Të forcojmë familjen apo institucionet sociale ?...
Gëzim TUSHI
Rrallë, shumë rrallë kemi menduar të flasim për ca role fondamentale të familjes, zbehja e të cilave ka bërë që të rritet kostoja sociale e shoqërisë dhe shtetit për të përballuar padrejtësisht disa fatura të pamerituara: Jo në kuptimin financiar sesa për shkak të pamundësisë për të luajtur në mënyrë të natyrshme ato role dhe përgjegjësi që i takojnë në mënyrë të natyrshme familjes, si institucioni më natyral i organizimit të jetës sociale. Nga që kam më shumë se një dekadë që merrem me çështjet sociale dhe nga që puna e ka bërë që të ndjek në mënyrë intensive kurbën e ndryshimit të tipologjisë së problemeve sociale, zgjerimin e nomenklaturës së tyre, më duket se ka ardhur koha që të themi disa të vërteta dhe të ndikojmë që të ndahet “shapi nga sheqeri”. Nuk do të isha korrekt, as analog me të vërtetat sociale të jetës nëse nuk do të thosha se në kohën tonë shumë probleme që janë sociale burojnë nga mungesa e funksionimit dhe e mbajtjes së përgjegjësisë nga familja. Dëmtimi i nervit social të familjes, hollimi i ndjenjës së përgjegjësisë ka bërë që padrejtësisht shoqëria të infektohet me shumë dukuri, probleme dhe plagë sociale të pamerituara, të cilat është e pamundur të përballohen vetëm në “rrugë institucionale”. Nëse analizojmë vërtetë shkaqet e kësaj situate, arsyet e këtij inondimi të jetës sociale në shoqërinë tonë, sipas mendimit tim, është e lidhur me dobësimin dhe zbehjen e “rolit ndërmjetës” të familjes. Këtë konstatim e kanë bërë edhe sociologët e kohës moderne. Ata nuk e kanë gabim kur mendojnë se në kohën tonë duhet rivlerësuar dhe duhet vënë në vendin e vet “roli ndërmjetës” i familjes si institucion me përgjegjësi sociale unike, në raport me funksionimin e institucioneve të tjera të jetës politike, publike dhe sociale. Ky rol që në të vërtetë është mision në kohën tonë është me vlerë dhe dobi shumë të madhe.
Ka një realitet social që duhet vlerësuar sot seriozisht. Dobësimi i rolit social të familjes shqiptare, situata e zhvillimeve kaotike të jetës intime, strukturore dhe sociale ka ndryshuar disa nga rolet dhe përgjegjësitë e familjes shqiptare të kohës sonë. Dobësimi i kohezionit social, konfliktet, divorci i shtuar, papunësia ende e lartë, përdorimi i zgjeruar i drogës dhe alkoolit, shtimi i fëmijëve të rrugës, rritja e intensitetit të dhunës mbi gratë dhe fëmijët në familje, etj., janë shkaqe evidente, që kanë determinuar zbehjen e rolit social dhe aftësive vetërregulluese të familjes. Kjo është arsyeja themelore që ka bërë të rritet bërë kurba e presionit të “nevojave sociale” ndaj shtetit dhe shoqërisë, si detyrim jo gjithnjë i merituar për të marrë masa sociale me institucione komplementare për kompensuar defektet e familjes. Nuk besoj se duke shpresuar kështu jemi në “rrugën e duhur”, as duke menduar në mënyrë naive për “detyrimet statutore” të shtetit social. Problemet sociale që ka shoqëria jonë nuk mund të zgjidhen me përfytyrime utopike, as me ide të vjetra sociale paternaliste të detyrimit të shtetit, i cili në instancë të fundit nuk është në çdo rast i detyruar të mendojë më shumë për të përballuar kostot sociale që vijnë nga prishja e funksioneve organike dhe relacioneve historike e tradicionale të familjes shqiptare.
Në vlerësimin sasior dhe cilësor, sintetik dhe statistikor nuk është vështirë të bëhet llogaria sociale, sipas të cilës, pjesa me madhe e problemeve me të cilat përballemi sot burojnë nga mosfunksionimi si duhet i familjes si strukturë sociale e jetës intime, por dhe si formacion fondamental i jetës publike. Koha po tregon se problemet do të shtohen akoma pikërisht për shkak të mosfunksionimit si duhet të “rolit ndërmjetësues” dhe të “përgjegjësisë sociale” dhe përgjegjësive të tjera organike të familjes shqiptare. Kjo do të thotë që duhet që tani të përpiqemi që të vëmë familjen në “vendin e duhur”, duke e bërë atë institucionin më fondamental të jetës sociale; sepse aty lindin, por dhe aty zgjidhen shumica e problemeve të jetës sociale dhe individuale. Problemi që duhet shtruar për diskutim social publik është se: A do të forcojmë familjen apo do të ecim në rrugën e gabuar të pasivitetit dhe mungesës së përgjegjësisë sociale të familjes, dhe për pasojë të kërkojmë dhe të gjejmë mënyrën e provuar pa të ardhme, të krijimit të institucioneve sociale pa fund, si mënyrë për të kompensuar dhe zëvendësuar familjen, defektet dhe boshllëqet sociale të saj?
Me fjalë të tjera, unë besoj se është koha kur kemi mundësi që të riorientojmë kahjen e lëvizjes së duhur të zgjidhjes së problemeve sociale, por me kusht që ta bëjmë çështjen e forcimit të familjes sonë “aksioni kombëtar” të të sotmes dhe të ardhmes”. Në këtë kontekst, jo vetëm nuk është e udhës, por, nuk është zgjidhje që shoqëria të mendojë si t’i bëje “presion” institucioneve përgjegjëse që ato të ngrenë sa më shumë institucione sociale, si mënyrë pasive për të përballuar “vakuumet sociale” që vijnë nga mungesa e funksionimit normal të familjes. Ajo që duhet është që të punojmë që të shëndoshim funksionimin e familjes, përmirësimin e rolit dhe funksioneve të saj, në mënyrë që të pakësojmë apo stabilizojmë institucionet sociale të cilat në çdo rast janë me funksion social alternativ.
Koha ka treguar se rruga e parë e shtimit të institucioneve sociale publike, private apo jo qeveritare, apo përpjekjet sado moderne për t’i bërë ato institucione komplementare për të përballuar kostot e mosfunksionimit të familjes shqiptare nuk është rruga e duhur, nuk është mënyra e vetme e zgjidhjes së problemeve sociale që “burojnë nga familja”. Përkundrazi, në vend që të entuziazmohemi nga zgjerimi i rrjetit të shërbimeve sociale (të cilat në një masë janë të arsyeshme dhe të domosdoshme), e mira do të ishte që të kthejmë kokën të gjithë nga familja, nga ky institucion organik dhe universal, si mënyra më e mirë dhe më optimale për zgjidhjen e natyrshme të problemeve të zgjeruara të zhvillimit dhe modernizimit të jetës sociale të shoqërisë shqiptare. Kjo do të thotë që është më produktive që politika, shteti dhe shoqëria të investojnë për të forcuar rolin dhe funksionimin social të familjes, më shumë se sa të investojnë për të krijuar institucione sociale, të cilat sado moderne që të bëhen, nuk mund kurrë të jenë alternativë sociale për familjen. Diagnozat e analizës së situatës së familjes shqiptare na detyrojnë që të fillojmë të mendojmë më mirë dhe më shpejt për të gjetur terapitë për “shërimin” e saj. Të paktën për të ndalur agravimin e gjendjes dhe përkeqësimin e situatës sociale që mund të jetë pasoje e procesit të “shthurjes së familjes”, që tashmë nuk është më iluzion por një realitet i pastër, i qartë dhe i drejtpërdrejtë; sepse masa absolute e problemeve sociale, e shqetësimeve individuale dhe e performancës së dobët të funksioneve të jetës politike dhe publike në shoqërinë tonë, në një masë të konsiderueshme janë të lidhura me funksionimin e dobët të familjes shqiptare.
Niveli i lartë dhe larmia e tyre në një masë të konsiderueshme është i lidhur me cilësinë e funksionimit të familjes dhe me plotësimin e roleve sociale të saj. Kjo do të thotë se duhet të ndryshojmë diçka në raportet e kujdesit për familjen në raport me punën shumë herë pa produkt për forcimin e institucioneve sociale. Kjo do të thotë se është koha që shteti, pushteti, opozita, media, shkolla shoqëria civile, ligji, çdo gjë dhe gjithçka, duket të kontribuojnë me të gjitha mjetet dhe të bëjë gjithçka që, së pari të forcojmë familjen, këtë institucion universal të jetës private, në mënyrë që ajo të japë ndikime organike në forcimin e institucioneve të disiplinës, të jetës sociale dhe të veprimtarisë publike. Kjo strategji është produktive, e provuar dhe me rezultate të qarta në shoqëritë moderne europiane dhe anglosaksone.
Nuk mund të tolerohet më kjo neglizhencë politike dhe publike për situatën sociale të familjes shqiptare, që po e gërryen konflikti, krimi, shpërbërja, mosfunksionimi, denatyrimi i funksioneve, ngatërrimi i roleve, duke e bërë atë jo më vatër të ngrohtë të edukimit por një “xhungël sociale” të dhunës dhe destruktivitetit social. Indiferentizmi për familjen po jep kundër-efektet e veta, çmimi i të cilave sot nuk është aq shumë i madh sa do të jetë nesër. Natyrisht, nëse do vazhdojmë të ecim në këtë rrugë, nëse do të mbajmë këtë qëndrim indiferent dhe superliberal me të, në se do neglizhojmë funksionet dhe rolet sociale dhe nuk vlerësojmë mundësitë e pashtershme të saj si institucion etik, kulturor, qytetërues dhe disiplinor, situata e problemeve sociale në shoqërinë tonë me siguri që do të përkeqësohet. Kjo do të thotë që në politikat tona kombëtare duhet të mendojmë pak më ndryshe; të ndryshojmë aksin e politikave dhe të kujdesit social, duke ndryshuar gradualisht vendin e prioriteteve të kujdesit së pari për situatën e familjes dhe pastaj ngritjen e institucioneve të reja sociale. Kjo do të thotë që konceptualisht duhet të mendojmë ndryshe; të ndryshojmë së pari praktikat e angazhimit dhe përkujdesit social. Një gjë nuk dihet harruar pse është një e vërtetë sociologjike që vjen nga koha dhe për të cilat koha moderne na ka dhënë akoma më shumë dhe më drejtpërdrejtë mësimet e saj. Siç thotë sociologu modern, Robert Nisbet (1913-1996) “...mënyra më e sigurt për të dobësuar familjen, apo çdo grup shoqëror vital, është që qeveria të marrë, pastaj të monopolizojë, funksionet historike të familjes”. (R. Nisbet, “Konservatorizmi”, faqe 155)
Kjo do të thotë që në vend që të mendojmë në mënyrë thjeshtëzuese se çfarë mund të bëjmë që të ngremë institucione që duket se mund të “zëvendësojnë familjen” , rolin dhe funksionet polivalente dhe të pazëvendësueshme të saj, më mirë do të ishte që të investojmë aty ku duhet dhe ku ka duk social investimi. “Natyrisht, nuk mund të gjesh atë që duhet, kur kërkon në vend të gabuar”, - thonë sociologët. Ndaj, koha kërkon jo institucione që të zëvendësojnë rolin e pazëvendësueshëm të familjes, por të punojmë që të forcojmë familjen, si kusht për të zgjidhur problemet sociale që burojnë prej saj. Ajo që kërkohet nuk është beteja pa fund për të ngritur sa më shumë institucione sociale, por lufta sociale, puna edukative dhe kulturore për të organizuar betejën e madhe për të ngritur shoqërinë tonë në valët e një “rifamiljarizimi të plotë”, duke forcuar bazat dhe funksionimin e përgjegjësisë sociale të familjes shqiptare.
22 Nentor 2010