E Shtunë, 31 Tetor 2026

A ka mundësi që të rihapen minierat e bakrit?



Gjin Kaçorri, Pjetër Tarazhi

Në vitet 90, tërë industria jonë, pra edhe industria e nxjerrjes dhe e përpunimit të mineraleve, e në veçanti ajo e prodhimit të bakrit e të kromit pësoi një kolaps të plotë. U mbyllën, si pa gjë të keq, minierat me një “argumentim” që nuk bind asnjë specialist. Asfiksimi i industrisë së bakrit e të kromit u bë pa kalkuluar as llogaritjet më të thjeshta ekonomike, e në mënyrën më të egër, u shpërfillën pasojat katastrofike sociale të Mirditës e të zonave për rreth. Dolën në rrugë të madhe mijëra minatorë të bakrit e të kromit. Vetëm në Mirditë u rrënuan mbi 4000 familje që kishin lidhur jetën e tyre me industrinë e bakrin. Fatkeqësisht kjo është sot gjendja!
Po a ka mundësi që të rihapen minierat e të punohet me efektivitet në to?
Ne, këtë pyetje ua kemi bërë shumë specialisteve të bakrit dhe kemi marrë një përgjigje pak a shume të përafërt. Njëri ndër ta, teknologu nga Mirdita, Nikoll Marku, një inxhinier i aftë, që ka punuar një kohë të gjatë në uzinën e bakrit Rubik, shprehet se sot gjendja në industrinë e bakrit vërtetë është e rëndë, por ka dhe rrugëdalje. Janë tërë mundësitë që këtë pasuri, që me aq bujari, natyra na e ka dhuruar, ne mund dhe duhet ta vëmë në përdorim.
Pasuritë minerare
Në radhë të parë ne kemi vendburime bakri me një përmbajtje të komponentit të dobishëm që të tjerët e kanë zili. Një shembull: Ka shumë shtete në botë (me teknologji të përparuar) që shfrytëzojnë vendburime bakri me përmbajtje 0.3% Cu. Ndërsa ne kemi mbyllur minierat tona si jo rentable (jo me leverdi) që kanë një përmbajtje 5-herë më të lartë. Vetëm në Mirditë janë 5 miniera që kanë një sasi të konsiderueshme rezervash të zbuluara me një përmbajtje të ponderuar 1.4% Cu.
Në një minierë në Kanada (ndër shtetet më të zhvilluara në botë) nxirret bakri edhe me përmbajtje 0.12% Cu, por duke përdorur një teknologji moderne, duke i bërë një shfrytëzim polimetalor. Edhe tek, ne minierat e Perlatit, Gurthit, Munellës etj., janë polimetalore, të cilët kanë jo vetëm përmbajtje bakri, por kanë edhe përmbajtje metalesh të tjera të shfrytëzueshme si Zink (Zn), Squfur (S), etj.. Më tej, minierat e vendburimet Perlat, Spaç, Gurth, Munellë dhe Rubik etj. plotësojnë kushtin që të nxirret prej tyre edhe ari dhe argjendi që kanë në përmbajtjen e tyre. Të mos harrojmë se minerali në këto vendburime ka bakër 10 herë më shumë se minierat e cituar në Kanada, por kërkon teknologjinë e duhur!
Rihapja e minierave
Edhe specialistët e industrisë së bakrit kanë të njëjtin mendim: Industria e bakrit në Mirditë është mbyllur padrejtësisht, mund dhe duhet të rihapet.
Natyrisht, mbyllja e minierave në Mirditë ka vulën e shtetit, por shteti më parë se të merrte këtë vendim anti-ekonomik, ka marrë mendimin e ndonjë specialisti afër “oborrit” i cili, ose nga injoranca tekniko-ekonomike, ose nga servilizmi politik, ose nga dëshira për të pasur leverdi ekonomike personale, ose pak nga të gjitha këto, ka paraqitur para organeve vendimmarrëse një tablo jo reale të industrisë së bakrit.
Tani a ka rrugëdalje?
Mjekët asnjëherë nuk do të tërhiqen para një sëmundje në qoftë se dihet diagnoza e saktë dhe ilaçet që duhen përdorur. Diagnoza “e kësaj murtaje” që nxori në rrugë të madhe mijëra minatorë mirditorë është gjetur; ilaçi e ka emrin “riaktivizim i minierave”. Sa më shpejt që të bëhet riaktivizimi i industrisë së bakrit, aq më mirë është për kombin e në veçanti për krahinat verilindore: Mirditë, Pukë, Kukës.
Të flasin ekspertët
Ndonjë nga partizanët e mbylljes së minierave përsëri me kokëfortësi të pa argumentuar, do të mundohet që minierat të mos rihapen. Për këtë, ne autorët e këtij libri, propozojmë që shteti si rregullator dhe përgjegjës i zhvillimit ekonomik të vendit të ndërhyjë, e konkretisht:
Të thirret një konsultë e gjerë me specialistë të industrisë së bakrit duke përjashtuar personat që e kanë mbyllur këtë industri. Kjo konsultë nuk mund të bëhet me një konferencë disa orëshe. Konsulta duhet të bëhet duke mbledhur specialistët e industrisë së bakrit pranë Institutit të Minierave në Tiranë. Numri i tyre mund të shkojë në disa dhjetëra. Mendimi teknik i argumentuar shkencërisht duhet të shkojë në vesh të perëndisë: Shteti të hapi mirë veshët. Të dëgjojë me kujdes propozimet shkencore të kësaj konsulte dhe të gjejë burimet financiare, që shkallë-shkallë, në një afat kohor 3-4 vjeçar, tërë industria e bakrit në Mirditë dhe në zonat përreth, të riaktivizohet.
Strategji për industrinë
Dëgjojmë me dhimbje se si firmat e huaja grabisin pasuritë tona kombëtare, për këtë ndihmë i japin edhe ata persona, të cilët, për të ngrohur xhepin e tyre, përpilojnë kontrata në dobi të firmave duke rrënuar pasuritë kombëtare. Është në nderin dhe detyrimin ligjor të organeve vendore të rrethit Mirditë, pavarësisht nga mundësitë e kufizuara që kanë, të mos lejojnë turli personash që të shkelin dhe të shkretojnë tokën e të parëve tanë dhe të grabisin pasuritë e nëntokës tonë të cilat janë, në radhë të parë, pasuri e popullit të Mirditës. Në qoftë se perandori i Romës, Trojani, Pirustët, stërnipërit e të cilëve jemi ne, i dërgoi të hapnin minierat në Daki (Rumaninë e sotme) nuk duhet lejuar që ndonjë dashakeq, për interesa meskine personale, të mbyllë minierat e Mirditës, duke krijuar një precedent të rrezikshëm. Nëntoka e Mirditës, siç e thamë më lart, është shumë e pasur. Por, janë të pasur edhe vend-grumbullimet e sterileve, të dala nga fabrikat e pasurimit. Për shembull, vetëm në dambën e fabrikës së pasurimit të bakrit në Kurbnesh ka me mijëra ton sterile, me përqindje të lartë kobalti. Ne, për mungese kohe e informacioni, nuk mund të marrim përsipër rolin që do të luaj konsulta teknike e specialistëve të industrisë së bakrit sipas propozimit të lartpërmendur. Por, ne, sipas të dhënave te Alb-Bakrit, të publikuar në librin tonë që ka dalë në qarkullim para pak ditësh, i kujtojmë lexuesit se minierat e Mirditës kanë rezerva mineral bakri të zbuluara deri tani në madhësinë e prodhimit të mineralit të bakrit të bërë gjatë periudhës 50-vjeçare.
Nëntoka jonë është e studiuar në një thellësi relativisht të cekët, në një sipërfaqe relativisht të vogël, pra hapet perspektiva e zbulimit të miliona ton mineral bakër, përveç mbi 8 milion ton që janë të zbuluara sot. Ne tërheqim vëmendjen edhe për metale të tjera që shoqërojnë metalin e bakrit si ar, argjend, arsenik, zink, selen e të tjerë. Ka ardhur koha për një përpunim më cilësor të kësaj pasurie kombëtare. Kjo mund dhe duhet të bëhet duke bërë pasurim selektiv (nga fabrikat e pasurimit duke marrë jo vetëm bakrin por dhe metale të tjera që shoqërojnë mineralin e bakrit). Dikush mund të mendojë se kjo kërkon shumë mjete financiare, kjo gjë nuk duhet të na dekurajojë. Një vullnet i mirë, një konsultim i gjerë i specialistëve dhe mbi të gjitha, një punë në kuadër të pastër arrin një rezultat pozitiv.
Grabitjet nga firmat e huaja
Ka mendime që të thirren firmat e huaja që të bëjnë investime. Natyrisht kjo duhet të pranohet, por kurrsesi duke mbivlerësuar aftësitë teknike të të huajve dhe duke injoruar aftësitë e specialisteve tanë. Populli thotë: “I zoti e din se ku i pikon çatia”. Janë pikërisht specialistët tanë duarartë dhe mendje kthjellët, që kanë mbajtur në këmbë dhe kanë zhvilluar tërë industrinë e bakrit, të cilët përveç gradave të merituara shkencore, në praktikën e tyre dhjetravjeçare, kanë demonstruar aftësitë e tyre të shkëlqyera teknike dhe, që të mos përsëritet grabitja e pasurisë sonë kombëtare nga firmat e huaja, kontrata duhet të përpilohet në detajet më të imta, bazuar në ligjet e shtetit tonë. Historia e hidhur ka treguar se italianët, për shembull, shfrytëzuan barbarisht minierën e Rubikut duke marrë kokat e mineralit me përmbajtje shumë të lartë bakri. E njëjta gjë, bile në mënyrë më skandalizuese u përsërit në minierën e Munellës, ku firma e huaj, e ndihmuar nga një kontratë, as mish as peshk, grabiti pasurinë tonë duke marrë arin, argjendin, duke shfrytëzuar pjesën më të pasur të trupit mineral dhe duke rrezikuar lënien e qindra mijërave ton mineral bakri, shfrytëzimi i të cilave tani paraqet vështirësi të panumërta deri në varrosjen përfundimtare të këtyre rezervave.
Pak a shumë e njëjta gjë u vërtetua edhe në minierat e kromit. Minierat e kromit u mbyllën për tu privatizuar më lehtë, me një çmim qesharak. Procesi i privatizimit në minierat e kromit pothuajse ka përfunduar. Ata janë privatizuar nga pronarë vendas pa ndonjë kriter të veçantë. Nuk ju dha mundësia për tu bërë pronarë atyre punonjësve që sakrifikuan aq shumë në nxjerrjen e kromit në vite, por licencat e shfrytëzimit iu dhanë, në shumë raste, personave që nuk kanë pasur në të kaluarën e tyre profesionale asnjë lidhje me minierat. Ata, deri tani, kanë shfrytëzuar krom me sasi të vogël, nga mbetjet e shfrytëzimeve në vite të mëparshme në miniera, pa bërë ndonjë investim të veçantë, duke hequr dorë nga kërkim –zbulimi. Po kështu, dhe kompania italiane “DARFO” që ka marrë me koncesion minierën e Bulqizës, nuk ka bërë investimet e duhura sipas marrëveshjes dhe për pasojë gjendja është aspak e mirë. Kromi është një mineral me vlerë dhe me të ardhme për ekonominë e vendit e me perspektivë të hapur për një periudhë të gjatë kohe.
Ndal abuzimeve
Nga ana e shtetit duhet të nxiten firmat private për rritjen e prodhimit dhe hapjen e perspektivës në sektorët e minierave, duhet të forcohet kontrolli shtetëror mbi firmat private. Çdo firmë duhet të ketë personel inxhiniero-teknik, i cili krahas punës së përditshme, të përgjigjet posaçërisht përpara organeve kompetente shtetërore për ruajtjen e nëntokës dhe shfrytëzimin racional të saj. Kjo diktohet dhe nga fakti se brenda një paneli shfrytëzimi, janë licencuar disa firma prodhuese të kromit, të cilat, për interesa të ngushta personale të çastit, janë të interesuara të marrin çfarë tu dalë përpara duke varrosur në nëntokë sasira të mëdha minerali, të cilat janë me vlerë të madhe ekonomike për vendin. Të dhemb në shpirt kur disa kolegë për interesa personale, përpilojnë e firmosin kontrata korruptive me të huajt. E pra, këtë pasuri kombëtare, këtyre njerëzve nuk ua kanë lënë baballarët; Nëse iu shmangen veprimit të ligjit për veprimet apo mosveprimet e tyre korruptive në dobi të të huajve, të bëra deri tani, atyre, të paktën duhet tu pritet dora në të ardhmen. Minatorët, gjeologet, metalurgët, teknikët, inxhinierët e industrisë së bakrit dhe të kromit, të cilët lanë brinjët, siç thuhet, për ta zhvilluar këtë industri, disa nga të cilët dhanë edhe jetën nga aksidentet ose silikoza, lëshojnë kushtrimin për ta mbrojtur e zhvilluar më tej industrinë e bakrit në Mirditë e kudo dhe të kromit, dhe ne, do ta ndjenim veten shumë të lumtur në qoftë se, sadopak, me librin tonë, kemi dhënë kontributin modest për këtë gjë.

Një botim për minierat e bakrit dhe historinë e tyre

Dy autorët e shkrimit kanë publikuar para disa ditësh një libër për historinë e minierave në të gjithë vendin, duke u fokusuar kryesisht tek zona e Mirditës.
Pjetër Tarazhi ka përfunduar studimet e larta në Akademinë e Mineraleve në Moskë (Bashkimi Sovjetik) dhe në Tiranë. Ai është diplomuar në vitin 1963. Është inxhinieri i parë mirditor i minierave. Ka punuar inxhinier në minierën e Kurbneshit, kryeinxhinier e drejtor në minierën e Spaçit, drejtor kantieri në minierën e dolomiteve Dukat (Vlorë), kryetar i degës teknologjike në minierën e Bitumit (Selenicë). Ai është autor dhe bashkautor në shumë projekte në minierat e Mirditës dhe ato të Jugut. Zotëron gjuhët e huaja: rusisht, bullgarisht, maqedonisht etj.
Ndërsa Gjin Kaçorri ka studiuar në Teknikumin e Minierave dhe Gjeologjisë në Prrenjas, ku diplomohet Teknik Marshejdër. Nga viti 1966-1971 punoi në minierën Thekën (Bater-Martanesh). Në vitin 1969-70 jep mësim lëndët gjeodezi e markshejderi në teknikumin gjeologo - minerar të Martaneshit. Në periudhën 1973-1993 punon në minierat e Mirditës, si markshejdër dhe përgjegjës miniere: Kaçinar, Gjazuj, Derven dhe Spaç. Në vitin 1975 atestohet me shkallën më të lartë të kualifikimit. Është bashkautor në projekte e projekt-programe minierash.

14 Maj 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›