E Diel, 1 Nëntor 2026

A ka kosto që në Shqipëri të jesh legal dhe i ndershëm?

Pyetja e mësipërme "ha" diskutim. Kjo sepse historia shqiptare e të paktën e dy dekadave të fundit ka shfaqur dy anë të një medaljeje. Në shumicën e rasteve, të ndershmit janë penalizuar, të pandershmit, abuzuesit, kanë përfituar më së shumti. Por analiza nuk mund të bëhet "apriori". Le të marrim një prej sektorëve më të rëndësishëm të ekonomisë shqiptare, një prej kontribuuesve të padiskutueshëm të arkës së shtetit, siç është sektori i tregut të hidrokarbureve.

Në opinion, në komentet e analistëve, në vokabularin e politikanëve dhe madje edhe të ekonomistëve të politikës, është mbisunduese "ideja" se kemi të bëjmë me një treg abuziv, me një sipërmarrje që mbi çdo gjë, ka vendosur maksimizimin e fitimit, që nuk reagon ndaj tregut dhe luhatjeve të tij në sensin zbritës, që fiton miliarda etj., etj.

Tregu i hidrokarbureve është, për hir të së vërtetës, një treg real, i rregulluar më së miri me ligj (edhe pse shumë prej akteve ligjore e nënligjore mund e duhet të përmirësohen), i mbikëqyrur në mënyrë permanente nga autoritetet e fiskut dhe administrata publike, i kontrolluar herë pas here "në themel" nga entet e autorizuara të kontrollit e kështu me radhë.

Po a është abuziv ky treg? A është i ndershëm dhe legal? Apo është spekulativ, evazionist, i përfshirë në skemat e mashtrimit fiskal?

Ditët e fundit lexoja në disa media faktin se, ndërsa në bursën ndërkombëtare çmimi i karburanteve në dy vite respektive, 2008-2009 ka rënë rreth 50%, në Shqipëri kjo rënie e çmimit nuk vihet re, madje trendi është i ulët dhe pak i ndjeshëm. Çmimet në treg, sipas referencave të medias, kanë rënë jo më shumë se 15%.

Një analizë dhe pak algjebër elementare

Tregu ndërkombëtar, pra edhe ai i hidrokarbureve, u përfshinë në krizën globale ekonomike dhe ndjenë efektet e kësaj krize. Pas kalimit të rreth 10 muajve të kësaj krize, u vu re një stabilizim, që u duk edhe te vetërregullimi i çmimeve në bursë për produktet dhe nënproduktet e naftës. Aktualisht çmimi i një fuçie naftë në bursë për vitin 2009 varion nga 50-81 USD/fuçi. Për ekonomistët që njohin çmimet e tregut kjo do të thotë se 1 ton naftë mund të gjendej me çmimin 490-730 USD/ton. Një vit më parë ky tregues ishte më i lartë, për vetë faktin se një fuçi naftë ka arritur çmimin deri 140 e më shumë dollarëve për fuçi.

Përse atëherë kjo ulje e çmimit në tregun ndërkombëtar nuk reflektohet në të njëjtën madhësi edhe në vendin tonë?

Le të flasim profesionalisht, duke analizuar "formulën" shqiptare të formimit të çmimit të një litri karburant.

Çmimi i karburantit formohet nga më shumë se dy elementë.

Së pari, nga çmimi i bursës (Platts) dhe çmimi i transportit nga pika e furnizimit deri në hyrje të territorit shqiptar (ky çmim është frekuent, ndryshon me orë dhe varet nga koniunktura botërore e çmimit të naftës).

Së dyti, nga kursi i këmbimit USD/lekë, i cili gjithashtu është variabël, i ndryshueshëm.

Të dy treguesit e mësipërm janë lehtësisht të disponueshëm për cilindo që dëshiron të bëjë një analizë çmimesh (burimi: Reuters, Bloomberg, BSH). Mbi bazën e vetëm këtyre të dhënave, për këtë periudhë të vitit 2009, çmimi i një litri karburant në treg luhatet midis 48,5-49 lekë/litër.

Nga studimi i tregut, dy treguesit e mësipërm nuk kanë mundur asnjëherë të përbëjnë më shumë se 40-45% të çmimit real të tregut për një litër karburant.

Elementi i dytë, jo më pak i rëndësishëm në analizën e formimit të çmimit të një litri karburant, që përbën 55-60% të çmimit real (pa llogaritur këtu pagat, investimet kapitale të kompanive, interesat e kredive dhe borxheve të tyre, amortizimin etj.) përbëhet nga:

1. Akciza, që tashmë është një shifër fikse (37 lekë/litër karburant), e cila për periudhën respektive "kushton" për çdo kompani importuese 474,5 USD/ton. (me çmimet e raportuara mesatare)

2. Tatimi mbi Vlerën e Shtuar (TVSH = 20%), e cila duke iu referuar luhatjeve të kursit vlerësohet në rreth 220 USD/ton.

3. Taksa e karbonit (1 lekë/litër) shkon saktësisht 12,8 USD/ton.

4. Taksat portuale, lehtësisht të verifikueshme në autoritetet portuale shqiptare, vlerësohen rreth 2,5 USD/ton.

5. Shpenzimet e shkarkimit të anijeve, taksa e kalatës, e zjarrfikëseve etj., kanë një kosto të vlerësuar prej 6,84 USD/ton karburant.

6. Kompanitë paguajnë Inspektoratin Qendror Teknik për analizën e cilësisë së produkteve, taksë që merr 1,3 USD për çdo ton karburant të kontrolluar.

Kjo është "faza e parë" e taksave të paguara nga shoqëritë e hidrokarbureve, që e çon produktin deri në depozita. Në një fazë tjetër, kur produkti i drejtohet tregut të shumicës, analiza kërkon përfshirjen e tarifave të tjera si tarifa e gjelbërimit, ajo e reklamës, tarifa e tabelës, e pastrimit apo edhe taksa e pasurisë. Të gjitha këto janë detyrim ligjor dhe paguhen "deri në një" nga çdo subjekt i licencuar. Për të mos i llogaritur veç e veç, në total, këto tarifa përbëjnë 4,3 USD/ton.

Por, duhet të mos harrojmë se, në këtë fazë të shitjes (shitja me shumicë e hidrokarbureve) detyrime të tjera kanë të bëjnë me pagesat për Drejtorinë e Peshëmatjes dhe Kalibrimit, IQT etj., që përbëjnë edhe 2,7 USD/ton të shitur. Sipas ligjit të TVSH-së, kompanitë duhet të paguajnë edhe 20% TVSH në shitje, që, sipas pasqyrave të shitjes për vitin 2009, rezulton jo më pak se 38 USD/ton.

Duke iu referuar "algjebrës elementare", është e kollajshme të kuptohet se totali i taksave dhe tarifave që paguhen në territorin shqiptar për një ton karburant të shitur është 762 dollarë amerikanë.

Çdo të thotë kjo?

Kjo do të thotë që çdo operator i licencuar në tregun e hidrokarbureve, për çdo litër naftë të shitur derdh në buxhetin e shtetit 762 USD/ton. Referuar kursit mesatar të konvertimit të dollarëve në lekë, si dhe densitetit të produktit, rezulton që për vitin 2009, për çdo litër karburant të shitur është paguar vetëm në arkën e shtetit (buxhet) 600 lekë/litër. Kjo do të thotë se rreth 55% e çmimit total të produktit të shitur është taksë fikse, që nuk mund të shmanget kurrsesi dhe as që ka lidhje me koniunkturën ndërkombëtare.

Ky detyrim ligjor, i shprehur tashmë në shifra reale, i bashkuar edhe me koston/çmimin e Bursës dhe CIF/TOB (çmimin e transportit deri në doganë) prej rreth 48,5-49 lekë/litër përbën çmimin real të produktit të nxjerrë në treg.

Dua të theksoj edhe një herë që nuk kam llogaritur në këtë analizë asnjë prej kostove të tjera të biznesit të karburanteve, (amortizimin, nivelin e investimeve, pagat), ndërsa për statistikë përmend se mesatarja e investimit vjetor të kompanive të hidrokarbureve shkon jo më pak se 10 milionë euro/kompani. Përveç kësaj, kompanitë (dhe kjo verifikohet lehtësisht) janë pothuajse të gjitha kliente të bankave të nivelit të dytë me kredi qindra milionëshe dhe me problem të paaftësisë paguesve të interesave të këtyre kredive. Treguesi është aq sinjifikativ, sa llogaritet që për 100 USD të investuara, kompanive e hidrokarbureve iu bie të paguajnë 120 USD në shtet.

A mundet, pra të ulet me 50% çmimi i hidrokarbureve?

Për një profesionist shifrat janë kokëforta. Analiza është lehtësisht e mundshme për të gjithë ata që e njohin sadopak tregun e hidrokarbureve. Kjo analizë i jep përgjigje edhe tymnajave joprofesionale të mediave, por sidomos të aktorëve politikë e ekzekutivë, lidhur me normën e lartë të fitimit në tregun e hidrokarbureve, apo me abuzimin e tyre "të përhershëm" me rritjen e çmimeve. Nëse, së fundmi, bëni një pjesëtim të thjeshtë në shifrat që kam servirur, vërtetoni menjëherë që hapësira e mundshme, e mundimshme, madje, e uljes së çmimit të një litri karburant është midis 20-22%. Verifikoni nëse një gjë e tillë ka ndodhur në krahasimin e dy periudhave (2008-2009) për të më dhënë ose jo të drejtë! Ose më saktë, referojuni treguesve të INSTAT, për të parë se cili ka qenë dhe cili është çmimi i një litri karburant, doemos duke iu referuar treguesve të përmendur dhe sidomos raportit 45% me 55% të treguesve që formojnë çmimin e një litre karburant në treg.

Kjo që përmenda dhe analizova më lart është kostoja reale e të qenit i ndershëm dhe legal në treg. A ka kosto të tjera? Pikërisht kjo është një çështje e pazgjidhur ende e administratorëve të shtetit…

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›