E Shtunë, 31 Tetor 2026

A janë të mundshme e të udhës negociatat PS-PD?

Çfarë mund të falë Berisha? Logjikisht
asgjë. Por kur mendojmë se negociata të tilla me lëshime të kësaj natyre i japin
mundësinë të kalcifikohet në karrigen e Kryeministrit edhe për më shumë sesa
tre vjet, nuk është çudi që të lëshojë terren e influencë

Nga Mustafa
Nano
Në kushtet kur opozita duket e vendosur në linjën e vet të bojkotit, kanë zënë
të dalin zëra që kërkojnë një zgjidhje të krizës nëpërmjet negociatash, të
cilat do të duhet të pjellin ca lëshime të rëndësishme në favor të PSsë. Këto
lëshime kanë të bëjnë me njohjen e të drejtës së Partisë Socialiste për të vënë
vulën/veton në emërimin e do krerëve të institucioneve të shtetit. Sikur kjo të
jetë një ide e gatuar në kuzhinën e PDsë, e sikur PSsë ti prishet mendja nga
oferta e dhënë në momentin e caktuar, rezultati do të ishte i qartë: së pari,
PSja do të futej në parlament, jeta parlamentare do të normalizohej, e kriza
politike do të merrte zgjidhje; së dyti, bota institucionale do të balancohej
dhe së treti, kjo është ajo që i bën këto negociata të menduara apo të nxitura
si të dëmshme, e në këtë kuptim kjo është kostoja që duhet paguar - për
zgjedhjet e shkuara nuk do të flitej më. Me fjalë të tjera, nuk do të kërkohej
hapja e kutive e rinumërimi i votave, gjë që (ish shpallur nga socialistët e
ish besuar nga të tjerët) do të sillte identifikimin e manipulimeve, gjetjen e
fajtorëve, ndëshkimin e këtyre të fundit dhe krijimin e një klime absolutisht
më të mirë në zgjedhjet e ardhshme. Për zgjedhjet e radhës në këto rrethana nuk
do të kishte asnjë prej atyre leksioneve e garancive, që do të dilnin prej një
shqyrtimi të imët të problemeve të zgjedhjeve të qershorit të vitit 2009.

Ngado që ti vish rrotull këtij skenari që po pëshpëritet me këmbëngulje nga
lojtarë të brendshëm e të jashtëm, nuk duket që qari të jetë më i madh se sa
qederi. Është e sigurt që Edi Rama ka kërkuar hapjen e kutive për hesape të
veta, e jo se i digjet barku për zgjedhjet e ardhshme. Por, ai ka lozur me
kartën e merakut për zgjedhjet, e cila ka qenë një kartë parimore që ndillte e
legjitimonte mbështetje në favor të bojkotit të parlamentit nga ana e opozitës.
Rama pra, nuk e ka për gjë që të heqë dorë nga kjo kartë në këmbim të atyre
lëshimeve për të cilat po flasin me zë e nën zë njerëz të ndryshëm djathtas e
majtas (PSsë ti jepen një numër institucionesh), por puna është se nuk i lipsen
këto fitore. Në të vërtetë, Ramës i duhen garanci që zgjedhjet e ardhshme nuk
do të preken. E garanci të tilla nuk ofrohen prej marrëveshjesh të tilla.
Lëshimet në fjalë i japin thjesht një justifikim për tu futur në Kuvend.

Ca e ca janë të idesë se interesi i hëpërhëshëm i Ramës është pikërisht ky:
interesi i tij është pra, që dikush ti japë ca fitore politike me të cilat ta
përligjë bojkotin e bojkotit. Të huajt po i kërkojnë vazhdimisht të futet në
parlament, por edhe presionin e të vetëve lidhur me të njëjtën çështje bën vaki
që e ka në rritje e sipër (sidomos nëse mazhoranca bën një ofertë që duket si
fitore e qartë politike). Berisha nga ana tjetër, e di që një ofertë e tillë do
ta fuste opozitën në parlament. Por, a ka arsye që e pengojnë Berishën ta bëjë
këtë ofertë? Ka më shumë se një, të cilat përcaktohen nga oreksi i opozitës në
negociatat e mundshme. Nuk duhet ndonjë mençuri e madhe për të kuptuar se
opozita do të kërkojë jo pak në këmbim të heshtjes ndaj krimit elektoral.
Pëllumb Xhufi hidhte idenë këto ditë se opozitës duhet ti jepet e drejta për
të zgjedhur presidentin e ardhshëm dhe një prokuror tjetër. Dikush tjetër
sugjeron që opozita të ketë të drejtën të zgjedhë kryetarin e SHISHit dhe të
ketë një zë të fortë në procesin politiko-parlamentar të rifreskimit të
pjesshëm të Gjykatës Kushtetuese. Nuk mungojnë as zërat që bëjnë fjalë për
institucione të tjera, sidozot Këshillin e Lartë të Drejtësisë.

Berisha mund të lëshojë pe tek-tuk, por kur të vijë puna te zëvendësimi krerëve
të një numri institucionesh të rëndësishme, ai nuk ka interes ti lërë terren
opozitës. I zhytur në halle e probleme për shkak të disa aferave korruptive në
të cilat janë përfshirë edhe njerëzit e vet, ai nuk mund tia falë prokurorinë
opozitës. Do të ishte sikur tia fuste vetes. Edhe te Gjykata Kushtetuese si
zor të lëshojë pe. Ky institucion, nëse përbëhet nga një shumicë e
pakontrolluar prej tij, mund ti bëhet pengesë herë pas here. Për një
kryeministër si ky i yni, që parapëlqen të sundojë e jo të qeverisë, Gjykata
Kushtetuese është një fortesë që nuk mund të lëshohet. Po kështu është dhe
Këshilli i Lartë i Drejtësisë, të cilin Berisha do donte ta kishte të tërin në
dorë të vet. Nuk e ka tani për tani, por nuk do të reshtë në përpjekjet për ta
pasur. E për këtë i duhet Presidenti i ardhshëm.

E po çfarë mund të falë Berisha? Logjikisht asgjë. Por kur mendojmë se
negociata të tilla me lëshime të kësaj natyre i japin mundësinë të kalcifikohet
në karrigen e Kryeministrit edhe për më shumë sesa tre vjet, nuk është çudi që
të lëshojë terren e influencë. Ai mund të mendojë: E rëndësishme është që
opozita të futet në parlament, për pasojë të marrë fund kjo krizë që mund të na
penalizojë në procesin e liberalizimit të vizave, i cili ka një rëndësi të
jashtëzakonshme në radhë të parë për mua. Ndërsa me fuqinë e rritur të opozitës
kam kohë të merrem. 

Në këtë kuptim, negociatat PS-PD janë të mundshme. Të dyja palët nuk flasin për
këtë gjë, madje e refuzojnë me forcë idenë e një marrëveshjeje të këtyre
përmasave e të këtij lloji, por janë po palët që e dinë se nuk ka mënyrë tjetër
për të ikur nga ky cul-de-sac. Presioni i ndërkombëtarëve mund të jetë një
factor extra në nxitjen e një dialogu, që do të prodhonte fundin e
krizës. 

Do të ishte me vlerë dhe me interes publik një gjë e tillë? Në planin e
shqetësimeve të ditës, do të ishte një ngushëllim i mirë, pasi do të
normalizohej jeta politiko-parlamentare, por në planin perspektiv, kjo
marrëveshje nuk do të prodhonte asgjë të mirë. Në këtë mënyrë, së pari, do të
krijohej precedenti i faljes së institucioneve, e së dyti, zgjedhjet e radhës
do të ishin si zgjedhjet e shkuara: të manipuluara e të kontestuara. 

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›