Varfëria që po zëvendëson “dhomat e gazit”
Albert Gjoka
Në këto ditë, me një tollovi lajmesh të gjithëllojshme, nuk mund të mos shtangej syri dhe të bykosej fryma teksa shihje trupat e katër fëmijëve të pajetë që dilnin me barela nga një barake, e cila fatkeqësisht është pjesë e realitetit ku jetojnë. Edhe po të duam të mos e shohim, atë e kemi afër dhe na vret sytë. Të enjten në mëngjes e kishim vetëm 30 kilometra larg kryeqytetit të zhurmshëm, në ditën që u lajmërua heqja e perdes së xhamit mes Shqipërisë dhe Europës. Por, Roberti, Vilsoni, Kasandra dhe Nertila Xheka nuk e patën fatin për ta prekur atë. Ata provuan pamëshirshëm realitetin e tanishëm, atë të një familjeje të kallur nga varfëria; të pastrehë, në terr dhe të braktisur nga shteti dhe të harruar nga shoqëria, e cila po atrofizohet gjithnjë e më shumë në nervin e saj human dhe angazhimin qytetar. Do të duhej që ata të vdisnin në heshtje, të asfiksuar nga amianti që prodhojnë të gjithë rreth e rrotull, e pastaj dikush të tregojë apo shkruajë. Por, vetëm kaq. Në këtë vend çuditë zgjasin pak dhe më pas gjërat lihen në dorën e Zotit. Do të duhet që të përmbytemi më shumë se tri herë dhe të mos i rregullojmë shtretërit e lumenjve apo sistemin e kanalizimeve; do të duhet që të mbushen rrugët plot me gjak dhe sërish të mos jemi në gjendje që ta disiplinojmë trafikun; do të duhet që të vdesim nëpër spitale, me shpresën se mos do të ngjallemi; do të duhet që të ndëshkohemi e fshikullohemi, e prapë, për dreq, të mos zëmë mend.
Kjo gjë nuk e ngushëllon as destinin tragjik të katër të miturve të familjes Xheka (të tilla ngjarje ka pasur plot në këtë vend, dhe do të ketë me siguri), por nuk mund të ngushëllohesh as me faktin se ata e humbën jetën thjesht dhe vetëm aksidentalisht. Katër fëmijë nuk mund të lihen fillikat, në një barake, pa drita dhe pa bukë; një grua me katër fëmijë nuk mund të lihet pa përkrahje sociale apo pa punë nga qeverisja në një vend që çan male dhe hap tunele, apo nga një ministër Pune që ka në axhendën e përditshme të punës së tij premtimin që shefi i tij u ka dhënë votuesve për të realizuar një skemë “kafshate” kundër varfërisë. Një prind nuk duhet dhe nuk mund të lihet në papërgjegjshmërinë e tij për të pasur luksin e të qenit prind i këtij soji nëse ai nuk e bën detyrën e tij. Të gjitha këto dhe shumë të tjera thuhen jo vetëm për tragjedinë që ndodhi në Sukth, por edhe për ato që na kanë parë sytë dhe kemi dëgjuar gjithë këto kohë: për fëmijë që lypin, vjedhin dhe grabitin në mes të ditës dhe natën, kryesisht prej hallit, në pamundësinë e prindit për të garantuar kushtet jetike dhe që përfundojnë në pranga; për qytetarë që depresioni iu merr mend rrugëve sepse nuk munden të sigurojnë bukën e përditshme, për burra dhe gra që vetëvaren apo vetëvriten se nuk kanë fuqi apo mbështetje për të siguruar kafshatën; për vajza apo gra që shesin trupin e tyre përdhunshëm vetëm e vetëm për të garantuar mbijetesën; madje edhe për njerëz që nxjerrin në shitje veshka vetëm e vetëm që të sigurojnë para për të shëruar sëmundjen apo për ngritur një copëz strehë. Dhe si për ironi të fatit, ndonëse emrat e tyre do të duhej të ishin në radhë për asistencë sociale, lëmoshën e shtetit vazhdojnë ta marrin ata që nuk e kanë problem mbijetesën. Listat e të varfërve të Ministrisë së Punës nuk janë ato të dyqaneve nëpër fshatrat dhe qytetet e këtij vendi. Strategjitë apo programet për integrimin e të varfërve në jetën social-ekonomike, për mbulimin me ndihmë ekonomike të familjeve të varfra apo planet për plotësimin e tipologjisë së shërbimeve sociale, programet e punësimit etj., mbeten vetëm një grumbull letrash të pavlera nëse ato nuk parandalojnë sadopak krimet dhe tragjeditë që pjellin prej varfërisë së qytetarëve të këtij vendi.
Së fundi, do të kishte qenë e udhës që në axhendën e punës së ministrit të Çështjeve Sociale, ditën e enjte apo të premte, të ishte përfshirë edhe prania e tij në vakinë e familjes Xheka (në mos ai, të paktën një prej drejtuesve të tjerë të kësaj ministrie), jo thjesht për ngushëllim apo lëmoshë, sepse kësaj qeverie nuk i ka munguar ndjeshmëria ndaj ngjarjeve të rënda që na tronditin, por do të ishte një mesazh i qartë se kjo qeveri e ka realisht në axhendë atë që vret në heshtje përditë: varfërinë. Tragjedia e mëngjesit të tri ditëve më parë është alarmi më i frikshëm se skamja e shqiptarëve po kthehet në një ndëshkim mizor në “dhoma gazi”.
13 Nentor 2010