E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndjekje penale për punonjësit e pushtetit vendorë që abuzojnë



Jonida Tashi

Punonjësit e bashkive dhe komunave, që do të abuzojnë me përcaktimin e familjeve, që përfshihen në skemën e ndihmës ekonomike rrezikojnë të ndiqen penalisht. Megjithëse deri më sot, askujt prej tyre, nuk i ka hyrë asnjë gjemb në këmbë nga shteti, pasi nuk janë zbatuar masat ndëshkuese, pritet që situata të ndryshojë. Sipas drejtorit të Shërbimit Social Shtetëror (SHSSH), Mihal Naço, mosbashkëpunimi mes pushtetit vendor dhe atij qendror, ka sjellë abuzime në skemën e ndihmës ekonomike, duke lejuar të përfitojnë familje, që nuk plotësojnë kriteret.
Masat
Duke marrë shkas nga situata e krijuar, ku mjaft familje kanë marrë ndihmë ekonomike padrejtësisht nga shteti, pasi kanë bashkëpunuar me punonjësit e pushtetit vendorë, kreu i SHSSH-së, kërkon që të zbatohen masat penalizuese ndaj tyre. “Këto janë masa për ndjekje penale, për gjobë, një pjesë e këtyre masave në rastet më të mëdha nuk zbatohet dhe kjo zbut përgjegjësinë, që duhet të tregojmë të gjithë, me qëllim që ndihma ekonomike t’i shkojë atij personi që ka vërtetë nevojë”,- sqaron Naço. Ndërsa përsa i përket numrit të familjeve të përfshira në skemën e ndihmës ekonomike, drejtori i SHSSH-së bën të ditur se numri i përfituesve është ulur krahasuar me një vit më parë. Nëse për vitin 2009, në skemë janë përfshirë rreth 93 500 familje, në vitin 2008 kanë qenë përfituese rreth 101 mijë familje.
Harta
Megjithëse varfëria ka “pushtuar” më tepër zonat veriore të vendit, midis tyre gjendet edhe kryeqyteti. Sipas drejtorit të Shërbimit Social, qarqet me varfëri më të madhe, kanë dhe numrin më të madh të familjeve që marrin ndihmë ekonomike. Harta e varfërisë në vend përfshin qarqet si: Shkodra, Dibra, Lezha, Kukësi, Tirana, Elbasani dhe Korça. “Qarqet më problematike janë qarku i Shkodrës, Dibrës, Kukësit, Tiranës, Lezhës, Elbasanit”, - sqaron Naço. Nëse për rrethet e mësipërme të përfshira në hartën e varfërisë, arsyeja kryesore është mungesa e vendeve të punës, për arsye të moszhvillimit të tyre, krejt ndryshe qëndron situata për Tiranën. Pasi të varfër kryeqytetin, e kanë bërë pikërisht banorët e ardhur nga rrethe të ndryshme të vendit. Ndërsa përsa i përket buxhetit të vitit 2009, i vendosur nga qeveria, për skemën e ndihmës ekonomike, kreu i SHSSH-së deklaron se ai shkon në 4.2 miliardë lekë.

Libra falas për personat që janë në skemën e ndihmës ekonomike

Fëmijët e të gjitha familjeve që janë në skemën e ndihmës ekonomike, do t’i marrin falas tekstet shkollore. Bëhet fjalë vetëm për fëmijët e sistemit arsimor parauniversitar. Në mbledhjen e djeshme të qeverisë, kryeministri Sali Berisha, deklaroi se ky vendim vjen në vijim të qëndrimit të vendosur të qeverisë ndaj problemit të varfërisë në Shqipëri”. Në fjalën e tij, kryeministri e vlerësoi si shumë serioz studimin e Bankës Botërore, UNDP-së dhe Institutit të Statistikës, i cili dëshmon se në një hark kohor tre vjeçar 200 mijë shqiptarë dolën qartësisht nga varfëria.

Matura, publikohet së shpejti Guida dhe sistemi Meritë-Preferencë

Me afrimin e provimeve të Maturës Shtetërore Ministria e Arsimit, do të publikojë së shpejti Guidën e Maturës dhe të sistemit Meritë-Preferencë (MeP) 2009, si një përmbledhje të të gjithë informacionit për Maturën Shtetërore dhe pranimet në universitete që do të kryhen këtë vit. Në Guidë janë përfshirë udhëzimet e MASH-it, për datat e provimeve në të gjitha shkollat e mesme, rregullorja e Maturës Shtetërore 2009, sqarime për provimet e detyruara dhe ato me zgjedhje, sqarime për mënyrën e regjistrimit si kandidat në shkollat e larta, etj. Në këtë në Guidë janë përfshirë edhe materiale dhe programi i punës për Këshillimin për Karrierën (pikët minimale), që do t’u vinë në ndihmë nxënësve maturantë (kandidatëve për shkollë të lartë), për të marrë informacione, të cilat shërbejnë për të bërë një zgjedhje më të mirë të programeve të studimit, sipas preferencave personale të nxënësve.

14 Maj 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›