Qeveria, ngrihet Komisioni për Mbrojtjen nga Rrezatimet
Ngrihet Komisioni për Mbrojtjen nga Rrezatimet, i cili do të kryesohet nga ministri i Shëndetësisë. Komisioni i Mbrojtjes nga Rrezatimet (KMRR) është autoriteti kombëtar rregullator, i cili mbikëqyr dhe siguron zbatimin e ligjit për mbrojtjen nga rrezatimet jonizuese. Komisioni duhet të mblidhet, një herë në 2 muaj, sipas njoftimit të kryetarit dhe mbledhjet zhvillohen me jo më pak se 2/3 e anëtarëve. Sipas vendimit të qeverisë mbledhja e parë e KMRR-së duhet të thirret jo më vonë se 45 ditë nga data e hyrjes në fuqi të këtij vendimi dhe në këtë mbledhje zgjidhet protokolluesi i komisionit, i cili mban procesverbalin e mbledhjeve të KMRR-së. Mbledhjet e KMRR-së i drejton kryetari, dhe në mungesë të tij, vetë kryetari cakton një anëtar të komisionit për drejtimin e mbledhjes. Ndërsa rregullorja parashikon që kur një anëtar nuk merr pjesë në tri mbledhje radhazi përjashtohet, me vendim të kryetarit të komisionit të mbrojtjes, dhe zëvendësohet nga institucioni përkatës. Shpërblimi për pjesëmarrjen në mbledhje, për çdo anëtar dhe për sekretarin e Komisionit të Mbrojtjes nga Rrezatimi, është 5 000 (pesë mijë) lekë për çdo mbledhje.
Ministrja Godo: “Fëmijët me autizëm do të kurohen në pavijone të veçanta”
Fëmijët e prekur nga sëmundja e autizmit nuk do të kurohen më në të njëjtat pavijone me të rriturit. Ministrja e Shëndetësisë, Anila Godo deklaroi se pacientët e vegjël do të trajtohen në pavijone të veçanta, e cila u shpreh se tashmë është marrë një vendim, në bashkëpunim edhe me kolegët ndërkombëtarë. Kjo deklaratë është bërë gjatë një takimi me përfaqësues të OBSH-së si dhe me Liri Berishën, presidente e fondacionit “Fëmijët shqiptarë”. Specialistët u shprehën se shifrat e të prekurve janë të larta, ku një në 150 fëmijë rezulton i prekur nga autizmi. Specialistet e shëndetësisë thonë se autizmi infantil, duhet të diagnostikohet në kohë, pasi shifrat janë tepër shqetësues.
14 Maj 2009