E Diel, 1 Nëntor 2026

Serbët nokautojnë Gruevskin në raundin e parafundit

Lajmi jo i mirë dhe shqetësues për Maqedoninë, për shkak të pozicionimit të Serbisë në anën e grekëve, në kontekst të zgjidhjes së çështjes së emrit, të cilin shefi i diplomacisë serbe, Vuk Jeremiç, ia drejtoi qeverisë maqedonase, e ka shokuar kreun shtetëror maqedonas, ndërsa e ka nokautuar edhe Kryeministrin Nikolla Gruevski (i cili një pjesë të karrierës e kishte kaluar në ringun e boksit, në cilësinë e boksierit). Në prag të datës 7 dhjetor, kur pritet përgjigjja e Komisionit Europian për caktimin e datës për fillimin e bisedimeve me Bashkimin Europian, qeveria maqedonase po përballet me pasojat e kokëfortësisë politike, diletantizmit politik dhe mungesës së fleksibilitetit, konform rrethanave të caktuara politike brenda shtetit dhe sidomos rrjedhave politike aktuale në rajon. Flirtimi politik i qeverisë maqedonase herë me bullgarët, e herë me serbët, mungesa e një trajtimi dhe qëndrimi konstant ndaj të gjitha shteteve fqinje, ka nxjerrë në pah lakuriqësinë, mungesën e vizionit politik dhe deficitin po ashtu politik, të kreut të ekzekutivit maqedonas, Gruevski. Megalomania politike, arroganca dhe vetëkënaqësia me shifrat e rejtingut partiako-personal, Kryeministrin e kishin bërë që të fillojë t‘i besojë fjalamanisë dhe deklaratave shterpe, të cilave askund në horizont nuk po i dukej bazamenti dhe sidomos realizimi eventual i tyre. Duke u verbëruar politikisht nga interesat meskine partiako-personale, duke nënçmuar seriozitetin e momentit, i cili reflektohej me anë të anashkalimit të vazhdueshëm dhe injorimit të problemeve serioze madhore shtetërore, sidomos ato që kishin të bëjnë me çështjen e pazgjidhur të shqiptarëve, Gruevski, gjatë të qenit në krye të qeverisë, asnjëherë s‘kishte arritur të krijojë stabilitet të qëndrueshëm politik brenda kabinetit të tij dhe në veçanti në tërë territorin e Maqedonisë. Përkundrazi, ishin pikërisht disa veprime të tij donkishoteske dhe triumfaliste (aksione policore për gjoja luftimin e korrupsionit me ç‘rast u paraburgosën disa policë dhe doganierë, pa ndonjë arsyetim bindës) me qëllim të përmirësimit të imazhit karshi ndërkombëtarëve, që në masë të madhe tronditën dhe irrituan më shumë struktura shtetërore, duke lënë përshtypjen se bëhet fjalë për një betejë selektive hakmarrëse me nuanca politiko-partiake, për shkak se strukturat e larta në këto institucione, që ishin përgjegjëse dhe kompetente për shkallën e lartë të korrupsionit në vend, asnjëherë nuk u prekën dhe ndëshkuan. Pasqyrë më e mirë për "luftimin e korrupsionit", është anketa e fundit e "Transparency International", e cila tregon se Maqedonia megjithatë s‘ka bërë hapa pozitivë në këtë drejtim.

Tani kur Gruevski ka ngelur pa vëllezërit, miqtë e jaranët politikë (sidomos ‘vëllezërit‘ serbë), nga Jugu dhe Veriu, ka filluar flirtet e tjera politike. Burime të larta partiake të gazetës "Lajm", bëjnë të ditur se njerëzit e afërt të Gruevskit, kanë filluar flirtin e fundit, pesë minuta para orës dymbëdhjetë, me përfaqësuesit e diplomatikë të Ambasadës Bullgare në Shkup, porse angazhimi i këtillë është shtrirë edhe në Sofjen zyrtare. Por, disponimi i mirë i Bullgarisë karshi Maqedonisë (zyrtarët e lartë shtetërorë bullgarë, në takimin e fundit me Gruevskin, maqedonasit i kanë quajtur vëllezër), ka frenuar shpresat e kreut shtetëror maqedonas për ndonjë rezultat eventual optimist në prag të datës 7 dhjetor.

Supermenit politik të kancelarisë qeverisëse maqedonase, tani i ka mbetur shumë pak kohë, për të bërë punë të madhe me anë të pelerinës magjike, pak para caktimit të datës për fillimin e negociatave me BE-në. Gjithsesi, tani kanë rënë perdet dhe mundësia për t‘u parë lakuriq "meritat" e Gruevskit për caktimin e datës, janë të qind për qindta. Tani, të gjithë gishtin tregues do ta drejtojmë nga Gruevski, por nëse për mirë apo për keq, do të mësohet më 7 dhjetor.

Për stabilitet të qëndrueshëm brenda shtetit, Gruevskit i duhet bashkëpunimi me faktorin politik shqiptar, gjë që deri më tani nuk e ka bërë. A do të mësojë nga gjithë këto pësime, do ta shohim pas 15 ditëve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›