Shantazh me filmimet e një videoje, arrestohet punonjësi i SHISH-it
Policia e Gjirokastrës vuri në pranga edhe një inspektor të tatimeve
Të ndaluarit i kërkonin 4 mijë euro një pedagogeje në këmbim të një videoje
I kërkonin 4 mijë euro një pedagogeje të Universitetit të Gjirokastrës, duke i bërë shantazh nëpërmjet regjistrimeve të një videoje, por kanë rënë në prangat e policisë. Një punonjës i Shërbimit Informativ Shtetëror dhe një inspektor tatimesh u arrestuan në flagrancë nga uniformat blu në Gjirokastër. Sipas burimeve zyrtare, u finalizua operacioni “Inteligjenca”, ku ranë në pranga 29-vjeçari Adriatik Çalaj dhe 31-vjeçari Laert Braho, që të dy lindur dhe banues në Gjirokastër. Të ndaluarit kërcënonin pedagogen me inicialen A. Sh., se do t’i publikonin disa video komprometuese që kishin ndaj saj, nëse nuk merrnin shumë e parave. Ata janë shoqëruar në qelitë e paraburgimit, në pritje për të dalë përpara gjykatës.
Hetimet
Një pedagoge e Universitetit të Gjirokastrës “Eqerem Çabej” me inicialet A. Sh., ka shkuar në polici, ku ka kryer një denoncim ndaj dy personave. Sipas deklaratave të saj, një punonjës i SHISH-it dhe një inspektor tatimesh i kanë kërkuar asaj 4 mijë euro, ndryshe do të publikonin disa materiale filmike, të cilat e komprometonin atë. Nisur nga kjo, agjentët organizuan operacionin “Inteligjenca”.
Sipas burimeve nga policia, u ndaluan punonjësi i SHISH-it, Adriatik Çalaj dhe inspektori i tatimeve, Laert Braho. Të ndaluarit kanë arritur t’ia marrin këto lekë, por në momentin që ato i janë dorëzuar Brahos, ai menjëherë është arrestuar në flagrancë nga policia dhe shuma e lekëve është sekuestruar në cilësinë e provës materiale. Gjithashtu, në momentin e arrestimit, Adriatik Çalajt iu gjet dhe iu sekuestrua në cilësinë e provës materiale edhe një disk me materiale me të cilat i bënin shantazh pedagoges së lartpërmendur. Sipas burimeve nga policia, kanë nisur hetimet në lidhje edhe me përmbajtjen e regjistrimeve të disketës, të cilat përfshinin pedagogen A. Sh. Të dy të ndaluarit janë shoqëruar në qelitë e paraburgimit, në pritje për të dalë përpara gjykatës për të marrë masën e arrestit. Ata akuzohen për kryerjen e veprës penale të “Korrupsionit pasiv nga persona që ushtrojnë funksione publike, kryer në bashkëpunim”.