E Shtunë, 31 Tetor 2026

Koha moderne nuk ka “pikë kthimi”…



Gëzim Tushi

Unë besoj se në thelbin e progresit social dhe përballë problemeve që kanë njerëzit me veten dhe shoqërinë është e tyre, thelbësor është konceptimi i drejtë i raportit me “kohën”. Kjo shihet në kuptimin filozofik dhe social, si rrjedhë lineare pa kthim, por dhe si element vlerësimi për aftësitë e kompabilitetit të njeriut me kohën dhe shoqërinë e vet. Këto janë probleme që, pavarësisht terminologjisë së përdorur dhe përtej koncepteve thjeshtëzuese që kanë njerëzit, kanë ndikim të madh në ndërtimin e raporteve të secilit njeri me kohën e vet. Në këtë kontekst, duke e parë realitetin tonë social, kupton se nga mënyra si konceptohet marrëdhënia e njeriut me veten, kohën dhe shoqërinë e tij, ky raport jo vetëm është i rëndësishëm por, në të njëjtën kohë, është treguesi më evident që përcakton “fatin individual” të njeriut, që lidhet me aftësitë e tij për të “kuptuar kohën” veçoritë dhe sfidat e saj, mundësinë e orientimit për të qenë me kohën apo kundër saj, në rrjedhën e natyrshme apo në antinomi me të.
Këtë të vërtetë të vjetër të jetës dhe të mendimit filozofik e ndeshim përditë në shoqërinë tonë, sidomos në qëndrimet, vlerësimet dhe reagimet e njerëzve tanë, në përballjet e forta të tyre me vështirësitë kalimtare të së sotmes dhe problemet e panjohura deri në fund të së nesërmes. Duket se njerëzit tanë kanë vështirësi, të cilat në thelbin e tyre janë të natyrshme, qoftë për të “dirigjuar të sotmen” apo për t’u përgatitur që të menaxhojnë dhe administrojnë të ardhmen. Unë besoj se duhet të na shqetësojë fakti që disa njerëz nuk po dinë të vendosin marrëdhënie të drejta me imperativat e kohës së tyre, duke mbetur jashtë apo në periferi të kërkesave ultimative të saj. Shumë probleme sociale, ekonomike, dhe shpirtërore që përjetojmë janë padyshim të lidhura me mënyrë sesi e trajtojmë kohën, sesa jemi në përputhje me rrugën e saj drejt progresit, zhvillimit dhe rritjes.
Kjo do të thotë që njerëzit tanë të mësojnë se nuk kanë kohë tjetër për të jetuar veç “kohës së tyre. Sido që ajo është. Realisht, për shumë njerëz është e vështirë, ca për faj të mungesës së aftësisë koherente të individit për t’u përshtatur me kërkesat e kohës, por edhe për faktin që jeta sociale në Shqipëri është bërë shumë e komplikuar, plot kontradikta. Nganjëherë të pashpjegueshme dhe të papërballueshme. Ndaj është bërë më shpeshtuar frekuenca e takimit me njerëz që vuajnë nga koha, por dhe njerëz qaramanë që zvarriten si “vemje” pas saj.
Në këtë kontekst duhet menduar më shumë për zgjerimin në shoqërinë tonë të kësaj kategorie sociale. Sepse duhet pranuar si realitet sa subjektiv po aq dhe objektiv që koha moderne në Shqipëri për disa njerëz për fat të keq është bërë “barrë individuale”. Për pasojë kanë filluar të shtohen njerëzit që ankohen për “pavlefshmërinë” dhe defektet e kohës moderne, njerëz që kanë shterur energjitë dhe që filluar të deprimohen nga pikëpamja sociale. Ka një rritje të njerëzve që nuk kanë gjetur kohën e tyre apo që janë në kërkim të kohës së humbur, jo gjithnjë dhe domosdoshmërisht për faj të shoqërisë, por nga që nuk kanë qenë në gjendje të kuptojnë impertivin e kohës dhe t’i përshtaten me çdo kusht asaj që kanë krijuar pritmëri dhe iluzione se nuk është kjo liria, demokracia dhe moderniteti i vërtetë, apo se trajtat nacionale të demokracisë tonë janë vetëm të deformuara.
Pavarësisht se në çfarë mase është i vërtetë konstatimi i tyre, duhet pranuar se këto gjëra që po ndodhin në shoqërinë tonë, janë probleme të natyrshme, që në thelbin e tyre janë të lidhura dhe burojnë nga filozofia, tipologjia dhe standardet e tranzicionit. Akoma më keq është situata për disa të tjerë që kanë këputur artificialisht lidhjet e duhura me kohën e tyre, dhe mendojnë në “gjatësi vale” që nuk i kap koha jonë, që besojnë pasivisht në filozofinë mesianike, apo qëndrojnë në “pritje të Godosë” duke besuar se nuk do të jetë gjithnjë kështu, se shoqëria shqiptare do të bëhet më e mire, më humane dhe solidare dhe se shteti në të ardhmen do të bëhet më social, etj, etj. Këta janë ata që “nxijnë” realitetin, që mallkojnë kohët modern, që flasin për “rënie” apo regres të shoqërisë shqiptare nga që janë mësuar me modelin e një rendi të palëvizshëm, statik që të siguronte me dhunë barazinë në varfëri. Adhuruesit e kohës së shkuar, apo ata që kanë akoma iluzione se ato kanë qenë kohë të “arta” është pak që t’i quash jashtë kohe. Konceptet e tyre janë retrograde, pa të sotme dhe të nesërme.
Por, megjithatë është e vërtetë që në shoqërinë tonë njerëzit janë të shqetësuar për shumë dukuri sociale që ka sjellë koha lidhur me martesën, familjen, shkollën, humanizmin, solidaritetin, egoizmin. Më saktë, për të gjitha ato dukuri, fenomene sociale që ka sjellë koha modern dhe që realisht janë shqetësuese për njeriun dhe shoqërinë tonë. Ndërkaq, ka të tjerë që janë të alarmuar për marrëdhëniet e ç’akorduara dhe të tensionuara midis brezave në familje, për funksionimin e familjes moderne një bërthamore, për varfërinë, numrin në rritje të krimit, divorceve dhe sjelljeve brutale dhe kriminale. Koha modern ka sjellë konflikte të thella midis prindërve dhe fëmijëve, midis të moshuarve dhe të rinjve. Familja e sotme jo vetëm nuk është “qelizë” apo “bërthamë”, por nga mënyra se si po bëhet organizimi i saj, nuk ngjet as si “agjenci sociale”, që të paktën të garantojë ekzistencën dhe qëndrueshmërinë tipologjike. Martesa nga ana tjetër është duke përjetuar një nga krizat më të thella në historinë e shoqërisë sonë. Tronditjet brenda saj, shtimi i divorcit e kanë vënë këtë institucion para provave të mëdha ekzistenciale, që kanë të bëjnë me të sotmen dhe të ardhmen e saj. Bashkë me to, duket se vazhdon të jetë në ngjitje kurba e qëndrimeve agresive dhe sjelljeve jo qytetare. Po rritet numri i krimeve, vrasjeve dhe vetëvrasjeve që kanë marrë masivitet të frikshëm.
Të gjitha këto shqetësime të thella strukturore të shoqërisë shqiptare, kanë tronditur natyrshëm besimin e njerëzve tek vlerat e kohës modern. Tek shumë njerëz ka humbur besimi se e ardhmja e shoqërisë tonë do të bëhet një ditë më e mirë se sa është sot. Në këtë situatë kaotike të marrëdhënieve të njeriut me kohën e vet, janë gjallëruar edhe idetë. Liberalët në shoqërinë tonë janë nxitës pa kompromis të zhvillimit dhe modernitetit, duke qenë radikalë në synimin e tyre për të ecur përpara, dhe për të mos e frenuar rrjedhën e lirë të zhvillimeve qoftë edhe të vështira dhe kontradiktore. Ata janë të kënaqur me atë që po ndodh në kohën tonë, sepse janë të bindur që kjo rrjedhë e lirë e fenomeneve dhe dukurive sociale, do të na çojë në mënyrë të natyrshme drejt standardeve të shoqërisë moderne. Të bindur që koha moderne nuk ka më as ndalesa ca më pak “kthime pas”, ata përpiqen të “nxitin xhirot” progresive të “motorit social” të shoqërisë tonë. Nganjëherë pa menduar fare për “anën e errët” të procesit, për problemet dhe kontradiktat e thella, për pasojat që po sjell koha për individë dhe grupe sociale të caktuara.
Të tjerët ata që tremben nga ritmet e shfrenuara të modernitetit, nga marramendjet metafizike, çoroditjet ekzistenciale dhe turbulencat psikologjike të modernitetit, kanë “zënë pozicion” përballë shoqërisë moderne dhe “gjuajnë” me topat e konservatorizmit çdo cep të shoqërisë tone. Ata inventarizojnë çdo gjë të re që nuk është konform me moralin, zakonet, traditat, tipologjinë sociale të shoqërisë së kaluar. Ata numërojnë me imtësi të gjitha kontradiktat, deformimet, dhe të tmerruar nga ritmet e çmendura të modernitetit, mbeten duke sharë “kohën e tyre. Madje, çdo gjë, duke besuar se një ditë shoqëria jonë mund të bëhet normale duke ndalur ritmin e zhvillimit apo ndryshuar aksin e drejtimit të zhvillimit të saj. Filozofët dhe sociologët modernë Max Horkheimer dhe Teodor Adorno, duke analizuar thelbin dhe format e shfaqjes së “kohës” në shoqërinë modern, kanë shkruar se “E sotmja duket se nuk ka pika kthimi. Ndryshimi i gjendjes ndodh gjithmonë për të mirë.” (M Horkheimer, T Adorno, “Dialektika e iluminizmit” faqe 337)
Në të vërtetë, po qe se kohën dhe zhvillimet në shoqërinë tonë i shikon në mënyrë të thjeshtëzuar, duke i parë dukuritë sociale kontradiktore vetëm në sipërfaqe, dhe ca më tepër në se fenomenet vlerësohen nga dukja, natyrisht për shkak të kësaj optike, normalisht do të dukej se shoqëria jonë në vend që të orientohej drejt një situate me të vërtetë njerëzore, duket se është duke ecur drejt një anomie dhe çrregullimi social. Duhet të jesh njeri me vizon të ngushtë, me aftësi shterpe për të njohur kohën dhe thelbin e realitetit tone, po qe se mendon se koha moderne në vend që t’i jepte kuptim autentik jetës së individit dhe shoqërisë, i ka bërë ato më kaotike dhe të pakuptimta.
Padyshim është e vërtetë që ka një koncept në zgjerim në shoqërinë tonë që shfaqet tek shumë njerëz, shtresa dhe grupe sociale të pafavorizuarish, apo të njerëzve që momentalisht janë në boshllëk ekzistencial, të pa orientuar me sfidat e jetës, të cilët mendojnë se në kohën tonë asnjë vlerë njerëzore përveç aftësisë për t’u përshtatur me realitetin empirik nuk vlen. Sipas psikologjisë së njerëzve që ndihen të dështuar qëllimi në kohën tonë është që njeriu të mësojë si të ruhet nga rreziqet dhe si të përshtatet me imperativat e jetës. Kjo është e vërtetë por në të vërtetë nuk është tamam e “vërteta e plotë”. Idetë e deformuara janë të rrezikshme dhe me pasoja të thella sociale në kohën moderne. Sidomos kur nga vështirësitë që kalojmë aktualisht, ka njerëz që mendojnë se e kaluara për ta ka qenë më e mirë, më e sigurt se sa e sotmja që është më e lirë por dhe më e pasigurt. Besoj që në emër të kohës që jetojmë, duhet që në shoqërinë tonë këtë psikologji retrograde ta sulmojmë, kudo që ajo të shfaqet apo të fshihet, jo aq për rrezikshmërinë sociale, se sa si një pengesë madhore për perceptimet individuale, realiste dhe optimiste të jetës moderne në shoqërinë tonë.
E thënë nga njerëz të zakonshëm, të mërzitur dhe të lodhur nga hallet, nga varfëria dhe pamundësia për t’i zgjidhur problemet, kjo nuk do të përbënte ndonjë problem të madh social. Por kur dëgjon që herë me shaka dhe herë seriozisht këtë qëndrim e mbajnë edhe intelektualë, përfaqësues të medias, kjo është vërtetë shqetësuese. Të besosh se për shkak të vështirësive të progresit apo mungesës individuale të disa njerëzve për të “kapur kohën” e tyre dhe për tu orientuar sipas saj, ka qenë qoftë edhe në aspekte të veçanta më e koha e kaluar që në mënyrë të dhunshme zhduku çdo gjë të ndryshme, dhe që në mënyrë totalitare e bëri gjithçka të njëllojtë, që unifikoi çdo gjë dhe që zhduku, çdo dallim dhe diversitet, kjo më e pakta është hipokrizi sociale. Në atë shoqëri është e vërtetë që çdo gjë e veçantë ishte identike me gjithçka. Por, ajo është koha vrastare që nuk lejoi askënd që të kishte shansin që të ishte “identik me vetveten”.
Politologu i shquar spanjoll, Josep Ramoneda e ka karakterizuar fare qartë këtë shoqëri, duke perifrazuar thënien e një intelektuali nga Vajmari, sipas të cilit “Socializmi real ishte një stallë. Të gjithë ishim aty brenda, secili i lidhur me zinxhirin e vet, po kishim një çati mbi krye edhe pse çati mjerane. (J. Ramoneda, “Fundi i pasionit politik”, faqe 27) Por kjo barazi shoqërore ka qenë jo vetëm e shëmtuar, por edhe një “barazi shtypëse” për njeriun si individ. Në një farë mënyre shoqëria u bë një “furrë sociale” në të cilën u shkrinë të tëra cilësitë individuale. Ajo është kulmi i kohës së mbrapshtë e cila determinoi që të gjithë njerëzit u bënë vetëm hipokritë dhe konformistë. Shoqëria nuk ishte aq shumë shoqëri, por më shumë një “kolektiv i manipuluar”. Të paktën në kohën tonë gjërat janë të qarta, të ndara midis tyre. Koha ka krijuar shanse për këdo që të dallojë dhe të ndajë përgjegjësinë e përgjithshme të kohës dhe shoqërisë nga përgjegjësitë e veçanta të individit të lirë. Për këtë arsye njerëzit tanë duhet të kuptojnë se përfundimisht koha edhe në shoqërinë tonë nuk ka më “kthim pas”, as sot as nesër…

11 Nentor 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›