E Shtunë, 31 Tetor 2026

A ka piratë në Danub?

Ishte një konvoj i barkave nga Ukraina, e cila e përjetoi një ngjarje të pakëndshme në fillim të janarit. Ajo që ndodhi, ende është duke u hetuar nga autoritetet rumune. Pronari ukrainas i konvojit, Danube Shipping Company, thotë se një nga barkat e veta është sulmuar nga persona të armatosur me thika. Pra, a ekzistojnë vërtetë piratët në Danub? Nëse krahasohen me piratët në Somali, të armatosur deri në dhëmbë dhe të cilët kërkojnë me miliona dollarë, për të liruar anijet e rrëmbyera, atëherë nuk ekzistojnë si të tillë.

Të tërhequra nga një anije rimorkiator, një konvoj i barkave lundron ngadalë mbi Danub, diku në Rumaninë juglindore.

Edhe përkundër faktit se është dimër, ka shumë pak borë dhe shi dhe niveli i ujit është i cekët. Anija rimorkiator ndalet, i ndan barkat dhe fillon t’i tërheq dy nga dy nepër një pjesë të lumit, e cila është tejet e ngushtë. Disa barka, të mbushura me minerale apo thëngjill, janë të detyruara të presin disa orë, derisa të ju vie radha e tyre. Disa i afrohen bregut, të mbrojtura vetëm nga anëtarët e ekuipazhit.

Është kjo një skenë, e cila përsëritet për çdo ditë në sektorin e Danubit të poshtëm në Rumani dhe aty ka anije nga vende të ndryshme, pasi që Danubi është një nga shtigjet kryesore të transportit në Evropë.

Ishte një konvoj i barkave nga Ukraina, e cila e përjetoi një ngjarje të pakëndshme në fillim të janarit. Ajo që ndodhi, ende është duke u hetuar nga autoritetet rumune.

Pronari ukrainas i konvojit, Danube Shipping Company, thotë se një nga barkat e veta është sulmuar nga persona të armatosur me thika, përderisa po priste që të tërhiqej.

Kompania theksoi se sulmuesit kanë plaçkitur para, karburante, alkool dhe cigare, si dhe i janë kërcënuar kapitenit se do ta hedhin në ujë. Me këtë rast nuk u lëndua asnjë anëtarë i ekuipazhit.

Kompania ju ankua policisë ujore të Rumanisë, duke theksuar se ka qenë viktimë e një sulmi të piratëve, duke e nxitur ministrinë e Jashtme të Ukrainës që të ftojë në një bisedë ambasadorin rumun në Kiev.

Megjithatë, zëdhënësi i ministrisë së Jashtme të Ukrainës, Oleksandr Dikusarov, nuk deshi ta cilësoi këtë incident si akt të piratërisë.

“Konfirmojmë këtë ngjarje, por nuk themi se ata janë piratë. Janë kriminelë, të cilët sulmojnë anijet, përfshirë këtu edhe ato nga Ukraina. Ë pari, i thamë ambasadës tonë në Bukuresht që të kontaktojë autoritetet rumune, për të marrë një shpjegim për incidentin në Danub. Na siguruan se hetimet janë duke u zhvilluar dhe ne ende po presim përgjigje”, tha Dikusarov.

Zëdhënësja e ministrisë së Jashtme të Rumanisë, Doris Mircea, tha se ankesa zyrtare e Ukrainës i është dorëzuar ambasadës rumune në Kiev dhe se kanë filluar hetimet.

“Kërkesa i është përcjellë ministrisë së Brendshme të Rumanisë. Kemi njoftuar autoritetet ukrainase se hetimet janë duke u zhvilluar”, tha ajo.

Mircea më tutje shtoi se është kjo hera e parë që autoritetet rumune kanë pranuar ankesë për një incident të këtillë.

Prandaj a ekzistojnë vërtetë piratët në Danub?

Nëse krahasohen me piratët në Somali, të armatosur deri në dhëmbë dhe të cilët kërkojnë me miliona dollarë, për të liruar anijet e rrëmbyera, atëherë nuk ekzistojnë si të tillë.

Mediet shpesh kanë njoftuar se anëtarët e ekuipazhit në anijet transportuese kanë vjedhur dhe shitur mallrat që transportonin, për të theksuar më pas se janë plaçkitur nga piratët.

Një zyrtar i afërt me hetimet për sulmin kundër anijes nga Ukraina thotë se në Danub nuk ka pirateri, por kontrabandë të nivelit të ulët.

Peshkatarët e varfër nga fshatrat rumune përgjatë Danubit shpesh hipin në anije, për të blerë apo për të shkëmbyer mallra.

Nganjëherë gjatë shkëmbimit të mallrave ndodhin edhe incidente. Sipas zyrtarëve, kjo sipas të gjitha gjasave ka ndodhur në fillim të janarit edhe në barkën nga Ukraina.

Natyrisht, peshkatarët gjithmonë bartin me vete thika, pasi që është një mjet i domosdoshëm për tregtinë e tyre.

Me këtë rast, me gjasë gjatë shkëmbimit të mallrave, gjakrat janë nxehur dhe ka plasur grindja mes peshkatarëve dhe anëtarëve të ekuipazhit. Megjithatë, zyrtari në fjalë theksoi se detajet e ngjarjes ende janë duke u hetuar.

Ai më tutje shtoi se për shkak të mungesës së personelit, nga mesatarisht tre policë mbulojnë rreth 50 kilometra të shtrirjes së Danubit, gjë që shton mundësinë për të ndërmarrë sulme ndaj anijeve, me qëllim të plaçkitjes.

Për t’iu adresuar këtij problemi, zyrtarët kanë kërkuar nga anijet, të cilat presin që të tërhiqen, të ndalën vetëm në brigjet, të mbikëqyrura nga autoritetet rumune.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›