Kur historinë duan ta bëjnë johistorianët
Analizë e shkrimit të oficerit të këmbësorisë Auron Tare për ish-ministrin e Brendshëm Musa Juka
Në datën 19 nëntor 2009, “Gazeta shqiptare” boton një artikull me titull “Musa Juka, ministri i Brendshëm i Zogut i blerë nga zbulimi anglez”, shkruar nga pseudo-historiani i padiplomuar, në të vërtetë oficeri i këmbësorisë, Auron Tare, i cili rreket të bëjë historianin mbi bazën e një dokumenti të SOE.
Ne këtë dokument analizohet figura e personalitetit të njohur politik, ish-ministër i Brendshëm i Mbretit dhe pinjoll i një ndër familjeve më të njohura shkodrane, që së bashku me personalitete të tjera kanë bërë historinë e këtij qyteti.
Detyra e historianit, e kemi fjalën për historianët e vërtete, të diplomuar në fushën përkatëse, është mbledhja e fakteve mbi bazën e hulumtimit të dokumenteve autentike, argumentimi dhe nxjerrja e konkluzioneve për to.
Në rastin konkret, pseudo-historiani ka përkthyer një dokument të arkivave dhe duke dashur të bëjë studiuesin në pesë rreshta ka nxjerrë konkluzione ’të mëdha’, të cilat dhe gazeta përkatëse, e etur për sensacion, i ka afishuar që në krye të faqes së parë nën titullin “Musa Juka, ministër i Brendshëm i Zogut, agjent i shërbimit anglez”.
Duke analizuar ç’thonë dokumentet, cili është konteksti historik dhe mbi këtë bazë si duhen nxjerrë konkluzionet, pa dyshim nuk mund të dalin nga një mendje e shkurtër. Në analizën e paragrafëve jepen konkluzione kontradiktore me njëri-tjetrin, ku me një sens dashakeq analizohet figura e një shqiptari patriot. Përse autori nuk merr mundimin të analizojë dhe të nxjerrë konkluzione pikërisht duke iu referuar atyre gjërave që pasqyrohen në dokument? Referuar dokumentit, Musa Juka ka ditur të mbajë ato informacione që konsiderohen pjesë e sekretit shtetëror dhe të japë ato çka vlejnë për anglezët si dhe këshilla se si duhet vepruar në Shqipëri. Të gjitha faktet që përmenden në këto dokumente, historiani harron se kanë të bëjnë me një kontekst historik të caktuar. Është fjala për vitet e Luftës së Dytë Botërore, kur Anglia i kishte shpallur luftë boshtit Romë-Berlin-Tokio, pra dhe Italisë fashiste, e cila kishte pushtuar ndërkohë Shqipërinë. Në këtë rast çdo informacion që jepej në dobi të vendeve aleate (Angli, SHBA etj.), pa dyshim duhet konsideruar kontribut në luftën kundër fashizmit. I tillë ka qenë kontributi i Musa Jukës, që në rastin konkret, si politikan e shtetar i vjetër dhe me përvojë, ka ditur të rreshtohet e të japë kontributin e tij në favor të forcave aleate që luftonin fashizmin.
Le të shpresojmë që ky shkrim të shërbejë si një mësim apo leksion i shkurtër se si duhet bërë analiza e një dokumenti apo fakti historik, nga një historian dhe jo nga pseudo-historian.
Genc Juka