E Shtunë, 31 Tetor 2026

A jemi të imunizuar nga kriza?

"Më parë, kam qenë shumë ekonomist. Mendoja se, duke mbajtur gjallë kujtimin e Falimentimit të Madh të vitit 1929, ne do të kishim një paralajmërim ndaj optimizmit të kotë dhe të pabazë që i bëri njerëzit të përzihen dhe të shkatërrojnë tregjet, si dhe të entuziazmohen nga iluzioni i një pasurie gjithmonë në rritje. Kam hequr dorë nga kjo shpresë, sepse e kam parë të ndodhë pak si shpesh që atëherë".

John Maynard Keynes

Paralajmërimi i ekonomistit më të madh të kohëve moderne, Keynes, nuk u dëgjua nga Banka Qendrore Amerikane (Federal Reserve) dhe SHBA u zhytën këto muajt e fundit në krizën më të rëndë financiare pas Depresionit të Madh të viteve 1929-1933. Kriza amerikane u eksportua shumë shpejt në Evropën e zhvilluar. Ajo madje kapi edhe vende të Evropës Lindore, si Hungaria dhe Ukraina. Po ne, do të na kapë vallë? A jemi të imunizuar nga kjo krizë e shfaqur fillimisht në sistemin financiar dhe që pastaj (pikërisht në dy muajt e fundit) është shtrirë në ekonominë reale, në sektorët prodhues të saj? Përgjigjja është: Jo! Nuk jemi të imunizuar.

Edhe pse sistemi bankar shqiptar duket i shëndetshëm, me fitime dhe i kapitalizuar mirë, ndikime përsëri do të ketë, pasi bankat e huaja do të kufizojnë kreditimin e bizneseve dhe individëve në vend, për shkak të një qëndrimi më të kujdesshëm ndaj riskut, sidomos në vendet në zhvillim. Ndërsa në vendet e huaja, kompanitë e biznesit financohen veç bankave dhe në tregun e letrave me vlerë kombëtar dhe ndërkombëtar, këto mundësi në Shqipëri janë inekzistente. Prandaj një kufizim e shtrenjtim i kredisë bankare do ketë ndikime negative të menjëhershme në kontraktimin e biznesit shqiptar.

Përveç të tjerave, sistemi ynë bankar është tërësisht i privatizuar dhe në duar të bankave të huaja evropiane. Vlerësojmë që tashmë Bankës së Shqipërisë i duhet të bëjë kujdes, sidomos për të parë shkallën e ekspozimit të bankave mëmë ndaj instrumenteve toksike, ndaj bankave të huaja me probleme dhe ndaj vendeve në zhvillim. Po ashtu, asaj i duhet të analizojë investimet e depozitave ndërbankare të bankave tona pranë bankave të huaja, si dhe investimet në obligacionet e sovranëve (letrat me vlerë me të ardhura të ndryshueshme të qeverive, sidomos në ato të ekonomive në tranzicion). Përveç kësaj, vështirësitë ekonomike për firmat shqiptare, sidomos ato eksportuese, të sektorit të turizmit, ndërtimit, pajisjeve për shtëpi dhe mobilieve, nxjerrjes së kromit etj., do të ndikojnë në uljen e aftësive paguese të kredive të marra dhe do rrisin potencialisht kreditë me probleme.

Nga ana e tyre, tkurrja e kreditimit, kufizimi i riskut nga ana e bankave, si dhe mundësia e shtimit të kredive me probleme, do të ndikojnë në uljen e fitimeve të sistemit bankar në Shqipëri dhe kuptohet potencialisht dhe në uljen e rritjes ekonomike të vendit. Aktivet totale të sistemit bankar e tejkalojnë 60 për qind të prodhimit të përgjithshëm bruto (PBB-së) të vendit. Këtu nuk ka vend për panik, por as për vetëkënaqësi, që buron në shumë raste nga argumenti që nuk jemi aq të integruar me botën (!) dhe s‘kemi investime në instrumente toksike. Këto janë vërtet disa mburoja mbrojtëse, por jo të mjaftueshme për të mos u prekur nga "shigjetimet" e krizës! Të mos harrojmë që kriza vuri "nën zgjedhë" shtete me PBB shumë herë më të lartë se Shqipëria, si Ukraina dhe Hungaria (borxhi publik - 60% e PBB-së, deficit buxhetor - 9% të të ardhurave kombëtare, deficit të llogarisë korrente - 5.5% të PBB-së).

Në kushtet e krizës aktuale, Shqipëria është potencialisht e rrezikuar. Ajo paraqitet një vend me qeverisje të dobët, korrupsion të lartë dhe politika të pashëndetshme makroekonomike në ndonjë drejtim. Kështu për shembull, treguesit e deficitit tregtar dhe atij publik janë në përkeqësim (llogaria korrente mbi 13% e PBB-së dhe deficiti fiskal parashikohet mbi 5%), ndërkohë që kemi një bankë qendrore e qeveri që nuk janë provuar ndonjëherë ndaj krizave (Banka Qendrore e Hungarisë deri tani ishte lavdëruar për qëndrimet e saj mjaft profesioniste, por dhe kjo s‘mjaftoi për t‘i shpëtuar krizës!). Kuptohet që nuk ka vend për paralelizëm për gjendjen, por mësimi për autoritetet tona publike duhet të jetë kufizimi në deficitin e parashikuar buxhetor për vitin 2009 dhe një huamarrje sa më minimale në tregun ndërkombëtar. Në të tilla kushte, një buxhet i fryrë elektoral do të ishte kosto e ardhme e pafalshme për vendin.

Një tjetër shqetësim përbën pyetja nëse autoritetet shqiptare do të jenë në gjendje të përmbushin si duhet detyrimet e tyre. Janë një varg elementesh që kërkojnë harmonizim dhe përdorim eficent në rast prekjeje nga kriza. Përgjithësisht, vendet e Evropës Lindore gjykohen të kenë mjete, instrumente dhe politika të pamjaftueshme për përballimin e krizës me sa më pak kosto. Këto lidhen me nivelin dhe manovrueshmërinë e rezervave valutore, në mbrojtje të një kursi këmbimi të dalë jashtë kontrolli (a ka te ne ndonjë skenar se si do të reagojmë ndaj lëvizjeve të kursit të këmbimit dhe deri në çfarë mase, nëse?), me njohjen dhe mbajtjen nën kontroll të të gjitha pasojave të krizës të importuar nga vendet e zhvilluara: lëvizje në çmimet e pasurive të paluajtshme, vlerësim më të saktë në kushtet e reja të pritshme të besueshmërisë së kredimarrësve, vlerësimi i gjendjes dhe pritshmëria për tregues financiarë të bankave (dhe shoqërive të tjera financiare) mëmë etj.

Fatkeqësisht deri tani, autoritetet në Shqipëri nuk kanë bërë analiza të tilla. Duke pasur parasysh që Evropa vetë ka hyrë zyrtarisht në recesion (zhvillim negativ ekonomik), gjë që nënkupton rritje të papunësisë dhe të inflacionit në të ardhmen afatmesme, janë disa sfida që duhet të përballojë vendi ynë. Së pari, do të ulet kërkesa për eksportet shqiptare si rrjedhojë e rënies së përgjithshme të kërkesës. Së dyti, do të frenohen investimet e huaja dhe do të ulet interesi për privatizimet nga investitorë evropianë. Së treti, me rritjen e papunësisë në vende si Greqi, Itali, etj., do të preken negativisht të ardhurat e emigrantëve, duke i zvogëluar hyrjet e tyre në vend (rreth 30% e shqiptarëve ndodhet në emigracion). Dhe së katërti, do të kufizohen fondet e parashikuara nga BE për vendet jo anëtare si vendi ynë në projektet e ndihmës, infrastrukturës, shërbimeve publike etj.

Ajo që është dukshmërisht shqetësuese mund të përmblidhet në faktin që qeveria nuk ka ngritur grupe pune për vlerësimin, pasojat dhe kundërveprimin ndaj krizës në vend (me skenarë të pritshëm dhe sa më pranë realitetit). Sipas eksperiencave të krizave të mëparshme, vlerësohet se edhe nëse qeveria merr masat, kjo nuk do të thotë që nuk do të prekemi apo nuk do të ndikohemi nga kriza, por thjesht që efektet e saj do të zbuten. Prandaj, për të mundësuar parandalimin ose zbutjen e krizës në të ardhmen, detyrat në planin afatgjatë kërkojnë reforma urgjente strukturore në financat publike, sidomos në sistemin e pensioneve, rritjen e pjesëmarrjes në tregun e punës (sidomos për të evituar daljet e parakohshme në pension), përmirësimin e produktivitetit dhe modernizimin e edukimit. Edhe pse jo në situatë krize, është e rëndësishme për vendin tonë që të nxjerrë mësime nga eksperiencat e vendeve që kanë përjetuar dhe po kalojnë kriza. Përvoja tregon se sa më e vonuar të jetë ndërhyrja dhe kundërpërgjigjja nga autoritetet shtetërore, aq më e lartë do jetë kostoja që do përballojë vendi. I tillë është rasti i Japonisë, ku kriza zgjati mbi dy dekada në sajë të pavendosmërisë së qeverisë për reforma. Nuk është nevoja dhe nuk është mirë të ndodhesh në krizë dhe të fillosh të mendosh për përmirësimin e kornizës ligjore dhe të zbatimit të saj.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›