Bashkia e Tiranës nis punën për ndërtimin e 400 banesave për të pastrehët
Bashkia e Tiranës ka filluar punën për ndërtimin e 400 banesave, për familjet e pastreha në kryeqytet. Banesat do të ngrihen në zonën e ish-Uzinës së Autotraktorëve në Shkozë. Ndërkohë që do të ketë dhe mundësi punësimi për familjarët në nevojë dhe mundësi shkollimi e edukimi për të vegjlit. Kjo pasi katet e para të pallateve do të shërbejnë si aktivitete biznesi apo çerdhe, kopsht, shkollë, hapësira kreative për fëmijët e deri në një qendër sociale do të vihen në dispozicion të banorëve.
Gjatë punimeve ka marrë pjesë edhe Kryebashkiaku Edi Rama, i cili theksoi se banorët që do të strehohen do të kenë të gjitha mundësitë e jetesës. “Nëse sot për Tiranën, ne po sistemojmë 400 familje, pas përpjekjesh shumëvjeçare, nesër në qeverinë kombëtare dhe bashkë me qytetarët, ne do të mund të bëjmë një politikë të re të strehimit social në të gjithë Shqipërinë, në të gjitha qendrat urbane, ku kalvari shumëvjeçar i të pastrehëve do të marrë fund”,- deklaroi Rama. Kështu, nga të dhënat e deritanishme janë parashikuar që 4500 metra katrorë do të jenë në dispozicion të bizneseve, me kushte lehtësuese për të zhvilluar biznese të vogla, me qëllim punësimin e familjeve të pastreha me probleme ekonomike e sociale. Fondet për financimin e këtij projekti janë 12 milion euro nga të cilat 6.347 milion euro janë financim me kredinë e marrë nga Banka e Këshillit të Europës, e cila do të shlyhet nga Bashkia e Tiranës.
14 Maj 2009