeriut të sotëm, të këtij njeriu që është i vështirë të konceptohet nga që gjithnjë e më shumë po bëhet i “lakuar” dhe “pa dimension” social. Hapja me kompetencë drejt problemeve të qenies dhe jetës nuk mund të bëhet në se studentët i mbyllim në labirintet e “kalendave greke” apo i mbajmë ose brenda “unit teorik” të tyre, apo në analet e kapërcyera të historisë. Koha në shoqërinë tonë po bëhet gjithnjë e më e vështirë. Jo aq për të orientuar sendet por për të “qeverisur shpirtrat” e çoroditur nga moderniteti. Dhe këtë detyrë askush më mirë se filozofët nuk mund ta bëjë. Sepse sipas mendimit tim nga idetë filozofike vijnë indirekt por në mënyrë të dukshme edhe “siguritë sociale” por edhe “rreziqet individuale”. Kjo e vërtetë ka ndodhur në çdo kohë. Ndaj për studentët e filozofisë që përgatisim sot në fakultet, duhet të mendojmë se do të jenë njerëzit që nesër do të punojnë në fushën e ideve.
Pavarësisht kushteve që kemi sot në shoqërinë tonë, ne duhet të tregojmë kujdes të veçantë për formimin e filozofëve tanë të ardhshëm, sepse çdo kohë ka nevojë për mendim filozofik. Si çdo shoqëri, edhe shoqëria jonë ka nevojë për filozofët e saj, që duhet të formohen në mënyrë të tillë që të kuptojnë, të shpjegojnë, të interpretojnë dhe të pranojnë gjithçka që është detyrë e tyre filozofike, morale, sociale dhe profesionale...Sepse çfarëdo që të themi në fund të fundit është detyrë thelbësore që filozofi është i “dënuar” të qëndrojë tek problemet dhe mendimi i kohës, duke i shërbyer, së pari “publikut filozofik” të kohës së tij…

28 Tetor 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›