E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lista e barnave të rimbursueshme shtohet me 70 medikamente të reja



Këshilli i Ministrave miratoi listën e re të rimbursimit të barnave, në të cilën përfshihen rreth 70 artikuj të rinj farmaceutikë. Në mbledhjen e Qeverisë, Kryeministri Berisha theksoi se kjo është lista me më shumë barna të rimbursueshme që është përcaktuar ndonjëherë. “Kjo listë është produkt i një konsulte të gjerë dhe i respektimit të ndjeshmërive dhe kërkesave të ndryshme. Zgjerimi i kësaj liste u bë i mundur në saj të performancës të mirë financiare dhe menaxhimit shumë më të mirë të fondeve të përcaktuara për rimbursimin e barnave”,- u shpreh Kryeministri. Kreu i Qeverisë vuri në dukje se tashmë ka një transparencë më të madhe në tregun farmaceutik. Sipas tij, ISKSH-ja ka rol kryesor në në reformimin e sistemit shëndetësor dhe po bëhet blerësi kryesor i shërbimeve shëndetësore. “Instituti i Sigurimeve Shëndetësore jo vetëm që përballon plotësisht me fonde rimbursimin e zgjeruar të listës së barnave, por po bëhet blerës kryesor i të gjitha shërbimeve shëndetësore, gjë e cila përbën bazën e një reforme të thellë shëndetësore që do të ndërmarrim në vitin e parë të mandatit të dytë”, - deklaroi Kryeministri Berisha. Vitin e kaluar në listën e barnave të rimbursueshme u futën 21 barna të reja apo formëdoza. Ndërsa disa të tjera dolën nga lista. Barnat që kanë rimbursimin më të lartë janë ato të sëmundjeve kronike, si dhe barnat që përdoren për sëmundjet e rënda që kanë një kosto të lartë. E. Sako

14 Maj 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›