E Shtunë, 31 Tetor 2026

Keqkuptimet mbi EULEX-in

Megjithëse EULEX filloi vendosjen e tij në territorin e Kosovës, në gjirin e popullatës kosovare, më saktë në segmente të zëshme të saj vazhdojnë kundërshtitë rreth misionit të Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit në Kosovë. Madje një pjesë e kundërshtive induktohen dhe në hapësira të tjera shqiptare, në Shqipëri, veçanërisht, ku për shkak të distancës nga ngjarjet, shtohet dhe padituria.

Kundërshtitë rreth këtij misioni mbështeten përgjithësisht në keqkuptime të mëdha, që vijnë më së pari prej padijes që i karakterizon të keqkuptuarit mbi këto lloj punësh specifike të Kosovës, që kanë brenda ligje apo akte ndërkombëtare, marrëveshje, negociata etj., etj. Është normale që këto të ndodhin sa kohë që askund, as në shoqëri më të zhvilluara se ajo kosovarja, shtresat e gjera të popullsisë nuk kanë nivelin e mjaftueshëm për të kuptuar sende të tilla të komplikuara.

Një pjesë e kundërshtive vijnë prej njerëzve që i kuptojnë ose duhet t‘i kuptojnë këto zhvillime historike të një vendi si Kosova, që për shumë aspekte e ka të papërcaktuar qartë statusin ndërkombëtar. Janë këto kundërshti që i injektohen pjesës së paditur të popullsisë, apo të politikës, duke rrezikuar të provokojnë fërkime midis shqiptarëve dhe perëndimorëve. Fërkime të tilla janë katastrofike në një moment si ky, kur trendi i marrëdhënieve të kombit tonë me Perëndimin është pozitiv dhe në përmirësim të vazhdueshëm: marrja e ftesës për NATO, pavarësimi i Kosovës, ishin dy dhurata të mëdha dhëna njëherësh për një komb si yni, megjithëse bota ka plot raste padrejtësish historike, ndoshta dhe më të mëdha se ajo që ne kemi vuajtur në kurriz. Mjafton të kujtosh rastin e Kurdistanit, që të fillosh e të shohësh më me realizëm atë se ç‘është bërë dhe po bëhet me statusin e shqiptarëve në botë.

Pas një paranteze të tillë, duket plotësisht e justifikueshme të shpjegohen keqkuptimet që vazhdojnë të mbizotërojnë brenda popullsisë kosovare dhe brenda disa segmenteve të zëshme publike të saj. Të tentosh të sqarosh të keqkuptuarit, do të thotë të lexosh ndryshe realitetet dhe perspektivën.

Shpjegimi i keqkuptimeve mbi EULEX-in

Vendosja e EULEX-it në të gjithë territorin është një arritje e jashtëzakonshme, një hap para drejt Bashkimit Evropian, siç e quajti Soren Jesen Petersen, dhe parë kështu në promovimin e statusit ndërkombëtarisht të njohur të Kosovës. Për ta realizuar këtë vendosje, Perëndimi duket se realizoi një kryevepër në pikëpamje të negocimit me faktorë të tjerë të rëndësishëm vendimmarrës globalë si Rusia. U arrit që UNMIK të largohej, apo të tkurrej dhe në territorin e Kosovës të vendosej një mision tjetër ndërkombëtar, i Bashkimit Evropian. Vendosja e këtij misioni ishte njëra nga pikat kryesore të rezolutës, që vitin që shkoi u rrëzua nga Këshilli i Sigurimit me rezistencën e Rusisë, sapo mbaruan negociatat dhe u prezantua Plani Ahtisaari. Pikërisht, vendosja e këtij misioni, jo nëpërmjet një rezolute të re, por një vendimi presidencial (akt që nuk ka fuqinë e rezolutës të paktën deri tani në historinë e të drejtës ndërkombëtare) ishte truku që bëri të mundur kapërcimin e impasit në marrëdhëniet ndërkombëtare midis aktorëve me fuqi më të madhe vendimmarrëse, apo vendeve me të drejtë vetoje në Këshillin e Sigurimit. Gjetja e një forme të tillë akti duket se tregon fillimin e një klime të relaksuar në marrëdhëniet midis këtyre fuqive, që koincidon me shpalosjen arrogante të efekteve të krizës ekonomike dhe financiare globale, fitoren e Obamës, dobësimin e Rusisë për shkak të krizës së naftës, etj., etj. Por kjo është një temë tjetër. Palët duket se arritën të gjejnë një konsensus për shumë prej pikave të rezolutës që u rrëzua dikur, dhe nuk kanë arritur të gjejnë apo nuk janë orvatur të gjejnë konsensus për shpalljen përfundimtare të Kosovës si shtet i pavarur nëpërmjet një rezolute. Do të ishte e tepërt që të kërkohej kjo në koniunkturën aktuale të marrëdhënieve midis fuqive të mëdha.

Vendimi presidencial nuk është Plani 6 pikësh. Është shumë më shumë se Plani 6 pikësh. Ky vendim autorizon shtrirjen e EULEX-it në të gjithë territorin, rikonfirmon integritetin territorial të Kosovës, unitetin doganor etj., etj. Ai përdor shprehjet "do të diskutohen me faktorët më të rëndësishëm në Kosovë" etj., për të përcaktuar momente që më parë fiksoheshin me Planin 6 pikësh. Këto eufemizma shënojnë kështu zbythjen e serbëve, apo dhe të të tjerëve nga idetë e para, por dhe shqetësimin e bashkësisë ndërkombëtare për irritimin shqiptar. Ndaj në një shkrim të paradokohshëm shprehesha optimist për forcën e shoqërisë civile në Kosovë që realizon manifestime të mëdha, pa ndihmën e partive politike, manifestime që kanë pasur rolin e tyre në këtë zbythje.

Vendosjen e EULEX-it në veri e konfirmuan dhe vetë autoritetet zyrtare serbe, të cilat neutralizuan opinionin e tyre publik kundër vendosjes së EULEX-it, nëpërmjet propagandës mbi Planin 6 pikësh si "një fitore e madhe diplomatike e Serbisë". Pra Plani 6 pikësh mbeti thjesht dhe vetëm një balon prove për rezistencën e shqiptarëve, dhe vetëm kaq.

Vendimi i fundit e njeh vendosjen e institucioneve të pavarura të Kosovës, sa kohë që i referohet vazhdimisht atyre, dhe ta zëmë, nuk bën të kundërtën - t‘i injorojë ato. Apo më keq, dhe t‘i dënojë "për shpallje të njëanshme të pavarësisë".

Dikush thotë se në lidhje me qëndrimin e EULEX-it, në vendim përdoret eufemizmi "neutral ndaj statusit". Ky moment duhet interpretuar thjesht për t‘i dhënë njëlloj karote qeverisë demokratike serbe, për të tretur më mirë vendosjen e EULEX-it, që jo më kot kritikohet prej nacionalistit serb Kostunica. Si mund të jetë neutral EULEX-i, mision i Bashkimit Evropian, ndërsa 22 vende anëtare të këtij misioni e kanë njohur pavarësinë e Kosovës?

Edhe të ashtuquajturat zëra realistë që flasin se nën presionin serb u hoq çdo referencë ndaj Planit Ahtisaari, që "i bie të ketë vdekur juridikisht", gabojnë. Mbi bazë të kujt plani operon EULEX-i në Kosovë? Po Kushtetuta e Kosovës që ka referenca për Planin Ahtisari në tekstin e vet, si është hartuar?

Nga ana e qeverisë së Kosovës, ndërsa refuzohej me vonesë Plani 6 pikësh, përmendej Kushtetuta si dokumenti më i rëndësishëm juridik i saj dhe kërkohej që çdo akt ndërkombëtar të respektonte atë. Kjo është diçka e sforcuar për një vend si Kosova, që nuk ka ende një status të definuar plotësisht nga këndvështrimi i së drejtës ndërkombëtare. Arsyetimi se Kushtetuta është në hierarkinë e akteve mbi marrëveshjet ndërkombëtare, vlen për vendet sovrane, por Kosova derisa të hyjë në OKB është ende jo sovrane plotësisht. Në hierarkinë e akteve legale të Kosovës, madje vetë Plani Ahtisaari është mbi Kushtetutën dhe e njëjta gjë ndodh dhe me vendet anëtare të OKB-së, siç janë Bosnja, apo vende të tjera si Timori Lindor etj.

Dhe një konsideratë e fundit për një nga zërat më origjinalë, më të artikuluarit në Kosovë, si Albin Kurti. Ai kryen një rol jashtëzakonisht të rëndësishëm në spektrin politik dhe shoqëror të Kosovës, por rezistenca e tij ka vend derisa nuk provokon prishje të shqiptarëve me Perëndimin. Dhe pozicionet e tij duhet të jenë koherente dhe logjike, gjë që ndonjëherë nuk haset në to. Për shembull, ai sot kërkon ikjen e EULEX-it. Por kush duhet ta zëvendësojë? Klasa politike që ai e quan servile të ndërkombëtarëve? Ai vetë nuk është në politikë, kështu që ky është qartësisht një nonsens i madh, sepse ne nuk besojmë se Albinit i intereson boshllëku i pushtetit në Kosovë. E njëjta gjë vlente dhe për UNMIK-un, kur Vetëvendosja kërkonte largimin e tij. Kush të vinte në vend të UNMIK-ut? Pikëpyetje e frikshme.

Dhe më në fund të kthehemi aty ku e nisëm. EULEX-i është i domosdoshëm për forcimin e kulturës shtetformuese të Kosovës. Pavarësisht kritikave që mund të kemi për misionet e OKB-së në përgjithësi, dhe vetë UNMIK-u ka kontribut në këtë kulturë që në Kosovë e gjen madje pak më të fortë se në Shqipëri, në rrugët e pastruara, në pagimin e taksave, në dinjitetin dhe korrektesën e policëve, në etikën e politikanëve. Etika e lartë që karakterizon klasën politike të Kosovës nuk i detyrohet thjesht dhe vetëm vetëpërmbajtjes së politikanëve të vet, por dhe pranisë ndërkombëtare atje. EULEX-i do të vendosë në Kosovë standarde qeverisjeje të Bashkimit Evropian, ligje evropiane, dhe praktikisht e shkurton rrugën e Kosovës drejt BE-së, pasi Brukseli do jetë në Kosovë. Ndërkohë, ikja e misioneve ndërkombëtare do të ishte katastrofike për Kosovën: spektri i turbullirave politike për ndarjen e pushtetit mund të shfaqej rrezikshëm dhe hija e Serbisë, që mbetet një shtet i fortë ushtarakisht, do të zgjatej edhe më mbi territorin e Kosovës.. Serbia, një shtet që punon sistematikisht, do të kërkonte edhe më shumë rol, apo futje hundësh në punët e Kosovës, mbrojtje ushtarake të pakicës serbe etj., etj.

Vendimi i fundit i Këshillit të Sigurimit formalisht ishte një fazë e ndërmjetme nga Rezoluta 1244 e vitit 1999 në rezolutën tjetër që duhet ta njohë pavarësinë e Kosovës. Ai ofron kuadrin juridik të qeverisjes së Kosovës, dhe ky kuadër nuk është më Rezoluta 1244. Ajo ka vdekur, sa kohë që EULEX-i dhe zhvillimet në terren e kanë kapërcyer atë.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›