E Shtunë, 31 Tetor 2026

Aspiratë e përbashkët

Ka një proces, i cili është aspiratë e përbashkët e të gjithë shqiptarëve, pa dallim bindjesh politike, përkatësish partiake dhe nëse kthehemi në historinë e afërt, kujtojmë momentin kur pas zgjedhjeve të 18 shkurtit, opozita shqiptare, Partia Socialiste iu drejtuan mazhorancës qeverisëse me një ofertë për pesë reformat kryesore. Pesë reforma, që do të na ulnin në një tryezë të përbashkët; në atë tryezë ku më ngjan e udhës që forcat politike të qëndrojnë bashkë, në emër të atij uniteti pikëpamjesh që ekziston mes shqiptarëve lidhur me të ardhmen Euroatlantike të Shqipërisë, në Bashkimin Evropian dhe në NATO.

Në atë moment, ishte reforma zgjedhore, reforma në drejtësi, reforma në administratën publike, decentralizimi dhe reforma territoriale, që gjykuam se ishin pika ku duhej dhe duhet të ndalemi.

Janë reforma të demokratizimit, të modernizmit dhe integrimit, pa të cilat Shqipëria mund të jetë Shqipëria e një pushteti apo e një pushteti tjetër, por nuk mund të jetë Shqipëria e qytetarëve, të integruar në Bashkimin Evropian. Kemi qenë në kërkim të këtij konteksti kushtesh, ku punët e opozitës dhe të qeverisë të jenë të ndara prerazi, por të jemi bashkë kur është fjala për axhendën kombëtare të demokratizimit, modernizimit dhe integrimit.

Tabloja globale e historisë dhe problematikës së vendeve të varfra, tregon se karakteristika themelore e këtyre vendeve është konflikti organik në elitat e tyre politike, ku mazhoranca synon të shtypë opozitën deri në asfiksi, dhe opozita gjallon për t'ia bërë jetën të pamundur mazhorancës deri në rrëzim. Varfëria kronike në këto vende lidhet drejtpërdrejt me mungesën e një vizioni e aksioni diametralisht të kundërt për çdo gjë, që nga çështjet e qeverisjes dhe interesit të përbashkët publik e kombëtar. Ky ekstremizim i ballafaqimit politik, i lë vendet e varfra peng të elitave të tyre politike, që nuk prodhojnë dot mirëqeverisje, se gjatë gjithë kohës u lëviz toka nën këmbë dhe nuk realizojnë dot reforma të mëdha demokratizuese dhe modernizuese. Besoj se në këtë tablo mund të inkuadrohet pa frikë edhe Shqipëria e 17 vjetëve të një politike të vjetër destruktive, që u ka kushtuar shumë jo vetëm qytetarëve shqiptarë, por edhe taksapaguesve evropianë. Dhe përtej çdo përpjekjeje për të bërë klasifikime se ku jemi të parët në Europë, mendoj që nuk kemi si të mos biem në një mendje, që jemi vendi më i varfër i Europës.

Filozofia e re e opozitës, në lidhje me ecurinë e Shqipërisë drejt integrimit të plotë në BE dhe NATO, është një filozofi që ndan politikën e ditës dhe konsensusin që duhet të ndërtojmë me palën tjetër, jo duke mbështetur apo për të mbështetur qeverinë, por duke u mbështetur dhe për të mbështetur aspiratat e përbashkëta të shqiptarëve.

Ne nuk mund të jemi dakord kurrsesi me qeverinë për gjendjen ekonomike dhe shoqërore të vendit, për cilësinë e qeverisjes dhe situatën tejet të rëndë sot e gjithë ditën, në sektorët jetikë dhe për këtë ne mendojmë se kjo qeveri nuk e meriton rinovimin e besimit të shqiptarëve. Por ne nuk mund të bëjmë, në asnjë mënyrë, vetëm pasqyrën ku shqiptarët të shohin deformimet e mëdha të qeverisjes dhe krizat e rënda në sektorët jetikë. Për të nxjerrë Shqipërinë nga varfëria dhe prapambetja, opozita duhet të jetë jo vetëm premtimi për të nesërmen, por edhe fuqia që ndikon pozitivisht të sotmen, duke dialoguar dhe konkluduar për reformat e demokratizimit, të modernizimit dhe të integrimit.

Pa një kulturë të re demokratike, nuk ka as zhvillim të madh ekonomik dhe as zhvillim të qëndrueshëm shoqëror dhe kjo është bindja ime. Natyrisht, këtë bindje e përforcon edhe eksperienca e të gjitha vendeve që dolën nga kallkani komunist dhe që u vunë në garë secili në korsinë e tij, për të arritur Bashkimin Evropian. Asnjë nga këto eksperienca, nuk tregon gjë tjetër përveçse vullnetin e përbashkët për të realizuar aspiratat e përbashkëta të qytetarëve në rrugën e integrimit.

Ne nuk mund të jemi të kënaqur dhe as nuk mund të jemi të butë me gjendjen e korrupsionit në Shqipëri, kjo gjendje është përkeqësuar, sipas nesh, dhe këtë nuk e themi ne, këtë e shohim në studimet, në anketimet dhe atë çka tregojnë shqiptarët në ballafaqimin me shtetin, këtë e shohim në skandalet publike dhe objektin e hetimeve të prokurorisë. Ne nuk mund të mjaftohemi me denoncimin e korrupsionit, por duhet të nxitim dhe të bëjmë të mundura reformat e demokratizimit dhe modernizimit, që janë sipas nesh, ilaçi i vërtetë kundër korrupsionit, që nuk luftohet me retorikë, nuk luftohet me përbetime duarsh të pastra, nuk luftohet si një palë kundër një pale, por luftohet duke ndërtuar shtetin, i cili funksionon si një mekanizëm, ku korrupsioni nuk e ndërton dot alternativën e shërbimit të tij.

Nga ana tjetër më lejoni të përfitoj nga ky rast, për të shprehur mospajtimin tim të plotë për faktin që të rejat dhe të rinjtë e këtij vendi, por edhe çdo shqiptare e shqiptar, mund të udhëtojnë sot lirisht vetëm në 17 vende të globit, ndërkohë që jo vetëm fqinjët tanë kanë shumë e shumë më tepër porta të hapura, pa viza, por edhe koreano-veriorët. E pra, kjo është një gjendje me të cilën ne nuk mund dhe nuk duhet të pajtohemi. Padyshim, që kjo ka të bëjë me probleme, me karakter objektiv, që mbeten për t'u zgjidhur nga ne, përfaqësuesit politikë të shqiptarëve, por ka të bëjë edhe me nevojën për një përqasje më të emancipuar do të thosha, nga ana e partnerëve tanë evropianë.

Një student i imi para shumë vitesh, më mbeti në kujtesë, sepse sa herë më shikonte, më kërkonte ndihmë për të marrë një vizë. Kisha shumë vite pa e parë dhe e ndesha në rrugë, afro një muaj më parë dhe i thashë: "Mbete në Shqipëri, nuk ike dot jashtë shtetit! Jo më tha, tani kam vizë, nuk kam pse të iki". E pra, çështja e vizës, është si dritat e dyerve të sigurisë në një kinema, pa të cilat njeriu ndihet në rrezik, ndihet i izoluar, ndihet i asfiksuar. Ndërkohë, eksperiencat dhe faktet tregojnë se në ato vende ku shqiptarët shkojnë lirisht, nuk janë të disponuar të kthehen në rezidentë dhe mbi të gjitha, nuk janë pre e rrjeteve të krimit të organizuar, sepse kanë mundësi të rikthehen në Shqipëri. Ndërsa një nga përgjigjet më konkrete dhe më të efektshme edhe ndaj kriminalitetit në Europën e sotme, është moslënia e të rejave dhe të rinjve që pasi kanë ndërmarrë një aventurë me kosto të lartë, të mbetur pa shpresë, të kthehen në skllevër të rrjeteve të organizuara.

Nga ana tjetër, nuk ka dyshim që të plotësojmë një kërkesë të thjeshtë, të numërojmë njerëzit tanë, t'ju japim njerëzve tanë identitetin e tyre të pafalsifikueshëm dhe të padyshimtë, me karta dhe pasaporta që të jenë të standardeve të BE-së. Kështu që padyshim, ne këtë drejtim ne mbetemi shumë të shqetësuar, pasi koha ikën. Në tenderin e kartave të identitet pati një ndërhyrje flagrante, kur procedurat kishin filluar dhe për pasojë kemi një rezultat të kompromentuar nga kjo ndërhyrje. Sot e gjithë ditën, ne nuk dimë kur do të fillojë, sa do të zgjatë, si do të realizohet dhe si do të bëhet e mundur shpërndarja e kartave të identitetit për çdo qytetar të Shqipërisë, nga qendra e Tiranës deri në malet më të largëta.

***

Shpreh bindjen e Partisë Socialiste, se është koha që ne të hedhim një hap tjetër. Integrimi evropian nuk mund të mbetet apo të rrezikojë të mbetet si një çështje burokratësh në disa dikastere si dhe një propagandë e vazhdueshme e forcave politike. Integrimi evropian duhet të kthehet në një shtysë të re, ashtu siç u kthye ftesa për në NATO në Samitin e Bukureshtit në një sfidë të re.

Mendoj se jo më vonë se në vjeshtën e ardhshme duhet të aplikojmë për të marrë statusin e vendit kandidat. Ky proces, në fund të fundit, është thjesht dhe vetëm, marrja dhe plotësimi i 4300 pyetjeve për të bërë aplikimin dhe do të na tregojë konkretisht e realisht, shumë e shumë gjëra dhe do të na hap shumë e shumë fronte konkrete pune. Një punë që duhet të jetë pjesë e vetëdijes së çdo nëpunësi publik në Shqipëri dhe jo pjesë e rutinës së një dikasteri së bashku me disa të tjerë, që dinë gjuhën e burokracisë, por që nuk mund dot ta përçojnë këtë proces tek shqiptarët dhe shqiptaret si një impuls të ri.

Grupi ynë parlamentar do të çoj shumë shpejt në Kuvendin e Shqipërisë një projektrezolutë. Do t'ju kërkojë të gjitha forcave politike parlamentare që ta miratojnë atë. Përmes saj do t'i kërkohet qeverisë që jo më larg se vjeshta e ardhshme, të paraqesë kërkesën për të aplikuar për statusin e vendit kandidat për në BE. Kjo si një akt vetëdijeje, por edhe si një akt angazhimi për të përmbushur përmes veprimit të koordinuar të të gjitha forcave politike, të të gjithë detyrimeve të përbashkëta dhe për të arritur objektivin strategjik të anëtarësimit në BE, që e duam për fëmijët tanë, por pa dyshim e duam edhe për njëri-tjetrin dhe pse jo për ata të moshuar, që pas një jete plot sakrifica dhe një tranzicioni që nuk i ka shpërblyer, së paku moralisht, do të ishte një mënyrë e mirë për t'u thënë lamtumirë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›