E Diel, 1 Nëntor 2026

Vendimi i qeverisë, tapitë e legalizimeve merren me votë



Tiranë - Vetëm pak javë para zhvillimit të zgjedhjeve Këshilli i Ministrave ka dhënë një kompetencë të pakufi ALUIZNI-t për të regjistruar me qëllim certifikimin e ndërtimeve pa leje në një afat limit prej 90 ditësh. Pra afati është tri mujor ndërsa rreth një muaj e gjysmë na ndajë nga “ding dongu” i zgjedhjeve. Ky është një vendim kryekëput i ngjashëm me atë të ndërmarrë nga qeveria para zgjedhjeve lokale të vitit 2007, ku asokohe pati të dhëna konkrete se procesi i legalizimeve ishte përdorur jo në pak raste si joshje për të kanalizuar votat. “ALUIZNI të kryejë procedurat e evidentimit në terren, të përgatisë raportin e gjendjes faktike dhe të shqyrtojë e të kualifikojë ndërtimet informale në të gjitha qarqet e vendit, për shkak të mosushtrimit, nga organet e njësive të qeverisjes vendore, të përgjegjësive të parashikuara në nenin 10, të ligjit nr. 9482, datë 3.4.2006, “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”, të ndryshuar. “ALUIZNI, brenda 90 ditëve nga hyrja në fuqi e këtij vendimi, të kryejë evidentimin në terren të objekteve informale/objekteve me leje, me shtesë informale në objekt, si dhe të bëjë përditësimin e të dhënave të gjendjes ndërtimore dhe të hartojë procesverbalin e konstatimit, të tipit A ose A1, sipas modeleve, që i bashkëlidhen këtij vendimi”, cakton vendimi i qeverisë.
Procesi
Sipas kësaj VKM-je drejtoria rajonale e ALUIZNI-t, duke shfrytëzuar të dhënat e përftuara nga përditësimi dhe në përputhje me kriteret ligjore të miratuara për shqyrtimin dhe kualifikimin e objekteve informale/objekteve me leje, me shtesë informale në objekt, që legalizohen ose jo. “Përgatit hartën në shkallën 1:1000 deri në 1:5000, për zonën kadastrale/bllokun kadastral, ku ndodhen objektet informale/objektet me leje, me shtesë informale në objekt, ku të pasqyrohen: Sistemi rrugor i nivelit kombëtar e rajonal, ekzistues, i miratuar ose në proces miratimi; Infrastruktura inxhinierike;
c) Territoret, që kanë mbrojtje të veçantë ligjore. Situata e pronësisë mbi tokën; Studimet urbanistike, që parashikojnë ndërtime mbi 5 kate mbi troje private, brenda vijës kufizuese të ndërtimit, të miratuara deri në datën e hyrjes në fuqi të ligjit nr.9482, datë 3.4.2006, “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”, të ndryshuar. Plotëson, në bazë të gjendjes së pasqyruar në hartë, aktin e kualifikimit, të tipit A ose A1, sipas modeleve, që i bashkëlidhen këtij vendimi, duke i kualifikuar këto objekte: për legalizim; të përjashtuar nga legalizimi”, cakton vendimi i qeverisë.
Trajektorja
Pas marrjes së lejes së legalizimit për ndërtimet informale banorët do të kenë 15 ditë afat për të hipotekuar banesën e tyre. Por i gjithë procesi do të realizohet nga Agjencia e Legalizimeve në bashkëpunim me zyrat e regjistrimit të pasurive të paluajtshme. Banorët duhet vetëm të shlyejnë detyrimet financiare dhe të paraqiten pranë zyrave vendore të regjistrimit të pronës në momentin kur ata njoftohen nga ALUIZNI. Pra qytetarët do të njoftohen nëpërmjet telefonave nga agjencitë rajonale të ALUIZNI-t për t’u paraqitur pranë zyrës vendore të regjistrimit të pasurive. Kjo e fundit ka vetëm 15 ditë kohë afat për të realizuar hipotekimin e pronës së qytetarit i cili ka marrë lejen e legalizimit. Këtë procedurë e parashikon udhëzimi i fundit i Zyrës Qendrore të Pasurive të Paluajtshme. Ky udhëzim që u është shpërndarë të gjitha zyrave vendore në të gjitha qytetet e vendit parashikon procedura lehtësuese për qytetarët e interesuar për këtë proces. “Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, në përmbushje të ligjit për regjistrimin e pasurive të paluajtshme dhe vendimeve të Këshillit të Ministrave, ka hartuar një udhëzim të brendshëm për regjistrimin e pasurive të paluajtshme të fituara me anë të ligjit për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e zonave të ndërtimeve informale. Udhëzimi u është shpërndarë të gjitha zyrave vendore të regjistrimit të pasurive të paluajtshme, të cilat tashmë do ta kenë më të lehtë procedimin e regjistrimit të pasurive të legalizuara, duke përmbushur detyrimet ndaj qytetarëve në një kohë më të shpejtë.

Legalizimet, euforia që premton kaosin

Gjendja euforike me shpërndarjen e lejeve të legalizimeve rrezikon të pësojë lëkundje, në rast se nuk vlerësohet teknikisht i gjithë procesi. Janë evidentuar rreth 350 mijë objekte informale, të ngritura pa leje, të ndërtuara pa standard, që jo vetëm nuk garantojnë cilësinë e objektit në rast vërtetimi hipotekar, por nuk japin siguri në rast katastrofash natyrore ose teknologjike. Kjo mund të konsiderohet njëra anë e procesit të legalizimeve, por ana tjetër paraqet disa pengesa në drejtim të zbatimit të sigurimit të detyrueshëm për objektet e ngritura pa marrë miratimin e sigurisë teknik (sikundër ndodh me pallatet). Ekspertë të ALUIZNI-t, Ministrisë së Financave dhe tregut të sigurimeve, ndahen në disa drejtime, që në fund hasen në një variant të vetëm: sigurim të objekteve të legalizuara, për të shmangur kostot, aksidentet dhe pengesën për kredi. Në zyrat e ALUIZNI-t janë të paktën rreth 350 mijë ndërtesa për legalizim. Koha kur u caktua edhe afati përfundimtar brenda të cilit ndërtimet pa leje do të shqyrtoheshin për legalizim shënoi edhe kulmin e ndërtimeve pa leje. Ndërtesat njëkatëshe, nxituan të bëhen shumëkatëshe, njëri pjesëtar i familjes, nxitoi që të strehojë edhe pjesëtarët e tjerë të familjes. Aq shumë shpërtheu dukuria e ndërtimit pa leje në këtë periudhë kohore sa lindën edhe 3-4 fabrika të reja prodhimi tullash, të cilat tashmë me rënien e fluksit të ndërtimit kanë mbetur pa punë ose punojnë me gjysmë kapaciteti, duke shitur me çmim thuajse sa kostoja e produktit. Shumëfishimi i ndërtimeve pa leje sigurisht është shoqëruar me krijimin e rreziqeve dhe premisave për ngjarje të rënda karshi të tjerëve. Deri tani ka përfunduar dosja e plotë për të paktën 120 mijë ndërtime pa leje, që do të thotë se në bazë të grafikut, shpërndarja e lejeve të legalizimit nga ALUIZNI mbyllet në mesin e muajit prill. Në dokumentet përkatëse mungon kriteri i sigurimit të objektit, duke lejuar certifikimin e një ndërtimi të pagarantuar.

Memia shtriu dorën: Politika të gjejë konsensusin për ALUIZNIN

Agjencia e Legalizimit shpërndau dy muaj më parë në kryeqytet 152 leje legalizimit për shtesat në pallate. Gjatë fjalës së mbajtur në këtë ceremoni, drejtori i Përgjithshëm i ALUIZNI-t, Shaban Memia, kërkoi mbështetjen e të gjitha strukturave për realizimin e këtij procesi. Sipas Memisë, disa njësi të pushtetit vendor janë bërë pengesë për ecurinë e procesit. Ai u bëri thirrje qytetarëve që të shlyejnë detyrimet financiare, në mënyrë që të ligjërojnë pronën e tyre. “Ky nuk është një proces politik, por është një reformë shumëdimensionale, që kërkon vullnet të mirë politik”, - është shprehur Memia.
Duke u ndalur në shifra konkrete, Memia u shpreh se për rreth 3 000 objekte tashmë janë shlyer detyrimet financiare, rreth 40 000 objekte janë në proces, ndërsa mbi 12 mijë pasuri, shtëpi, apartamente, dyqane apo struktura social-ekonomike janë legalizuar.
Sipas të dhënave zyrtare të Agjencisë, aktualisht, në mbarë vendin janë në proces përpunimi 134 341 dosje objektesh informale, ndërkohë që ka përfunduar përgatitja e dokumentacionit tekniko-ligjor dhe pritet të legalizohen afro 12 297 objekte informale, të cilat gjenden në fazën përfundimtare të likuidimit të detyrimeve financiare nga qytetarët.

14 Maj 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›