Brukseli Shkupit - Paralajmërim për rivendosjen e regjimit të vizave
Fatos Musliu
Bashkimi Evropian i ka bërë kritika të ashpra Maqedonisë për rritjen gjithnjë e më shumë të azilkërkuesve nga Maqedonia në vendet e BE-së. Nëse Shkupi nuk e parandalon këtë dukuri, vendi mund të ballafaqohet me rivendosjen e regjimit të vizave Shengen. Sipas të dhënave të Ministrisë së Jashtme të Maqedonisë numri i azilkërkuesve nga vjeshta ka filluar të shënojë rritje: vetëm në Gjermani në muajin shtator janë paraqitur 521 kërkësa për azil, 146 në Suedi dhe 82 në Belgjikë. Në muajin tetor numri i azilkërkuesve nga Maqedonia në vendet e Bashkimit Evropian është rritur në 206 persona. Vala e re e azilkërkuesve dhe paralajmërimet e zyrtarëve të lartë të BE-s për mundësinë e rivendosjes së regjimit të vizave, kanë alarmuar institucionet në Maqedoni për të ndërmarrë masa në parandalimin e migrimit të qytetarëve.
‘‘Qeveria në seancën e fundit ka marrë vendim që të vazhdohet me fushatën me qëllim që të njohtohen qytetarët të cilët dëshirojnë që të largohen nga Maqedonia dhe që kërkojnë azil se këto gjasa janë zero, pra të njohtohen qytetarët me procesin e liberalizimit me procesin i cili parasheh vetëm qëndrimin e tyre në vend të huaj për kohë të caktuar” - thotë Muhamed Hoxha zëdhënës i qeverisë së Maqedonisë.
Për të gjithë ata persona që do të vazhdojnë të keqpërdorin liberalizimin e vizave do të rishqyrtohet mundësia që t'u merren dokumentet e udhëtimit. Kjo dhe masat e tjera sanksionuese do të ndërmeren nëse vjen deri te eskalimi i situatës. Sipas analizave te Ministrisë së Jashtme, azilkërkuesit i dinë pasojat nga keqpërdorimi i liberalizimit të vizave, por këtë e bëjnë për shkaqe të përfitimeve financiare. Ministrja e Punëve të Brendshme, Gordana Jankulovska, ka bërë me dije se tani azil kërkuesit nuk do të kenë asnjë përfitim financiar pasi shtetet si Holanda, Austria dhe Gjermania i kanë ndërprerë beneficionet financiare që u jepeshin azilkërkuesve gjatë zhvillimit të procedurës.
“Në këtë fazë vleresojmë se nuk ka nevojë që Maqedonia të sanksionohet me rivendosjen e regjimit të vizave, sepse ne do të arrijmë që të pengojmë dukurinë e azil kërkuesve me një fushatë të vazhdueshme me qytetarët ku ata do të informohen se nuk ka asnjë gjasë për marrjen e azilit në cilindo shtet të BE-s” deklaron Gordana Jankulovska.
Sekretari i shtetit për azil dhe migrim i Belgjikës, Meklior Vatle ka vizituar Shutkën, dhe Likovën, komuna këto nga është numri më i madh i azil kërkuesve në Belgjikë. “Që nga fillimi i këtij muaji përballemi me një rritje të madhe të azilkërkuesve në Belgjikë, ky fenomen duhet të luftohet dhe sa më shpejtë që është e mundur të pengohet”, i ka porositur Vatle autoritetet e pushtetit lokal në Maqedoni.
Analisti politik, Sllobodan Çashule, mendon se BE nuk do të rivendosë për disa qindra azilkërkues regjimin e vizave për Maqedoninë. “Kritikat e Brukselit drejtuar Shkupit duhet t'i kuptojmë si vërejtje të fundit dhe se Maqedonia duhet të marrë masa sanksionuese ndaj atij grupi të qytetarëve që keqpërdorin liberalizimin e regjimit të vizave”, thotë Çashule.
Ndihmë për tejkalimin e situatës me fenomenin e azilkërkuesve ka ofruar edhe Qendra Ndërkombëtare për Zhvillimin e Politikave Migruese e cila do të inkuadrohet në fushatë për informim të mirëfilltë se çka nënkuptohet me liberalizimin e regjimit të vizave me vendet e BE-së.
Turqia thotë se nuk do bllokojë planin e NATO-s
"Wall Street Journal"
Ministri i Jashtëm i Turqisë, Ahmet Davutoglu, ka deklaruar se është jashtë çdo shqyrtimi të Ankarasë kundërshtimi i masave të Aleancës Veri-atlantike në planin e sigurisë dhe rrjedhimisht ka përjashtuar çfarëdo mundësie të bllokimit të mburojës raketore, të propozuar nga Shtetet e Bashkuara. Davutoglu ka apostrofuar tri parime bazë të qasjes së Turqisë ndaj mburojës raketore. “NATO-ja mund të zhvillojë sistemet mbrojtëse duke pasur parasysh rreziqet e sigurisë” dhe Turqia nuk konteston këtë masë të Aleancës, ka thënë Davutoglu. Aleanca dhe liderët e 28 vendeve anëtare, duke përfshirë edhe Turqinë, pritet që në samitin që mbahet më 19 nëntor në Portugali, të vendosin nëse NATO-ja do të jetësojë sistemin e mburojës raketore. Pasi që vendimet e NATO-s merren me konsensus, cilido vend anëtar mund të vërë veto.
Derisa Turqia ka mbështetur planin, ajo ka vënë disa kushte. Në këtë kontekst, Davutoglu ka kërkuar që sistemi të mbulojë gjithë Turqinë, sepse mbetja jashtë e cilës do pjesë të vendit, do të jetë e papranueshme për Turqinë. Diplomatët kanë thënë se Turqia është vend i preferuar për mburojën raketore, por jo e vetmja. Një kusht tjetër që e ka apostrofuar Davutoglu, ka qenë mospranimi i pozicionit të Turqisë si vend i frontit të parë të NATO-s, siç ishte gjatë periudhës së Luftës së Ftohtë. Diplomatët thonë se mburoja raketore ka vënë Qeverinë e Turqisë në një pozitë të vështirë. Nëse Ankaraja bllokon ose refuzon pjesëmarrjen në mburojën raketore, do të zemërojë Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e NATO-s. Nëse i bashkohet mburojës, Qeveria turke rrezikon të zemërojë Iranin, fqinj dhe furnizues i madh i energjisë. Administrata e Shteteve të Bashkuara gjithnjë ka pohuar se mburoja raketore është propozuar si plan i kundërvënies ndaj Iranit, ndërsa diplomatë të afërt me bisedimet Ankara – Uashington thonë se Turqia është duke kërkuar që në asnjë dokument të NATO-s, Irani të mos përmendet.
Turqia gjithashtu është e shqetësuar edhe nga mundësia që mburoja t’i dëmtojë marrëdhëniet e saj me Rusinë. Mburoja raketore është test për politikën e jashtme të Davutoglus që përmblidhet me formulimin “zero probleme me fqinjët”.
Kjo politikë mbështetet në idenë që Turqia, e cila për dekada kishte kufij të mbyllur dhe raporte të ftohta ose armiqësore me të gjithë fqinjët, aktualisht nuk ballafaqohet me armiqësi të tilla dhe si rrjedhim duhet t’i hapë sa më shumë që të jetë e mundur kufijtë e vet për tregti dhe udhëtime. Pas vendimit të Turqisë që të votonte kundër sanksioneve të reja ndaj Iranit, është hapur dilema nëse Turqia është duke i kthyer shpinën Perëndimit.
Davutoglu dhe liderë të tjerë turq kanë hedhur poshtë me forcë këtë mundësi. Liderët turq kanë argumentuar se prioritet në politikën e jashtme mbetet integrimi në Bashkimin Evropian dhe se ata janë duke çuar përpara interesat kombëtare të vendit - në formën që do ta bënte çdo vend me këtë pozicion gjeografik.
2 Nentor 2010