Kostot e papërgjegjshmërisë
Nga Ditmir Bushati
Sot nuk është dita e dekoratave të hierarkëve të lartë të shtetit e as e gjoksrrahjes të atyre që e lanë Shqipërinë të fundit në këtë rrugëtim, por është momenti që të ushtrojmë me dinjitet këtë përgjegjësi, për të mos abuzuar me lirinë dhe mikpritjen evropiane. Sot Shqipëria është në një udhëkryq, pasi për herë të parë në historinë e integrimit evropian, për shkak të keqqeverisjes së Sali Berishës, i është refuzuar jo vetëm çelja e bisedimeve për anëtarësim, por edhe statusi i vendit kandidat në BE. Për pasojë, Shqipëria nuk do të ketë akses si vendet kandidate në fondet e BE-së për zhvillimin ekonomik e social, që janë thelbësore për transformimin e vendit. Sali Berisha ka dështuar dhe do të mbahet mend në histori si kryeministri, i cili zgjodhi pushtetin dhe jo adoptimin e standardeve evropiane për qytetarët shqiptarë, ahengun dhe mbylljen e syve përballë të vërtetave të thëna nga Evropa dhe jo ballafaqimin me to. Sali Berisha vrau ambicien europiane të qytetarëve dhe sot nuk ka kurajon për t’i dhënë jetë një zgjidhje politike që do të prodhonte një model të ri qeverisës e ankoronte Shqipërinë në rrjedhat evropiane. Me 20 shtator 2010, në një takim me përfaqësuesit e 27 vendeve anëtare të BE-së, ministri papagall i Sali Berishës i pataksi këta të fundit teksa deklaronte se refuzimi i aplikimit të Shqipërisë do të ishte shpërblim për opozitën dhe mund të shërbente si precedent për opozitat e tjera në rajon! Shpifje e ulët dhe shprehje e kulturës demonizuese ndaj opozitës për çdo dështim të kësaj qeverie. Lexoni Opinionin e KE-së dhe aty shkruhet e zeza në të bardhë se “qeveria nuk ka pasur vullnet për të pranuar kompromisin e ofruar prej nesh në mënyrë që të kapërcehej kriza politike” dhe se kriza politike është vetëm njëra prej arsyeve së bashku me mosfunksionimin e institucioneve demokratike, drejtësinë, krimin e organizuar, korrupsionin në shëndetësi, drejtësi, arsim, lirinë e medias, administratën publike dhe të drejtat pronësore, e trajektores së dështimit të kësaj qeverie. Sali Berisha nuk mund të fshihet pas krizës politike dhe as të tregoje opozitën si një arsye pse Shqipëria keqqeveriset. Natyrisht që integrimi evropian është përgjegjësi e përbashkët. E në këtë kontekst jemi investuar duke ofruar një zgjidhje që bazohet tek Rezoluta e PE-së, që garanton transparencën mbi procesin zgjedhor të 28 qershorit, në respekt të parimeve kushtetuese. Keqqeverisja është përgjegjësi ekskluzive e Sali Berishës. Instalimi dhe konsolidimi i pandëshkueshmërisë është përgjegjësi e Sali Berishës. Sikurse është përgjegjësi e Sali Berishës marrja peng e institucioneve kushtetuese. Parlamenti, përshkruhet nga Komisioni Europian si një institucion jofunksional, që nuk ushtron kontroll ndaj qeverisë, ku rregullat e bashkëjetesës shpërfillen e rishkruhen nën dhunën e kartonit, ku vota e deputetëve vidhet mu në sytë e opinionit publik e dinjiteti i tyre poshtërohet nga një kryetare që abuzon me postin e saj në mënyrë shproporcionale, duke e ekstremizuar dhe polarizuar më tej jetën parlamentare. Vjet raporti i KE-së dhe të gjitha raportet ndërkombëtare vunë gishtin mbi dy imunitarë të kabinetit qeverisës. Këtë vit, listës i shtohet vetë kryetarja e Kuvendit, e cila duhet të gjeje kurajon politike e qytetare që të largohet nga detyra, për të reduktuar shtëllungat e turpit që kanë mbuluar këtë godinë, në raport me qytetarët shqiptarë dhe partneret ndërkombëtar. Oponenca apo më keq akoma shantazhi ndaj partnerëve evropianë është një armë e ndryshkur që nuk premton avancimin e vendit drejt BE-së, por sundimin e tiranisë korruptive dhe kulturës së mos zbatimit të ligjit e rregullave në kurriz të qytetarëve të thjeshtë. Reagimi i djeshëm i Sali Berishës ndaj Evropës ishte tërësisht kundër mesazhit të dhënë nga partneri ynë strategjik SHBA, që e paralajmëruan atë te mos sillet si një nxënës i keq që ia hedh fajin profesorit. Sali Berisha nën traditën e tij recidiviste bëri të kundërtën! Evropa besnikërisht përshkruan realitetin shqiptar, besnikërisht identifikon problematikën, dhe në të njëjtën kohë përshkruan rrugën që duhet të ndjekim drejt progresit. Qeveria dhe Sali Berisha ka ngelur në klasë! Kostot e papërgjegjshmërisë së tyre nuk mund t’i paguajnë më shqiptarët. Tashmë për ta nuk ka rrugë tjetër veçse të pranojë një zgjidhje politike që i kthen dinjitetin vendit dhe garanton perspektiven evropiane.
Mirel: Dështuat me krizën
Flet Pierre Mirel, drejtor për Shqipërinë në Drejtorinë e Përgjithshme të Zgjerimit në KE
Kur Pierre Mirel, drejtor për Shqipërinë në Drejtorinë e Përgjithshme të Zgjerimit në Komisionin Europian, dorëzoi në Tiranë opinionin e Komisionit dhe raportin e gjatë analitik, dy ditë më parë, qeveritë europiane kishin marrë vendim për heqjen e vizave me Shqipërinë. Dy lajme: Një i mirë dhe një tjetër më pak i mirë, që zoti Mirel shtjellon në këtë intervistë dhë për Top Channel.
A do ta kishte marrë Shqipëria statusin e saj të vendit kandidat nëse do të kishte zgjidhur krizën politike?
Në kriteret e anëtarësimit që janë përcaktuar në Kopenhagen në vitin 1993, një nga kriteret, kriter i rëndësishëm, është stabiliteti dhe mirëfunksionimi i institucioneve demokratike. Ndër institucionet demokratike, një nga institucionet më të rëndësishme është Parlamenti. Opinioni ynë, dhe mendoj se qytetarët e Shqipërisë nuk habiten nga ai, është se Parlamenti nuk funksionon siç duhet. Ai nuk funksionon siç duhet sepse që prej zgjedhjeve pati bojkot dhe vështirësi më pas. Por, ai nuk funksionon siç duhet për një arsye tjetër, që lidhet me funksionimin e strukturave dhe dua të këmbëngul në këtë pikë: Pavarësisht situatës paszgjedhore, ne mendojmë që rregullat, procedurat për funksionimin e Parlamentit nuk respektohen dhe Parlamenti kësisoj nuk ushtron rolin e tij të vërtetë kontrollues mbi qeverinë.
Pikërisht në këtë pikë, ju keni përdorur termin "keqpërdorur". Pra, kryetarja e Kuvendit, thoni ju, ka keqpërdorur funksionimin, procedurat e Parlamentit?
Në çdo Parlament, drejtuesi i seancës, kryetari apo kryetarja e Kuvendit, duhet, sipas nesh, siç ne e shohim në Parlamentet e ndryshme të shteteve anëtare apo në Parlamentin Europian në Bruksel, të ketë një sjellje, një qëndrim jo-partizan! Pra, të jetë mbi partitë, për të bërë të mundur që Parlamenti të mund të debatojë mbi të gjitha çështjet e rëndësishme, qoftë kjo mënyra sesi përcaktohet rendi i ditës, si realizohen seancat e pyetje-përgjigjeve, elementë këto të rëndësishëm për të qenë përmbi politikën partizane.
Zoti drejtor! Në raport lexojmë se qeveria ka pasur mungesë gatishmërie për të pranuar propozimet e Partisë Socialiste që do të çonin në një zgjidhje të ngërçit politik. Çfarë duhet të kishte bërë konkretisht qeveria?
Besoj se ajo që ne themi, dhe sidomos ajo që komisioneri Fyle tha të martën në Bruksel gjatë konferencës së tij për shtyp, është se i takon udhëheqësve të të gjitha partive që të punojnë së bashku për të gjetur një zgjidhje. Dhe nga ana tjetër, vetë Parlamenti Europian në korrik, në rezolutën e tij, kishte provuar të formulonte një zgjidhje, të cilën e përsëriti javën e shkuar në Tiranë, duke provuar ta promovojë në komitetin parlamentar miks Parlament Europian - Parlament shqiptar, por që deri tani nuk ia ka dalë. Por le të shpresojmë.
Pikërisht pra, amendamenti i eurodeputetes Pack, do të ishte një plotësim i propozimeve të Parlamentit Europian?
Është një propozim interesant, sepse vjen nga një anëtare e Partive Popullore Evropiane.
Në këtë takim, Doris Pack, aleate historike e kryeministrit Berisha dhe mike e afërt e ministrit Pollo, propozoi që komisioni hetimor për zgjedhjet e 28 qershorit të nisë nga puna me hetimin e kutive me materialet zgjedhore, ndërsa hetimi për kutitë me fletët e votimit të bëhet pas një vendimi të Gjykatës Kushtetuese. Socialistet e pranuan menjëherë këtë amendament, ndërsa demokratët i thanë jo.
Në raportin aktual thuhet që në Shqipëri nuk ka problem me ligjet, por me aplikimin e tyre. Çfarë mund të na thoni për këtë?
Besoj se opinioni ynë e thotë qartë se kuadri ligjor që është miratuar deri tani, është i mirë, mjaftueshmërisht pozitiv. Kuadër i miratuar përgjatë viteve të shkuara dhe jo vetëm në pak muajt e kaluar. Çështja tani, çështje e rëndësishme, është zbatimi i këtij kuadri ligjor. Dhe veçanërisht në dy fusha, ku ne shpresojmë diçka konkrete në muajt që vijnë, që janë lufta kundër korrupsionit dhe kundër krimit të organizuar. Ka një frazë shumë të qartë në opinionin tonë ku ajo që ne presim, janë rezultatet konkrete, në muajt dhe vitet që vijnë.
Pra, mund të themi se Shqipëria nuk ka avancuar mjaftueshëm në luftën kundër korrupsionit?
Në zbatimin e kuadrit ligjor. Njësoj si Mali i Zi, sepse ne kemi të njëjtin formulim edhe për Malin e Zi.
13 Nentor 2010